Pse Prokuroria Speciale frikohet nga mafio-oligarkët
Mafio-oligarkët e inkriminuar mbesin për shume vite të pacenueshëm e të paprekur nga ligji
Pse Prokuroria Speciale frikohet nga mafio-oligarkët KORRUPTUES DHE ZYRTARËT E INKRIMINUAR?
DËSHTIMI I PROKURORISË SPECIALE NË LUFTIMIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT
“Prokurorët nuk dinë me kë të merren, dhe në fakt nuk janë mësuar të merren me njerëz të pushtetit dhe as të oligarkisë ekonomike, andaj për këtë arsye nuk ka luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi thjesht nuk është krijuar kjo traditë dhe duhet që dikush ta nisë këtë punë, pra duhen heronj, e një të tillë ende nuk ka. Edhe mediet nuk kanë arritur të nxjerrin e avancojnë dikë, ta zëmë ndonjë prokuror të guximshëm me etikë e integritet profesional, që ka nisur një betejë të tillë, andaj nuk i kanë dhënë përkrahje, kështu që mjerisht edhe nuk mund të presim që të ketë ndryshim pozitiv në këtë aspekt”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.
Mafio-oligarkët e inkriminuar mbesin për shume vite të pacenueshëm e të paprekur nga ligji
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në mbledhjen e fundit të KPK-së ka kërkuar hapur para KPK-së dhe medieve që prokurorët duhet detyrimisht të kenë prioritet rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku të përfshirë janë persona e zyrtarë të lartë të shtetit e me pozita të larta. Ai insistoi që këto raste të mos presin e mbeten gjatë në sirtarët e prokurorëve, siç ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot. Në këtë mbledhje të organit më të lartë prokurorial, Lumezi nuk i kurseu kritikat konkrete ndaj Komisionit mbikëqyrës për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, prej të cilit kërkoi që të kërkojnë nga prokurorët dhe kryeprokurorët, prokurorive, që t’i gjejnë se cilat lëndë kanë prioritet dhe të shkohet drejt zgjidhjes së tyre të shpejtë e pa hezitim. Së këndejmi, analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë shtruar çështjen se a po mbeten lëndët e korrupsionit dhe krimit te organizuar në sirtarët e Prokurorisë Speciale, siç e pranoi edhe vetë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në mbledhjen e KPK-së. Për atë se përse prokurorët nuk denjojnë të merren fare me krimin e organizuar dhe korrupsionin, i cili e ka kapur çdo institucion shteti, prej nivelit komunal, me prijës Komunën e Prishtinës, e deri tek niveli qendror, që janë të lidhur me mafio-oligarkët dhe kush duhet të detyrojë prokurorët e Prokurorinë të veprojë në zbatimin e ligjit, duke bërë të gjitha hetimet serioze dhe pa frikë nga askush, flet shkrimi në vijim.
Ndikimet e politikës nuk do të ndalen
Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se së pari duhet të kompletohet Prokuroria, ndërsa e dyta lëndët në sirtarë, që mbahen dhe janë mbajtur, e disa duket të jenë heshtur, duhet të dalin mbi sipërfaqe, duhet të ketë një transparencë më të madhe të këtij institucioni. “Edhe pse kryeprokurori duket të ketë vullnet për të shtyrë përpara, nuk e besoj që do të arrijë qëllimin, sepse mund të ketë vështirësi dhe ndikime në të gjitha anët të natyrës politike, pra nuk mjafton vetëm vullneti, por edhe angazhimi dhe përkrahja e të gjitha institucioneve në luftën kundër korrupsionit, tenderomanisë, monopoleve të paligjshme. Pasurimi pa bazë dhe numri i madh i rrjeteve kriminale vështirë se mund të thyhen nga organet e rendit pa një qeverisje tjetër se kjo që është në vend, e cila ka paralizuar shtetin e së drejtës, me shumë parregullsi, krim të organizuar dhe probleme të shumta”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani.
Prokurorëve u mungon guximi
Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka veçuar se prokurorët nuk kanë guxim në radhë të parë dhe e dyta nuk kanë traditë, derisa siç tha “ata kanë burgosur dikë ose kanë ngritur aktakuzë ndaj dikujt, të cilin fillimisht partia e ka përjashtuar prej radhëve të veta”. Sipas tij, kjo është tradita e Prokurorisë sonë. “Kur dikush është përjashtuar prej lidhjes së komunistëve, tek atëherë ka nisur që të merret Prokuroria me të, e tash meqenëse derisa nuk ka përjashtime nga partia, ata nuk dinë me kë të merren dhe nuk janë mësuar të merren me njerëz të pushtetit edhe për këtë arsye nuk ka luftim të korrupsionit, pasi thjesht nuk është krijuar kjo traditë dhe duhet që dikush ta nisë këtë punë, pra heronj të tillë nuk ka, edhe mediet nuk kanë avancuar dikë, ta zëmë ndonjë prokuror, që ka nisur një betejë të tillë, nuk i kanë dhënë përkrahje, kështu që edhe nuk mund të presim që të ketë ndryshim në këtë aspekt”, spikati për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.
SHUMË FJALË, E FARE PAK VEPRA
Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se këto fraza janë duke u përsëritur në vazhdimësi, duhet, duhet, por që, sipas tij, ky (Lumezi) nuk është politikan, por personi kyç përgjegjës i akuzës. ” Pse nuk fillon me ndërmarrjen e masave, ku është llogaridhënia, ku janë shkarkimet, ku janë masat disiplinore? Fjalë boshe dhe vetëm për marketing, mjaft më me komisione, koordinatorë e pozicione të shpikura. Të gjitha këto pozicione bëhen për të krijuar mjegull e për të mos punuar asgjë, rriten shpenzimet dhe zvogëlohen rezultatet. Do të propozoja që të gjitha këto të zhbëhen dhe t’iu kthehet organizimi ligjor, tri nivele të prokurorive dhe tri nivele të gjykatave, asgjë tjetër. Llogaridhënie dhe transparencë, vazhdim kontrate për të suksesshmit, ndërsa shkarkime për sabotuesit”, u shpreh Hasan Preteni nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet.
ZYRTARËT T’I KRYEJNË DETYRAT E TYRE
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se prokurorët dhe gjyqtarët, pra bartësit e funksioneve gjyqësore të drejtësisë, organeve të drejtësisë i dinë obligimet dhe përgjegjësitë e tyre, dhe se ato janë të përcaktuara taksativisht me ligjet në fuqi, si është ligji për gjykatat, ai për prokuroritë dhe ligjet e tjera derisa, siç tha, prandaj nuk ka nevojë që dikush t’ua përkujtojë çdoherë në ndonjë mbledhje ceremoniale ose edhe zyrtare me karakter pune, pra t’ua tregojë detyrat dhe prioritetet që duhet t’i kenë. “Dihen prioritetet, ku është prioritet që kërkohet nga brenda dhe jashtë i çdo qeverie dhe do të duhej të ishte prioritet i secilës qeveri, edhe i kësaj të tanishmes, që të luftohet krimi i organizuar dhe format më të rënda të kriminalitetit, në radhë të parë, dhe veprat e tjera, të cilat kanë të bëjnë me cenimin e të drejtave dhe lirisë qytetare, që kanë të bëjnë me pasurinë, dinjitetin, integritetin, etj.”, u shpreh ai. “Prandaj, është mirë që herë pas here bartësit e institucioneve përkatëse, si në rastin konkret, t’i përkujtojnë vartësit e tyre se çka duhet të bëjnë, mirëpo unë mendoj se kjo është detyrë e përhershme dhe e përditshme e secilit bartës të funksioneve përkatëse në drejtësi, që ta bëjë detyrën me prioritet, me përgjegjësi dhe efikasitet të plotë, dhe kjo është ajo që nënkupton edhe ngritjen e përgjegjësisë, zvogëlimin e mosefikasitetit, pra zvarriten e lëndëve, ndaljen e procesit të parashkrimit të lëndëve të ndryshme cilado lëndë qofshin ato”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar, Mazllum Baraliu.
(Kosova Sot)


