Shkojnë për fitore
Përfaqësuesja e Kosovës dje e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Prishtinë para udhëtimit drejt Bakusë, ku të premten do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve si mysafire e Azerbajxhanit. “Dardanët” sot do të fluturojnë drejt Azerbajxhanit me besim të madh se nga atje do të kthehen me fitore, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Përfaqësuesja e Kosovës të mërkurën e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Prishtinë para udhëtimit drejt Bakusë, ku të premten do ta zhvillojnë ndeshjen ndaj Azerbajxhanit, të parën në Grupin 3 të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve. “Dardanët” edhe stërvitjen e djeshme e zhvilluan në një atmosferë të mirë, që vetë e kanë krijuar në kampin e tyre. Ndërsa sot do të fluturojnë drejt Bakus, ku po ashtu do ta zhvillojnë një seancë stërvitore në mbrëmje, të fundit para përballjes me kundërshtarin e parë të këtij kompeticioni të ri ndërkombëtar. Skuadra Verdhekaltër shkon në Baku me besim të madh se do të korrin fitore, me të cilën do të kthehen të shtunën në Prishtinë për ta përgatitur ndeshjen tjetër ndaj Ishujve Faro, shkruan “Zëri”
Përzgjedhësi Bernard Challandes ka treguar se me bashkëpunëtorët e tij trajnerë kanë punuar shumë qe disa ditë për ta nisur sa më mirë me Kosovën aventurën në Ligën e Kombeve. “Unë dhe shtabi teknik kemi punuar mjaft këto ditë si në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Kemi ushtruar lojën presing, gjuajtjet e lira, nga këndi e pika e bardhë. Kemi një kundërshtar mjaft të fortë e me agresivitet”, ka deklaruar Challandes. “Dua të kemi një ekip të mirë dhe nuk jam i fokusuar në individë. E di që të gjithë kanë dëshirë të luajnë, por ne duhet ta dimë se kemi dy ndeshje dhe duhet të kemi lojtarë për dy ndeshje. Do të bëjmë atë që mundemi më së miri”, është shprehur trajneri zviceran, i cili punën në Përfaqësuesen e Kosovës e ka nisur me tri fitore, por në ndeshje miqësore. Kurse ndeshjet e Ligës së Kombeve vlerësohen si teste të vërteta për të.
Futbollistët tregojnë motivin
Futbollistët “Dardanë” nuk e kanë fshehur dot motivin me të cilin sot do të fluturojnë drejt Bakusë. Ata thonë se do të provojnë të fitojnë si mysafirë të Azerbajxhanit. “Jemi përgatitur maksimalisht këto ditë sepse nuk ka kundërshtarë të lehtë. Azerbajxhani ka një skuadër të mirë, por ne do të mundohemi të japim maksimumin tonë të dijës dhe forcës që të dalim faqebardhë nga kjo ndeshje. Ekziston motiv i dyfishtë për neve, një herë për fitore dhe një herë do të luajmë për ish-presidentin Vokrri”, ka thënë kapiteni Samir Ujkani. Ndërsa reprezentuesi tjetër i njohur Herolind Shala është i bindur se Kosova mund të ecën mirë në Ligën e Kombeve. “Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur maksimalisht e këtë na e kanë mundësuar edhe kushtet e mira. Kemi motiv dhe disponim të mirë e kjo besoj do të japë edhe rezultatin e favorshëm për neve. Unë shpresoj se kemi gjasa jashtëzakonisht të mira për të shkuar më tutje”, tha Shala./Zëri


