Ndërmarrja Publike “Dardana” pajiset me mjete të reja në vlerë prej rreth 40 mijë eurosh
Kamenicë – Ndërmarrja Publike “Dardana” në Kamenicë është pajisur me makineri dhe mjete të reja pune, me vlerë prej rreth 40 mijë eurosh, me qëllim zgjerimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili së bashku me anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes dhe përfaqësues të stafit ka parë nga afër pajisjet e reja që tashmë janë në dispozicion të ndërmarrjes.
Në kuadër të pajisjeve të siguruara përfshihen multikultivatorë me pajisje shtesë, mulçerë, plugje, spërkatëse dhe kosa për traktorë, shpërndarëse plehu, cisternë, si dhe një kombi me korpë.
Sipas kryetarit Rahimaj, investimi synon rritjen e efikasitetit të ndërmarrjes dhe krijimin e mundësive për ofrimin e shërbimeve të reja për qytetarët. Ndër të tjera, pajisjet pritet të përdoren edhe për mirëmbajtjen e ndriçimit publik.
Rahimaj ka theksuar se që nga themelimi i Ndërmarrjes Publike “Dardana” është punuar në zgjerimin e veprimtarisë dhe rritjen e kapaciteteve të saj, me synimin që ajo të jetë më funksionale dhe më shumë në shërbim të qytetarëve të Kamenicës.
Investimi në pajisjet e reja synon gjithashtu lehtësimin e punës së punëtorëve dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve që ofron ndërmarrja publike./rajonipress/


