Oligarkët palojnë milionat, qytetarët numërojnë centët
Bazuar në vlerësimet e ekspertëve të ekonomisë dhe specialistëve të kësaj fushe, vlerësohet se i gjithë spektri politik kosovar i pasluftës, qofshin pozitë apo opozitë, të gjithë janë të inkriminuar, kush më shumë e kush më pak, në afera të ndryshme korruptive, dhe të njëjtit mbesin fajtorët kryesorë që e kanë rrënuar ekonominë edhe ashtu të brishtë të Kosovës. Po të njëjtit thonë se veprimet mafioze të spektrit politik kosovar bënë që qytetarët tanë të paguajnë tagrin e politikanëve hajna, që lanë kapitalin te mafio-oligarkët
Ndaj me të drejtë ata po pyesin se si ka mundësi që vendi më i varfër në Evropë të ketë edhe koston më të lartë të jetesës, çmimet e konsumit dhe shërbimet, disa nga ato janë më të lartat në Evropë dhe në rajon në vend se të ishte e kundërta.
Analistët janë të mendimit se e kemi këtë gjendje pasi që qeveritë tona pas pavarësisë, në vend që të jenë një shembull për promovimin e shtetit ligjor, ishin shpërdoruesit e aseteve publike dhe të parave të qytetarëve. Veç saj vlerësohet se oreksi për t’u pasuruar brenda natës, duke menduar edhe në format ilegale dhe të dënueshme, e ka sjellë ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës në këtë gjendje të rëndë.
Politikanët mendojnë vetëm për xhepin e tyre
Eksperti Ardian Nokaj vlerëson se politikanët tanë kosovarë vetëm për dreka e darka i shpenzojnë me mijëra euro.”Kësisoj gjatë fushatës që porsa e lamë pas kishte dreka e darka nga 700 – 800 veta, ku prezantonin në këto ndeja dhe që kapin shifrat deri në 8 mijë euro vetëm për një sish”, thotë ai. “Politikanëve tanë kosovarë për fatin e keq, qofshin pozitë dhe opozitë, deri më tash nuk u ka interesuar fare gjendja dhe mirëqenia e qytetarëve tanë, por atyre u ka interesuar vetëm se si të punojnë që t’i mbushin xhepat e tyre dhe të plotësojnë nevojat dhe interesat e biznesmenëve oligarkë, të cilët janë të lidhur me ta”, u shpreh më tutje analisti Nokaj.”Këtu në radhë të parë dua që të përmend familjen e oligarkëve “Devolli”, që jo vetëm se e kanë kapur shtetin, por në një farë mënyre ata janë duke e zhvatur qytetarin në çdo segment të jetës”, theksoi ai.
Sipas tij, të gjitha taksat dhe tatimet të kësaj qeverie janë për të shtuar xhepat e tyre dhe të kësaj familje dhe të politikanëve tanë të inkriminuar të kësaj qeverie aktuale që porsa e lamë pas.”Kostoja e jetesës është shumë e madhe. Qytetarët tanë në fakt nuk po dihet se si po arrijnë që t’i përballojnë këto çmime që janë tepër të larta. Fillimisht mund të them se me një pension bazë prej 75 eurove, sa e kanë qytetarët tanë, jeta për ata është bërë shumë e vështirë pasi që të njëjtit nuk kanë mundësi që t’i blejnë as gjërat elementare ushqimore dhe medikamentet”, vijoi më tutje Nokaj.
Ai është i mendimit se kjo po ndodh ngase TVSH-ja është rritur në shkallën 18 për qind në shumicën e produkteve.
Mentaliteti rrënues politiko-shoqëror
Analisti Isa Mulaj thotë se i tërë spektri politik, por edhe pjesa më e madhe e popullsisë, është përgjegjës për shumicën e inkriminimeve që e kanë kapluar Kosovën dhe ekonominë saj. “Fatkeqësisht, qasjen e oligarkëve, partive politike në pozitë e opozitë, e kanë si mentalitet dhe ambicie edhe shumica e shumica e shtresave të varfra të popullsisë. Oreksi për t’u pasuruar brenda natës, duke menduar edhe në format ilegale dhe të dënueshme, e ka sjellë ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës në këtë gjendje”, u shpreh ai.
Mulaj parafrazon thënien: “Po vjedhin të gjithë, vjedh edhe ti se 1000 vjet s’ia kanë dhënë askujt”, thonë shumica e qytetarëve të varfër. “Kur vjedhin të gjithë shteti shkon drejt dështimit e shoqëria në degjenerim të skajshëm, pa mundësi të riparimit”, vijoi më tutje Mulaj. “Shoqëria kosovare vuan vetëm nga sindromi i mungesës së konsumit material. Në momentin kur arrin të ngopet me këtë konsum, asgjë tjetër nuk ka kuptim në jetën e tyre”, vlerëson analisti Isa Mulaj. Sipas tij, ajo çfarë është më e keqja këtë lloj konsumi e duan disi të gatshëm ose në kurriz të të tjerëve, ose pa meritë.”Pikërisht kjo qasje e ka thyer në themel politikën dhe shoqërinë kosovare”, tha ai. “Kjo forme e qeverisjes në Kosovë, nëse nuk ndryshon, lë mësime të këqija, të cilat jo vetëm që duhet ndërprerë, por duhet dënuar sa më parë që është e mundur”, ka potencuar Mulaj.
Favorizimi i monopoleve, degradues
Specialisti i integrimeve evropiane, Nëntor Shaqiri, tha se çdo favorizim që bëjnë partitë politike në pushtet ndaj bizneseve që tentojnë të krijojnë monopole në njërën nga fushat e ekonomisë të njëjtat e dëmtojnë rëndë ambientin e të bërit biznes dhe njëkohësisht krijojnë një pasqyrë të keqe për biznes-bërjen në Kosovë, gjë që krijon efekte negative në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.
Sipas tij qeveria duhet të insistojë në mënyrë decidive në ruajtjen e një konkurrence të drejtë për të gjitha bizneset, në mënyrë që të kemi çmime të arsyeshme për konsumatorët.
Ndërsa, eksperti i financave, Xhevat Meha, tha se ka më tepër se 10 vite që rregullisht në të gjitha raportet ndërkombëtare Kosova del me shkallë konstante shumë të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. “Kjo flet për lidhje të konsoliduara dhe shumë të fuqishme të krimit të organizuar”, thotë ai.”Sigurimi i paprekshmërisë së shkeljeve ligjore për periudhën për më tepër se 10 vjet është dëshmi për fuqinë e këtyre lidhjeve. Kemi gjendjen kur shtetet mike dhe mbështetëse të Kosovës kërkojnë me ngulm për shumë vite rresht që të dënohet krimi i organizuar, mirëpo në fakt krimit i sigurohet paprekshmëria”, ka thënë ai./kosova sot/

