Fundamenti

Oligarkët e uritur e kalbën shtetin

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Duke pritur 10- vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit, analistët politikë konstatojnë se Kosova akoma nuk po arrin ta tejkalojë fazën e vështirë të tranzicionit, për shkak të murosjes së thellë të politikës së inkriminuar në pushtet.

Sipas analistëve, politikanët e Kosovës, pozitë dhe opozitë, si ne nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, janë aq të dehur nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar edhe kriminalisht, dhe kurrë nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen e largohen nga karrigia e pushtetit të inkriminuar. Këta dëshirojnë të qeverisin e të sundojnë si mbretër e autokratë të një vendi dhe nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të keqqeverisin e të sundojnë deri në pafundësi! Lakmia për uzurpim të shtetit e të pushtetit pafundësisht, nuk i lejon ata që të binden e të largohen nga karriget fitimprurëse, e që në këtë garniturë politike i kemi gjithë ato figura, të cilat iu janë bërë tepër monotone e irituese edhe vetë qytetarëve pa dallim. Sipas njohësve të këtij realiteti, motivi i vetëm i këtij pozicionimi është korruptimi përmes krimit të organizuar nga ata, dhe vetëm përfitimi i inkriminuar material, arsyeja që shumë figura edhe kriminale politike në Kosovë duan të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet e deri në pafundësi, ose deri në qelitë e burgut, që i pret nga ligji për të bëmat e tyre kriminale ndaj shtetit dhe qytetareve të nëpërkëmbur. Në shumë vende ky tranzicion është tejkaluar me protesta masive, paqë- sore kundër degradimit shtetëror dhe abuzimit me pushtetin, model që mund t’i imponohet edhe Kosovës, por për Kosovën si shtet i ri dhe me kulturën qytetare që kemi, analistët kërkojnë që këto ndryshime të ndodhin me një veprim demokratik, me ndëshkim vote, duke vlerësuar seriozisht vlerën dhe kontributin e secilit, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, por edhe në të tri shtyllat e pushtetit, deri te sistemi i drejtësisë, i cili, si çdo institucion tjetër, është tërësisht në duart e mafio-oligarkëve të politikës dhe nëntokës kriminalebiznesore.

Pushteti krijoi klientelën

Politologu Gurakuç Kuçi pohon se vetë qëndrimi i gjatë në mizori dhe vetëm në ndërrimin e mizorive nga stadi i armiqve të jashtëm në stadin e mizorisë së “miqve” të brendshëm krijon ndjesi të pafuqisë në popull dhe humbje të shpresave edhe për ndryshime të shpejta. Madje, ai thotë se kjo gjendje në Kosovë po prodhon edhe shoqëri shumë të rrezikshme. “Që nga pas lufta është konsoliduar pothuajse një klasë e njëjtë politike, e cila e mban forcërisht pushtetin, duke e bërë Kosovën një shtet rentier. Buxheti i Kosovës, mbi 1 miliard euro, mbushet nga Doganat. Ndihmat e huaja, remitencat dhe mbushje të tjera të buxhetit, jo drejtpërdrejt nga qytetarët, e bëjnë Kosovën shtet rentier dhe pushtetin të ndarë nga llogaridhënia qytetare. Pastaj pushteti nëpërmjet punësimit militant në administratën publike ka krijuar një klientelë dhe klasë mbrojtëse, të cilët nuk janë kundër pushtetit, sepse do të humbnin pagat dhe vendet e tyre të punës që nuk bëjnë asgjë dhe këtu janë mbi 90 mijë të punësuar, që i bie rreth 90 mijë familje”, u shpreh ai. “Nëse i llogarisim me mesataren e banorëve për familje na del klasa mbrojtëse e shtetit rentier dhe pushtetit uzurpokrat. Këtu janë edhe elementët e jashtëm, të cilëve u konvenon ta mbajnë në pushtet një klasë të shantazhueshme, për të shtyrë përpara qëllime të caktuara. Gjitha këto e bëjnë Kosovën një korporatë aksionare vetëm për politiken”, tha politologu Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot”.

Politikë makiaveliste

Sipas analistit politik Arsim Haziri, pushteti përbën arsyen kryesore pse politika jonë është e dhënë skajshmërisht pas tij. “Subjektet, rrjedhimisht përfaqësuesit e tyre, aq shumë janë të lidhur pas pushtetit, sa janë në gjendje të marrin çfarëdo masa vetëm për të qenë sa më afër, tamam kanë ndërtuar në rrugëtimin e tyre ngjyrim-mendësi makiaveliste. Në disa përjashtime, kjo politikë shfrytëzon pothuaj të gjitha mjetet, ndikimin politik, politizimin e skajshëm të institucioneve, instalimin e rrjeteve nëpër çdo subjekt e organizatë të caktuar, vetëm që të ndërtojnë terren akoma më shumë për t’i prekur produktet e pushtetet. Krejt problematika qëndron te populli i gjorë, i cili pothuajse vazhdimisht ka qëndruar i heshtur, duke ua krijuar mundësinë sërish subjekteve që janë sinonim i degradimit sistematik të institucioneve publike, mesin e tyre edhe shoqërinë”, tha Arsim Haziri për “Kosova Sot”. Ai shton se kohën e fundit popullit ka filluar të zgjohet nga gjumi. “Populli ndëshkimin, sa për t’ua rikujtuar subjekteve politike për degradimin që e kanë bërë, ua dha edhe përmes procesit zgjedhor, mirëpo çka përbën mundësi fundamentale rreth kundërshtimit të kësaj situatë pa ekonomi dhe shtet funksional do të ishte ngritja e masave në formë të protestave, si e vetmja mundësi për t’i lëkundur themelet e pushtet kriminal dhe të sistemuar për të lëshuar produkte vetëm për sistemin mafioz”, potencoi ai. “Pjesa dërmuese e deputetëve janë me të kaluar të dyshimtë dhe që nuk mund të mbrojnë e të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, si dhe nuk prodhojnë e mbështesin ligje që shkojnë në favor të prosperitetit social, përgjithësisht avancimit të shtetit”, vijoi më tutje Haziri. Sipas tij, ligjet nuk zbatohen, ndërsa gjyqësori shërben në mënyrë të pandashme për t’i burgosur kundërshtarët politikë si dhe për të mos gjykuar figurat, të cilat ndikojnë në zbatimin e planeve të padrejta.

United Hospital

Liderët privatizuan partitë

Analisti politik Ali Hertica tha se gjatë gjithë historisë së filozofisë, vija që ka ndarë rrymat filozofike ka qenë përplasja ndërmjet shkollave materialiste dhe idealiste. Ai thotë se një përplasje e tillë nëpër shumë vende po ndodh edhe sot në periudhën e zhvillimeve post-moderniste të shoqërisë, e me çka karakterizohet në veçanti eshë shteti i ri i Kosovës. “Mënyra se si po pozicionohen liderët e partive politike në Kosovë, qoftë pozitë apo opozitë, duke u shndërruar në figura të pazëvendësueshme dhe pa konkurrencë në drejtimin e subjekteve të tyre si mbretër autokratë, madje duke i shndërruar ato gati në prona private, si ata në pozitë dhe në opozitë, shihet nga politika si një sjellje e njerëzve të dehur nga pushteti dhe për pushtet, nga lakmia për t’u pasuruar, qoftë edhe kriminalisht, që kurrë nuk dëshirojnë të bien, e as të ndahen nga karrigia e pushtetit”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo ka bërë që të ndodhë edhe futja e korrupsionit dhe krimit në administratë, në polici, në prokurori, në gjykata, deri edhe në arsim e në shëndetësi ka bërë çrregullim të madh në vend. “Atë nuk e përmirëson procesi i ri zgjedhor, por vetëm zbatimi i ligjit, hartimi dhe zbatimi edhe i ligjit antimafi . Sidoqoftë, na duhet të konstatojmë se deri më tani Kosova nuk po shkon në drejtim të formimit të shtetit ligjor, por në drejtim të kapjes së pushtetit për interesa e korrupsion financiar të klaneve dhe klientelave të ngushta kriminale, të lidhura me subjektet politike me ndikim. Ky lloj mentaliteti është tek ata që kurrë nuk e kanë pasur vullnetin e shtetit dhe interesin e zhvillimit të shtetit sipas kërkesave të popullit, por vetëm se si të pasurohen, prandaj edhe është shumë e pritshme që qytetari të vetëdijesohet dhe këta mbretër të politikës një ditë të afërt do të jenë të dënuar keq, sikur që kanë qenë shumë shembuj të ngjashëm edhe në vende të tjera në tranzicion, ku shteti është në duar të mafisë oligarkike të politikës dhe nëntokës”, potencoi për “Kosova Sot” analisti Ali Hertica.

Tranzicioni i vështirë

Analisti Skënder Mulliqi konsideron se Kosova i ka të gjitha potencialet intelektuale e profesionale, që ta kalojë më shpejt fazën e tranzicionit, por vetëm nevojitet vetëdijesim më i madh dhe presion qytetar, duke përdorur formën më demokratike, që është ndëshkimi meritor me votë. “I kemi të gjitha resurset njerëzore e natyrore, që shumë më shpejt ta kalojmë fazën e tranzicionit, e cila nuk po ka mbarim. E patëm rastin që të mbretëronte harmonia, uniteti, puna e ndershme për shtetndërtim dhe mirëqenie. Kjo nuk ndodhi, sepse në skenën tonë politike u paraqitën lakmitarët për të përvetësuar çdo të mirë materiale. U plaçkit pasuria shoqërore pamëshirshëm, pa marrë parasysh se kush erdhi në pushtet. Jemi duke bashkëjetuar me dukuri negative, të cilat i kanë stopuar të arriturat ekonomike, e kanë stopuar standardin e mirë të jetës, i kanë ndaluar proceset demokratike, po mbesim gjithnjë e më shumë të vetmuar dhe të izoluar nga bota demokratike”, u shpreh ai. “Republika është duke përjetuar rrathët e Dantes. Po sillemi në rrethin vicioz, që shumë kohë pa ide dhe pa dije, që të dalim një herë e mirë nga kriza ekonomike dhe kriza politike. Në skenën tonë politike, si në qeveritë e deritashme ashtu edhe në Parlament, patëm gjithë farë analfabetësh potencialë, të cilët kanë ardhur aty për t’i realizuar objektivat e tyre për pasurim të pafund. Nuk jemi duke e dhënë provimin para miqve tanë ndërkombëtarë, se dimë dhe dëshirojmë të bëjmë shtet si na ka hije. Po vlen ligji i më të fortit, sikur në ish-sistemin komunist”, theksoi për “Kosova Sot”, Skënder Mulliqi.

Sipas tij, edhe mënyra e qeverisjes është duke u bërë më logjikë, më shumë antidemokratike, prandaj duhet bërë më shumë, që ta konsolidojmë shtetin.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.