Hidromorava

Mbi 700 milionë euro kalojnë në “procedurat” e ryshfetit

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Analistë të ekonomisë dhe specialistë të kësaj fushe vlerësojnë se tenderomania korruptive, që po bëhet përmes krimit të organizuar, e ka shkatërruar tej mase Kosovën, ku çdo vit rreth 700 milionë euro para të tatimpaguesve shpenzohen në tenderë për investime kapitale, mallra dhe shpenzime, ndërsa efektet janë minimale në të mirën publike.

Dyshohet se fondet milionëshe kalojnë nëpër duart e zyrtarëve të inkriminuar e të kapur të prokurimit, nga nëntoka dhe pushtetarët e lidhur me të,si në nivelin komunal po ashtu edhe në atë qendror. Një përqindje e madhe e këtij 700 milionëshi çdo vit po ashtu përfundon nëpër xhepat e kontot e politikanëve, zyrtarëve të prokurimit dhe nëntokës së krimit. Këtu,pa llogaritur paratë që zhvaten përmes monopoleve, si homologimit të Devollëve, që për 10 vjet e kanë tejzhvatur popullsinë në Kosovë, pastaj ” Z- Mobile”, si produkt i krimit të organizuar, ku pa asnjë investim fitohen qindra- miliona për nëntokën e shumë të tjera.

Analistët janë të mendimit se niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në fushën e prokurimit publik është bërë gangrenë për shtetin dhe ekonominë e Kosovës, ku tenderët i marrin vetëm ata që paguajnë tallin-ryshfetin për pushtetarët dhe mafio-oligarkët e inkriminuar, andaj analistët e shtrojnë në diskutim pyetjen se përse Prokuroria nuk po heton kontratat që bëjnë kompanitë e mafio-oligarkëve në projektet kapitale që paguhen qindramiliona euro nga buxheti i shtetit. Vëllezërit Devolli, si zakonisht,sërish nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetarit.

Lidhja korruptive parti-shtet

“Thjesht, mund të burgosesh nëse pret një lis në mal e nuk burgoset nëse ka manipuluar miliona euro në tenderë, manipulime, kërcënime, për të qenë në Bashkimin Evropian duhet të luftohen këto dukuri, dhe neve ende jemi në fazën fillestare të mendimit dhe përgatitjeve për të luftuar këto fenomene”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën ” Kosova Sot”, vlerëson se tenderomania në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese, pasi shumë kompani financojnë partitë politike në pritje të kthimit të shpërblimit nga tenderët e ndryshëm, që janë dëshmuar se ka ndodhur me të gjitha partitë politike. “Ka pasur raste kur edhe janë kërcënuar me jetë qytetarët dhe janë detyruar të tërhiqen nga tenderë të ndryshëm”, u shpreh ai. “Këtu një faj të madh e kanë edhe institucionet e vendit, sepse kanë zhvilluar politika monopoliste, siç është rasti i homologimit të automjeteve, pra një shtet që nënshkruan kontrata monopolistike duke shkelur çdo standard të ekonomisë së lirë, atëherë dhe nuk merr askush përgjegjësi për një vepër të tillë. Kjo ndodh vetëm në vendet me liri të vogla apo në vendet autoritative”, vlerësoi analisti Beqiri. “Kostoja është jashtëzakonisht e madhe e këtyre fenomeneve, llogaritet rreth 700 milionë euro në vit nga aktiviteti i prokurimit, këtu nuk përjashtohen as komunat e Kosovës, të cilat në fushata zgjedhore marrin miliona euro donacione në fushatat e tyre e që unë mendoj se një pjesë e madhe e atyre parave jepet në stilin e huas, sepse do të kthehen me tenderë dhe forma të ndryshme, të cilat dinë këta biznesmenë dhe politikanë t’i ndërmarrin”, theksoi ai. Sipas Beqirit, Prokuroria është në gjendje të ndjekë një prerës të druve, por hesht përballë monopoleve, kontrabandës apo tenderomanisë.

Mafio-oligarkët e kanë Qeverinë në dorë

Analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj tha se tenderomania është një dukuri që për fat jo të mirë u kthye në sistem të qeverisjes në Kosovë. “Duke u bazuar që përafërsisht çdo vit ndahen afërsisht 700 milionë euro që kalojnë në prokurim publik, nëse e marrim parasysh 10 për qind që shkon në xhepat e pushtetarëve dhe partive politike në pushtet në të dyja nivelet qeverisëse, si qendror dhe lokal, pra afërsisht 70 milionë euro përfundojnë në xhepa të këtyre pushtetarëve, pa i futur në këtë përqindje drekat, telefonat, si dhe pushimet që bizneset detyrohen t’u paguajnë këtyre pushtetarëve, pra minimumi 100 milionë euro keqpërdoret buxheti i Republikës së Kosovës”, konkludon ai. “Këto shifra të keqpërdorura janë vetëm përmes tenderomanisë, sepse nuk ka dikaster qeverisës që nuk keqpërdoret dhe si rezultat sot kemi një ekonomi me zhvillim të ulët, papunësi të lartë, po ashtu mirëqenie të ulët, ndërsa në anën tjetër kemi shtim të pasurive të pushtetarëve që në asnjë llogari ekonomike nuk mund t’i arsyetojnë”, theksoi Kadriaj. “Sot, Kosova vetëm fizikisht ekziston në Evropë, sepse logjika perëndimore ende është larg në Kosovë, pasi kemi vetëm formalisht institucione, të cilat e mbulojnë krimin e organizuar”, vijoi më tutje ai. Sipas Kadriajt, pa e dhënë dritën e gjelbër, kjo mafio-oligarki nuk mund të nënshkruajë kontrata të tenderit, nuk mund të sigurohet një vend pune apo ndonjë shërbim nga institucionet relevante që veprojnë në Kosovë.

Talli në xhepat e pushtetarëve

Fundamenti

“Është për t’u habitur se përse Prokuroria e Kosovës nuk po heton asnjërën nga kontratat që bëjnë kompanitë e mafiooligarkëve në projektet kapitale që paguhen qindramiliona euro nga buxheti i shtetit”, potencoi Ragip Guraziu për “Kosova Sot”

Edhe analisti Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot” se çdo vit rreth 700 milionë euro para të tatimpaguesve shpenzohen në tenderë për investime dhe kalojnë nëpër duart e zyrtarëve të inkriminuar e të kapur të prokurimit, nga nëntoka dhe pushtetarët e lidhur me nëntokën,si në nivelin komunal po ashtu edhe në atë qendror. “E ka shkatërruar Kosovën tenderomania kriminale, që përmes krimit të organizuar, ku çdo vit zhvatin miliona euro para të tatimpaguesve, të cilat po shpenzohen në tenderë për investime kapitale,mallra dhe shpenzime kot së koti”, vlerësoi ai. “Botërisht dihet se një përqindje e madhe e këtij 700 milionëshi çdo vit po ashtu përfundon në xhepat e kontot e politikanëve,zyrtarëve të prokurimit dhe nëntokës së krimit. Veç saj, duhet të kemi parasysh se këtu nuk duhet llogaritur paratë që po zhvaten përmes homologimit të Devollëve, që për 10 vjet e kanë plaçkitur popullsinë në Kosovë, apo rasti i kompanisë “ZMobile”, që lindi si një produkt i krimit të organizuar, ku pa asnjë investim fitohen qindra- miliona për nëntokën e shumë të tjera”, vijoi më tutje Guraziu. Sipas tij, në të gjitha këto raste këtu kemi të bëjmë me një niveli të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në prokurim, ku tenderët i marrin vetëm ata që paguajnë tallinryshfetin për pushtetarët dhe mafiooligarkët e inkriminuar.

Tenderët, burim i pasurimit të paligjshëm

“Shuma prej 700 milionëve mbase është e vogël, kur të merren për bazë nivelet e korrupsionit me tenderizëm, kemi një situatë shumë më të rëndë në fushën biznesore, në treg dhe në çështjet e tjera ekonomike”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot”

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Dardan Grapci tha për “Kosova Sot” se është për keqardhje se si pushtetarët tanë u bënë pasanikë me fondet publike përmes tenderëve. “Andaj, lirshëm mund të themi se tenderomania është forma dhe mjeti kryesor i zhvatjes dhe i keqpërdorimit, si dhe të kriminalitetit në Kosovë, i cili ka zënë vend shumë të theksuar në jetën ekonomike të shtetit tonë. Sepse, fenomeni i tenderizmit tashmë është shndërruar në një mjet të vjedhjes, ngase nuk ka vend e nivel, deri edhe në shkolla dhe në ambulanca, në çerdhe, madje edhe në letër ku nuk vidhet. Andaj, në këtë formë është futur në jetën biznesore edhe fenomeni i tenderizmit si formë e fitimit”, potencoi ai.

“Falë këtyre tenderëve, janë politikanët, biznesmenët dhe pushtetarët që janë shndërruar në njerëz më të pasur në vend. Kjo, ngase në çdo tender që kalon nëpër rrugët joformale nuk mund të kalojë pa e dhënë përqindje të veçantë ose pa i rritur çmimet që sendin e blerë e bëjnë me çmim astronomik në krahasim me çmimin e tregut”, tha më tej Grapci.

“Andaj, vetëm pavarësia e Kosovës është e pamjaftueshme për të arritur mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit, derisa shpërdoruesit e aseteve publike dhe të parave të qytetarëve qëndrojë pa asnjë frikë në institucionet e Republikës”, theksoi Florim Rudhani për “Kosova Sot”

Nga ana tjetër, eksperti Florim Rudhani thotë për “Kosova Sot”, se derisa nuk po instalohet si duhet shteti ligjor që nga pas lufta, janë me miliona euro investime kapitale që u keqpërdorën nëpër tenderët milionësh. “Kjo na tregon se nëpërmes tenderëve dhe në emër të investimeve kapitale po bëhen të gjitha keqpërdorimet dhe korrupsioni galopant dhe nuk është e rastësishme që si në nivelin lokal dhe në atë qendror zënë vend kryesisht investimet në infrastrukturën rrugore, sepse në këto raste po ka mundësi të keqpërdorimeve të mëdha të parasë publike, e ku çmimet për ndërtimin e rrugëve janë të nivelit evropian, ndërsa kualiteti i tyre nuk është në shumë raste as i nivelit ballkanik dhe kjo tregon më së miri keqpërdorimin e mjeteve publike, sepse rrugët tona qëndrojnë sa një mandat zgjedhor, pra cilësia e tyre është e dobët”, u shpreh Rudhani. Sipas tij, ka shpresë se Qeveria “Haradinaj” do të përfundojë edhe procesin e privatizimit si dhe do të përplotësojë dhe do të ndryshojë edhe Ligjin e Prokurimit Publik, që prokurimi t’i nënshtrohet një transparence të plotë, duke filluar që nga fazat e vlerësimit e deri te vendimet përfundimtare dhe ankesat në Organin Shqyrtues Prokurimit Publik.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.