Të padrejta akuzat ndaj SC Gjilanit për stërvitjet e klubit
Federata e Futbollit dhe disa klube të Superligës së Kosovës kanë akuzuar “bardhekuqët” e Gjilanit, se po stërvisin në mënyrë fshehurazi.
Kryetari i SC Gjilanit, Florim Zuka, ashpër dhe me indinjatë të thellë ka reaguar për këto akuza të pavërteta.
“Ky është turp i llojit të vet të na akuzojnë pa pasur aspak ndërgjegje se futbollistët e Gjilanit në grupe po ushtrojnë, kjo është plotësisht e pa vërtet, por po ju them se pikërisht ato klube që po na akuzojnë ato janë duke bërë stërvitje pa ndërprerë, e disa klube edhe nga dy herë në ditë por nuk e kam problem, për mua tërë ditën le të ushtrojnë ajo është në ndërgjegjen e tyre. Ne si klub që nga fillimi kemi respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe urdhëratë FFK-së, por këto akuza në drejtim të klubit SC Gjilani disa individ po e shfrytëzojnë për marketing vetëm për të dal në Gazeta, TV e Portale të ndryshme, por është problemi i tyre, ne nuk merremi me njerëz që nuk ja dëshirojnë të mirën as shtetit e as futbollit”, thekson për “RajoniPress”, Zuka.
Zuka i hidhëruar për këto akuza të pa arsyeshme edhe një herë ka përsëritur se SC Gjilani kërkon nga njerëzit kompetent të FFK-së që kampionati të zhvillohet aty ku ka mbetur.
“Ne jemi për të vazhduar kampionati aty ku ka mbetur, ne asgjë nuk duam në tavolinë, gjithçka që kërkojmë është të luhet futboll në fushën e gjelbërt, janë edhe 11 javë pra është një pjesë e kampionatit komplet pa u zhvilluar, një humbje nga pozita e parë të kalon në pozitën e katërt dhe këtë duhet respektuar”./rajonipress/


