Fundamenti

Një drejtor për TV e Kosovës

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Baton Haxhiu – E kam përdorur edhe një herë një shembull të keq për gazetarinë dhe ndikimin politik.

Një flamur partiak qe ishte i vendosur mbi tavolinën e ish-kryeredaktorit dhe ish drejtorit të televizionit publik të Maqedonisë – mikut tim të gazetarisë. Ai dhe shembulli i tij më tregonte më së miri për nivelin e kontrollit politik në mediat elektronike publike dhe shtetërore të Ballkanit. Kur e kam pyetur atëherë, pse ky flamur mbi tavolinë, përgjigja e tij ka qenë: “Partia më ka vendosur në këtë post”. Këtu dhe pas këtij konstatimi përfundon biseda për gazetarinë dhe profesionin e tij.

Por nuk është vetëm Maqedonia në këtë gjendje të gazetarisë. I tërë spektri medial në Ballkan është i përfshirë me këtë sindromë të flamurit në tavolinë që simbolizon lojalitetin ndaj partisë, e jo qëndrueshmërinë ndaj profesionit.
Ndërkohë, për institucionin e RTK-së ka plot diskutime, editoriale, shkrime dhe thashetheme. Por profesionalizmi i këtij institucioni shumë herë është më i bindshëm se sa shkrimet sipërfaqësore që dalin herë pas here për RTK-në.

Në RTK prej kohësh është ndarë torta e këtij institucioni. Dhe, natyrisht, flamujt partiak janë të shpërndarë gjithandej. Nuk janë flamujt të ngulitur mbi tavolina por kuptueshëm janë prezentë dhe kujdesshëm të influencueshëm. Ndikimi në RTK nuk është brutal por është konstant. Dhe kujdesi fillon që nga postet e deri të rekrutimi personal i gazetarëve. Ky është model që udhëhiqet prej kohësh ndaj këtij institucioni. Por, habit fakti se si është e mundur që ndikimi i këtij institucioni mbetet ende në pikën më të lartë të ndikimit në jetën publike!
Është gati sekret publik që njërin post duhet ta ketë PDK, tjetrin duhet ta ketë LDK kurse rrugës këto dy poste t’i shërbejnë pak edhe AAK-së.

Dhe, ky standard nuk është lajm i mirë sepse liria e mediave në Kosovë dhe rangimi i tyre, kryesisht varet prej nivelit të lirisë që ky institucion e ka në opinionin publik të Kosovës. Ka ardhë momenti që ky trend të ndryshon. RTK ka njerëz dinjitoz dhe profesionist brenda saj. Nuk e kisha nisur shkrimin kështu, me ashpërsinë e fakteve, sikur të mos dështonte konkursi per drejtor të RTK-së dhe në të njëjtën kohë të qarkullonin dhjetëra thashetheme se ka propozime të ndryshme për një drejtor të ri të këtij institucioni.
I konsultova të gjithë emrat që më kujtoheshin në botën e gazetarisë dhe nuk gjeta asnjë që do ta menagjonte më mirë TV e Kosovës se sa disa emra që janë brenda këtij institucioni. Që realisht është lajm i mirë për RTK-në.

Mobi Casa

Janë përmendur emra dhe politikan të cilët do të dëshironin të hynin në garën për drejtor të këtij institucioni dhe kur dëgjova se kush janë ata që mund të vinë si drejtor, dy gjëra mu kujtuan: Historia e mikut dhe kolegut tim që kishte vendosur flamurin partiak mbi tavolinë.
Për çështje etike nuk dua të përmend emra dhe kandidatë që janë për drejtor të TVK-së, por, po ndodhi, rastësisht, që ndonjëri prej tyre që e kam ndërmend dhe po përflitet, vjen në krye të këtij institucioni nuk e mohoj dridhjen time se mund të kemi hatanë mediale dhe një vizion një partiak të këtij institucioni i cili mund ta çoi gazetarinë në katastrofë.

Emrat e përmendur, disa prej tyre, janë pa kriter editorial dhe profesional të qëndrueshëm, të cilët nëse asgjë tjetër në një mënyrë a tjetër kanë përçudnuar dhe inflatuar rolin e mendimit kritik në proceset e ndërtimit të gazetarisë televizive.
Ky është alarm që duhet të nxehë edhe vetë shtresën mediale, që ende prodhojnë diçka profesionale në RTK. Për faktin e vetëm se nëse zgjidhet dikush i pamerituar, pikërisht ata do të jenë viktimë e kësaj përçudnie mediale, të krijuar si pasojë e shumësisë së dëshirave për ta kapë këtë institucion në dorë.

Në logjikën e atyre që lexojnë këta rreshta, do të tingëllojë se unë qenkam kundër konkursit dhe tregut të lirë, të shprehjes dhe konkurrimit të lirë, si dhe kundër lirisë së ndërrimit të drejtorëve dhe konkurseve.
Po, ata që konstatojnë një gjë të tillë do të kishin të drejtë sikur problemin ta trajtojnë thjesht në mënyrë dogmatike – pra, vetëm nga aspekti i të drejtës për të konkurruar në emër të lirisë së fjalës, profesionit të gazetarisë, menaxhimit dhe tregut të lirë. Por, nga aspekti profesional dhe ligjor, si dhe biznesit, nuk mund të kenë asnjë justifikim për një llojllojshmëri emrash në shkallë vendi, kur përmbajtja dhe CV-ja e tyre ka një ngjashmëri të hatashme. Përveç dëshirës për të marrë TV publik për çështje partiake ose klanore. Prandaj, nuk shoh asnjë arsye që kjo lloj politike të mos lirohet nga konceptet frymënxënëse, ku shkronjat fjalët dhe presionet përdoren si dhëmbë e jo si vlerë komunikimi.

Atë që unë u mundova ta them është po ai INTERES PUBLIK, që do duhej mbrojtur dhe artikuluar nëse nuk dëshirohet të abuzohet në mënyrën më flagrante që është parë deri sot në hapësirën mediale. Po të ishte puna për një TV privat, me siguri se nuk do e merrja ngenë të shpenzoja kohë për një shkrim. Por jam i vetëdijshëm se sa e rëndësishme është susta e Tv publik. E sidomos në dorë të kujt mund të bie.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)