ARKATANA

Xhevat Alia – mësues i parë në shkollën e Roganës

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Nga Xhavit Kryeziu – SHFMU “Metush Krasniqi” e Roganës (ish Rogaçicës) më 22 maj të këtij viti kremtoi 72 e vjetorin e fillimit të mësimit në gjuhën shqipe e mësues i parë i kësaj shkolle ishte mësuesi shëmbëlltyrë – Xhevat Alia. Themelimi e rrita e kësaj shkolle është e lidhur me jetën e angazhimin e pakursyer të mësuesit Xhevat.

Xhevat Aliu, mësuesi i parë i Shkollës fillore të fshatit Roganë, u lind në Gjilan, më 5. 8. 1921. Rrjedh nga një familje e varfër punëtore. Gjatë Jugosllavisë së Vjetër kishte vijuar mësimin në Gjilan, në gjuhën serbe e pastaj ndoqi mësimet në Shkollën e Mesme Teknike në Shkup, kurse në vitet 1941-1943 vazhdoi mësimet në gjuhën shqipe në Shkollën Normale – gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Në arsim, së pari kishte filluar të punojë gjatë okupimit në Hogosht të Kamenicës, në vitin shkollor 1943/44 që është njëra ndër shkollat e para me mësim në gjuhën shqipe që ka punuar gjatë LDB në hapësirën territoriale të kësaj komune. Gjatë punës në shkollën e Hogoshtit u shqua, jo vetëm në procesin edukativo-arsimor, por edhe në aktivitete të shumënduarshme shkollore e shoqërore, në të cilat shprehej ndjenja e atdhedashurisë dhe bashkimit kombëtar.

Ai me rastin e festave të ndryshme, por sidomos për Festën e Flamurit, përgatiste me nxënës e të rinj programe kulturore-zbavitëse, si pika humori, këngë, recitime e të tjera e që shfaqeshin me sukses para nxënësve dhe prindërve. Kishte prirje dhe aftësi që së bashku me nxënësit të angazhohej në zbukurimin e ambientit shkollor e lokaleve ku realizohej programi kulturo-zbavitës.

Ai porosiste nxënësit që të visheshin me rroba solemne, me rroba kuq e zi, me këmishë të kuqe e kravatë të zezë. Me angazhimin e tij arriti në Hogosht një shoqëri kulturore e artistike nga Gjilani për të shfaqur një program festiv e që për nxënësit e prindërit e këtij mesi ishte një sensacion i vërtetë për atë kohë dhe i mirëpritur nga të gjithë.

Pas LDB, sikur kudo tjetër, edhe në Roganë jeta ishte e vështirë, nuk kishte rrugë, as mjete të transportit publik, as shitore, as restorante ku mund të ushqehej mësuesi, ku afër 90% e popullatës ishin analfabet.

Për ta siguruar ushqimin mësuesit i doli në ndihmë imami i xhamisë së fshatit- Hafiz Shefki Kallaba, një adhurues i shkollës dhe dijes duke e ftuar për çdo ditë në odën e tij në kohën e caktuar (tregon ish nxënësi i gjeneratës së parë të vijuesve e tash edhe ky veteran i arsimit- Remzi Morina nga Hodanoci). Për punën e zellshme e me përkushtim në procesin e mësimdhënies flasin me admirim nxënësit e tij dhe prindërit e tyre. Ai ishte mësues shembull, por i shkonin përdore edhe hartimi i rregulloreve e akteve normative juridike të shkollës. Posedonte aftësi profesionale dhe organizative edhe në aktivitet e shumta shoqërore.

Që nga viti 1945, kur edhe fillon punën me mësim në gjuhën shqipe, Shkolla fillore në Roganë, ai punon në këtë shkollë. Mësimi zhvillohej në ndërtesën e komunës së Roganës, e cila është ndërtuar në vitet 1942-1943, me angazhimin e intelektualit të atëhershëm e aktivistit të dalluar- Xhavit Padina nga fshati Desivojcë. Nxënësit që vijonin mësimet aty ishin të moshave të ndryshme. Qëllimi ishte që të përfshihen sa më shumë nxënës, andaj në klasën e parë të kësaj shkolle, për herë të parë me mësim në gjuhën shqipe, ishin përfshirë nxënës që nga mosha 7 e deri në 14 vjeçare, pa dallim gjinie.

ARKATANA

Fillimi i mësimit në gjuhën shqipe në Shkollën e Roganës, për dallim nga shkollat tjera ka një specifikë, se në vitin shkollor 1945/1946 mësimi fillon njëkohësisht në katër klasa. Në klasën e parë regjistrohen ata që nuk dinin shkrim-lexim, ndërsa në kl. II, III e IV regjistrohen ata që dinin shkrim-lexim ose ata që kishin vijuar mësimet në qendra të tjera, varësisht nga shkalla e njohurive që zotëronin mësimet. Kështu që ka raste që nxënësi ka mbaruar klasën e katërt të fillores brenda këtij viti shkollor, megjithëse numri i tyre është i vogël.

Mësuesi Xhevat ishte njeri intelegjent dhe i dashur për mjedisin. Për atë, prindërit dhe ish nxënësit e tij (Hamid Kryeziu, Jahi Thjaçi e shumë të tjerë), edhe sot shprehin simpati të madhe, sepse kishte dije, shkrim e sjellje shembullore. Ishte edhe njeri me ndjenja patriotike. Gjatë punës së tij edhe në Shkollën e Roganës ishte në kontakt me njerëz që nuk e përgëdhelnin as ish pushtetin e Jugosllavisë së vjetër, por edhe as këtë të Jugosllavisë së pasluftës. Andaj edhe vazhdimisht shoqërohej me, përveçse disa të tjerëve, edhe me Qemal (Musa) Kallabën, i cili ishte anëtar i NDSH-së, ishte burgosur në fund të vitit 1946.* (Dr. Sulltane Kojçini-Ukaj:((”Kuadri arsimor shqiptar në Kosovë në shënjestrën e sigurimit shtetëror (1945-1952),” Instituti i Historisë, Prishtinë, 1997, f. 209).

Në vitin 1948 mësuesi Xhevat, lidhet me mësuesin Hasan Dylgjerin, i cili ishte i burgosur si informbyroist, dhe tash gjendet në punë të dobishme shoqërore. Në këtë kohë Xhevati përjashtohet nga partia, pasi kishte marrë pjesë në një banket te Hasan Dylgjeri dhe kishte përkrahur familjen e tij …

Xhevati, që nga viti shkollor 1947/1948, e hapi Progjimnazin në Lypjan, në të cilin jepte mësim deri në vitin 1953 dhe ishte drejtor aty. Vlerësimet për atë nga njerëzit “kompetentë” të arsimit ishin negative. Sipas tyre “Ai si drejtor i gjimnazit dhe si punëtor arsimor nuk kënaq. Ka kualifikime të duhura, por nuk angazhohet. Nxënësit e gjimnazit ku ai është drejtor, kanë botëkuptime të prapambetura e të gabuara, siç janë mohimet që të angazhohen në kooperativa bujqësore, sepse aty “vdiset nga uria” dhe se “Tito vetëm flen dhe asgjë nuk punon”. Këto qëndrime janë të dëmshme kudo që të dëgjohen e lëre më në shkollë. Ndaj të gjitha këtyre dukurive Xhevati nuk ka ndërmarrë asgjë. Madje, ai jashtë shkolle asgjë nuk punon dhe nuk merr pjesë në organizata masive, ai shoqërohet me Salih Shabanin e Hasan Rexhepin, mësimdhënës në Lipjan, të cilët nuk janë njerëz të mirë.
Mendojmë se Xhevati duhet të pushohet nga puna” – shkruan në librin e saj Dr. Sulltane Kojçini- Ukaj*. ( Vepra e cituar më parë).

Në vitin 1955 shkoi me detyrë në Kumanovë, ku e hap klasën e pestë fillore me mësim në gjuhën shqipe. Udhëtonte me biçikletë prej Gjilanit në Kumanovë dhe, më 1955, vdiq aksidentalisht në një fatkeqësi komunikacion, duke u bërë kështu martir i arsimit shqip.

Po duhet të thuhet edhe diçka për vdekjen e mësuesit Xhevat. Atëherë, kur pësoi aksident fatal në rrugë, ai ishte në trotuar, kur u godit nga automjeti, nuk i shkoi mendja askujt të dyshojë në atë aksident se mund të jetë diçka tjetër. As për vdekjen e Shukri Jakupit (1926-1980) nga Desivojca, njeri me tri fakultete të kryera në Lubjanë e Stamboll, profesor i Gjimnazit në Prishtinë më 1952, kur humbi jetën në Stamboll në një aksident trafiku nuk i shkoi mendja askujt që të dyshojë se a mos ishte vdekje e kurdisur. Po vdekja e oficerit të lartë e me perspektivë, e ligjëruesit në Universitetin e Prishtinës, Ismail Maliqit, në Zhabar të Malit të Zi, më 1988, kur ishte duke shkuar në pushime verore në Ulqin, pasi u godit nga një veturë, mbetën të vdekur Ismaili e djali i tij pesëvjeçar- Iliri. Kjo u trajtua si vdekje e dyshimtë, e përgatitur dhe e porositur nga dikush e kjo aq më tepër kur vozitësi i veturës që shkaktoi vdekjen, pas shërimit u zhduk diku pa adresë. Pra, lind dyshimi se edhe vdekja e mësuesit Xhevat mund të ishte atentat, vdekje me porosi. Nuk dihet se a u ngrit fare ndonjë fletëpadi ndaj shkaktarit të këtij aksidenti me fatalitet.

Po aksidenti i trafikut që ngjau më 3 tetor 1999, afër Llazarevcit, në Serbi ku një kamion goditi veturat e Vuk Drashkoviqit- politikan e shkrimtar në Serbi, mbetën të vdekur 4 persona e disa të lënduar. Ky rast më nuk u trajtua si aksident trafiku, por si atentat me automjet me qëllim të likuidimit fizik të njerëzve, pra, si vdekje e përgatitur dhe e porositur nga dikush. Kështu doli në opinion, doli në sipërfaqe, se paska ekzistuar edhe një formë tinëzare, perfide për eliminim fizik të personave që ishin në shënjestër të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror e duke kamufluar krimin si aksidente trafiku. Pra, duke përfunduar në mënyrë analoge del edhe përfundimi se edhe vdekja e mësuesit të parë të shkollës së Roganës, mësuesit Xhevat, mund të ketë qenë e qëllimshme. Ky dyshim është edhe aq më shumë, kur dihet se emri i mësuesit, Xhevat, ishte në listën e UDBA-s që përcilleshin, survijoheshin e persekutoheshin nga ana e pushtetit disa nga mësimdhënësit shqiptarë.

Jeta, puna e angazhimi tij në procesin edukativo-arsimor mbetet i paharruar në kujtesën e nxënësve e të prindërve të shkollës së Roganës dhe në çdo përvjetor me nderime e respekt përkujtohet jeta dhe vepra e tij nga ana prindërve të shkollës së Roganës, që tash ka më se 300 nxënës, me nderime e shumë respekt./rajonipress/