Volejbollistja nga Gjilani, Zanfina Xhemajli e cila po shkëlqen në KV Gryk
Gjilan – Skuadra e Volejbollit Gryka nga Drenasi, në radhët e saja në stinorin vjeshtor është përforcuar me volejbollisten nga Gjilani, Zanfina Xhemajlin, e cila ka bartur me shumë sukses fanellën e Dritës.
Zanfina Xhemajli e cila që nga mosha 10 vjeçare ka filluar të merret me lojën në mes rrjetave, ka dëshmuar se është një talente e ardhshme e volejbollit të Kosovës.
Xhemajli me mjaft sukses është duke u paraqitur tek skuadra e Grykës, dhe duke i ndihmuar skuadrës në rezultatet e saja në Superligën e Kosovës në Volejboll.
Volejbollistja 18 vjeçare, Zanfina Xhemajli, përpos që është volejbolliste e talentuar, ajo tani po ndjek studimet në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit.
” Tek skuadra e Dritës kam kaluar mjaft mirë, aty kam pasur bashkëlojtaret që kemi filluar nga fëmijëria hapat e parë të volejbollit, por në fillim të stinorit kam vendosur ta ndryshoj ambientin duke kaluar në skuadrën e Grykës”, shprehet Xhemajli.
Volejbollistja shtatgjatë, Xhemajli ka hasur në mikpritje tejet të mirë në skuadrën e saj të re.
” Jam pritur mjaft mirë si nga volejbollistet njashtu edhe nga stafi i skuadrës, kemi një skuadër shumë të re dhe të talentuar, jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre e cila funksionon në të gjitha aspektet, në këtë kampionat po marrim përvojë dhe po
tregojmë lojëra cilësore, ndërsa në kampionatin e ardhshëm shpresoj se do të pozicionohemi më lartë në tabelën e klasifikimit”.
Xhemajli e cila me mjaft sukses paraqitet në rolin e qendrës, shpreson se shumë shpejt do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në Volejboll.
“E imja është të tregoj lojëra të mira dhe ta ndihmoj skuadrën e Grykës, shpresoj se me lojërat e mija do ta marr ftesën nga selektori i Përfaqësueses së Kosovës që të jem pjesë e saj”.
Zanfina Xhemajli përpos që ka talent në lojën e volejbollit ajo është edhe studente e shkëlqyer, duke shpresuar se një ditë do ta edukon rininë në frymën edukative e sportive./rajonipress/

