Uji Dea

Partitë kosovare, grusht bashkuar rreth korrupsionit!

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Duke i parë, analizuar dhe vlerë- suar parimet dhe qëndrimet e të gjitha partive politike, në raportet kundërshtuese mes tyre, analistët politikë theksojnë se fitohet një bindje e plotë, madje edhe shumë e drejtë, sipas së cilës del se e gjithë klasa politika kosovare, pra të gjitha partitë politike, na dalin në fund si tërësisht të degraduara dhe të kriminalizuara. Ky lloj definicioni nxirret kur i shohim se sa lehtë i kalojnë subjektet tona politike qarjet dhe sharjet me tyre, kur vjen koha për të marrë pushtet.

Tani me të drejtë shtrohet pyetja se si do të mund të funksionojë koalicioni PDK, AAK e Nisma kur Adem Grabovci i PDK-së akuzohej vetëm disa muaj më parë nga Ramush Haradinaj si një arkëtar i krimeve të SHIK-ut, kurse Grabovci thoshte se Ramush Haradinaj personalisht i kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casinos?! Grabovci madje ia numëronte Haradinajt gjithashtu pronat e blera e të uzurpuara në Kosovë, Durrës, Dubai, pasuri të fituara jashtëligjshëm dhe pa pasur biznese të ligjshme. Ndërkaq edhe Fatmir Limaj jo më larg se një vit më parë deklaronte se SHIK-u me dy francezë e quan në burg. Po ashtu duket shumë i pakuptueshëm tani edhe përafrimi mes LDK-së dhe VV-së. Deri para një viti VV-ja sulmonte me ve dhe gaz lotsjellës Isa Mustafën dhe LDK-në, madje i shkuan edhe në shtëpi për ta sulmuar edhe fizikisht, u ofenduan deri në maksimum, ndërkaq tani takohen për të bërë koalicion eventual.

Analistët politikë theksojnë se duke u bazuar në këto zhvillime, me të cilat bien të gjitha barrierat dhe vijat e kuqe mes partive politike, ato nuk po mbeten gjë tjetër veçse organizata që janë shndërruar në korporata kriminale dhe punojnë vetëm e vetëm për të marre e kapur pushtetin dhe shtetin dhe për të luftuar vetëm për interesa personale, saqë sot pa asnjë kufizim mund të ofendohen dhe të sulmohen mes tyre, e nesër, për hir të marrjes së pushtetit, për të kapur shtetin, edhe përqafohen dhe bëhen bashkë, e ndajnë “llokmën” e tyre kriminale!!!

Të korruptuarve t’u ndalohet politika

Sipas profesor Muhamet Kelmendit, një gjendje të tillë e kemi në Kosovë për fat të keq pasi janë mu partitë politike ata organizma që janë te mbushur me elementë të dëmshëm, e kanë mbushur me të tillë edhe shtetin dhe po e dëmtojnë të ardhmen e vendit. “Nuk ka subjekt politik as nuk ka që nuk ka anëtar të dyshimtë brendapërbrenda strukturave të veta dhe natyrisht se nuk kemi as edhe një përgjegjësi penale dhe dënim. Shteti është kapur dhe drejtësia hesht. Këndej kërkohen masa në mënyrë që të stabilizohet shteti”, u shpreh ai.

Sipas tij, ka vetëm një zgjidhje. “Kosova me urgjencë duhet ta nxjerrë ligjin mbi partitë politike dhe mbi forcat që merren me politikë, duke ndaluar të korruptuarit të merren me politike dhe nën dy, duhet fokusuar me përparësi edhe në nxjerrjen e Ligjit mbi pastërtinë e sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor. Duke punuar në këto dy drejtime jam plotësisht i sigurt se do të kimi edhe pushtet të pastër politik, por edhe sistem të drejtësisë më të drejtë. E them këtë, sepse në fund të fundit këto varen nga spastrimi i pushtetit nga kriminelet dhe forcat e tjera korruptive”, theksoi Kelmendi. “Pa një sistem politik plural të pastër kurrë nuk do të kemi as pushtet shtetëror të drejtë dhe shtet ligjor. Kërkohet spastrim i madh i subjekteve politike dhe i pushtetit që të kemi drejtësi ligjore dhe prokurori të pavarur, sepse deri më tani krimi ka depërtuar shumë gjithandej në politikë dhe në institucione. Kriminelët janë ulur nëpër parti. Ata janë pasuruar së tepërmi. E tërë kjo ka ndikuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Mobi Casa

Degradimi i pandalshëm partiak

Edhe analisti politik, Florim Zeqa, pohon se degradimi i skajshëm i partive politike kosovare, gjegjësisht liderëve partiakë dhe shumicës së politikanëve nuk ka të ndalur, pasi deri dje thirreshin në vija të kuqe dhe akuza të ndërsjella në mes tyre, i harruan të gjitha, duke shkuar në përqafim (lidhje koalicioni) me njëritjetrin. “Ky lloj degradimi dhe degjenerimi total i skenës politike, vjen si rezultat i kriminalizimit, korrupsionit dhe formave të shantazhit si pasojë e pazareve të pista të liderëve partiakë me kompanitë e tej- inkriminuara dhe bizneset e pista nga të cilat financohen të gjitha partitë politike pa dallim. Në një mënyrë partitë politike kosovare janë shndërruar në korporata kriminale, të cilat punojnë sa për të marrë pushtetin dhe kapur shtetin, për t’iu shërbyer vetëm interesave të tyre personale, e jo të qytetarëve të vendit dhe shtetit të Kosovës”, është shprehur ai. “Shembujt e degradimit të skenës politike kosovare i gjejmë brenda të dy koalicioneve parazgjedhore, të cilat shanin dhe ofendonin njëritjetrin, kur papritmas në orët e fundit bëhen bashkë për të ruajtur vazhdimësinë e kapjes së shtetit, që nesër të ndajnë në mes tyre “llokmën kriminale”. Pothuajse e njëjta situatë është edhe në raport mes blloqeve të caktuara parazgjedhore, të cilat u sulmuan me njëra-tjetrën, përveçse me fjalë edhe fizikisht, qoftë në Kuvend dhe jashtë tij, ndërkaq tani, pa fije turpi, takohen dhe bëjnë pazare të pista, me qëllim të marrjes eventuale të pushtetit”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Sipas tij, arsyeja pse asnjëra nga blloqet parazgjedhore nuk e ka shumicën e nevojshme, jo vetëm se mund ta prolongojë formimin e Qeverisë, por edhe do ta rritë në maksimum pazarin politik për blerjen e deputetëve në Kuvend, si dhe do ta bëjë akoma më të lehtë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në formimin e Qeverisë, për të ruajtur kështu kontinuitetin e formimit të qeverive nën presionin ndërkombë- tar, gjithnjë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. “Kështu, pra, edhe kësaj radhe sikurse herëve të tjera për kryeministër të vendit do të zgjidhet ai person që ndjek në përpikëri agjendat e Beogradit dhe Brukselit për pakicën serbe në Kosovë, e jo ai që ndjek agjendat kombëtare në raport me interesat e shumicës së popullatës shqiptare në vend”, potencoi Zeqa.

Pazaret e pista për pushtet

Politologu Gurakuq Kuqi thotë se duhet sqaruar se vija e kuqe është vetëm teori apo nën teori realiste mes ofensivës dhe defensivës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në politikën e brendshme nuk ka vija të tilla. “Në politikën e brendshme vetëm bolsheviket kundër menshevikëve e kanë përdor. Pra, kjo i bie që me deklarimet e tyre po i gënjejnë qytetarët, ndërsa vijat e kuqe nuk duhet të jenë në politikën e brendshme, nëse partitë janë në interes të qytetarit dhe shtetit”, theksoi ai. “Partitë politike duhet të jenë alternativa zhvillimore dhe lojale karshi interesave të qytetarëve dhe shtetit e jo të tilla si janë tani, sepse vetë po u bien pishman fjalëve të veta e qartë po tregojnë se pushteti dhe jo shteti është gjithçka për ta”, vijoi më tutje Kuqi. “Tri grupimet e tanishme politike, por edhe ato që janë koalicion, vetëm para pak kohe ishin në gjendje sikur të gjenin përkrahje ta fusnin vendin në luftë civile e grusht-shtet, të paktën kështu ishte deklarativisht, e mos t’i harrojmë fyerjet si bishtin nën shalë… Në anën tjetër, po del se këta para syve po na mashtrojnë se në të vërtetë janë miq dhe pazaret i kanë bashkë”, tha politologu Gurakuq Kuqi. Sipas tij, tani edhe koalicionet nuk janë befasuese, por më shumë duhet të jetë befasuese nëse qytetarët si zot të vërtetë të shtetit vazhdojnë t’i durojnë edhe më tutje këta politikanë dhe këto parti politike mashtruese./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.