Guximi i një rrëfimi në Beograd
Nga Blerina Rogova Gaxha – Luftërat krijojnë legjenda, por edhe legjendat luftëra, thonë. Dekada më e tmerrshme në jetën time dhe në jetën e gjithë atyre kosovarëve që kanë lindur para të nëntëdhjetave, është ndërtuar mbi tërmete e mbi dhjetëra pranvera plot gjak. Dhjetë vjet kohë nuk ishin as të parat as të fundit, por dhimbja e tyre do të shtrihej përjetësisht në kujtesën e secilit. Dekada mizore, politike e historike, do të përbëjë themelin e shumë prej nesh.
Kufijtë e padukshëm të kontradiktave që krijojnë mendësinë ballkanike dhe ankthi i luftës së tyre me vetveten nuk lejojnë dhe kushedi edhe për sa kohë s’do të lejojnë krijimin e taborit të përshtatshëm të përballjes. Prandaj një ekspozitë në kryeqytetin serb, që shpërfaq një histori të dhimbshme shqiptare, do të çojë peshë mediat në Serbi. “Bogujevci, histori vizuale: Homazhi për familjet dhe viktimat e luftës” çoi gazetarët dhe historianët në frontin e luftës, duke akuzuar se ekspozita është provokim dhe propagandë brutale.
Qëllimi, thonë realizatorët, është të tregohet e vërteta jo vetëm për familjen Bogujevci, por edhe për familjet tjera në gjithë Kosovën. Ndërkaq, ata që e ka mbështetur këtë aktivitet, thonë se qëllimi është i qartë: nxitja e dialogut publik në Serbi për të vërtetën, llogaridhënien dhe kërkimin e drejtësisë për të gjitha viktimat e pafajshme të luftës. Por çfarë mund të ndryshojë historia e 14 anëtarëve të vrarë të familjes Bogujevci në mars të vitit 1999, me këtë ekspozitë në Qendrën e Kulturës në Beograd? Katarsis…! Sensacioni që çoi disa nga kritikët në front lufte, dhe në shtrimin e shumë pyetjeve, janë po aq idiote dhe po aq të vërteta sa ajo e vërteta se Ballkani është “sfinksi” që buzëqesh me ironi.
Ku është esenca e hapjes së një ekspozite, nëse ajo duhet të bëhet nën masa të rrepta sigurie? Policia serbe do të kujdeset që ta mbrojë midis Beogradit rrëfimin e një masakre të kryer mbi shqiptarët. Ironike po ashtu. Edhe e pabesueshme deri diku.
Edhe pse arti di të marrë detyrën, tmerrësisht të thjeshtë e të vështirë, që të përballet me secilën tabu, historia e shqiptarëve me serbët do t’i tmerronte edhe vetë ata që e kanë shënuar. Dhe, ndonëse ajo që një artist mund të bëjë me veprën është e pamëshirshme, po aq e pamëshirshme siç kishte qenë lufta ndaj shqiptarëve të Kosovës në dekadën më të tmerrshme të historisë së re.
Kufijtë e padukshëm të kontradiktave dhe vështirësitë ideologjike të dala nga tragjeditë, tash për tash kanë mbetur të pakalueshme.
Nënat e etërit fëmijëve sot nuk u flasin për luftën, për atdheun, apo për çështjet e mëdha kombëtare. Por fakti pse kjo copë toke edhe sot quhet një ‘tokë baruti’, flet për sa të ndryshëm jemi. Historia, si ajo që po kallëzohet në qendër të Beogradit, rri në shpinën e secilit. Duhet kohë, vite e ndoshta dekada, për t’u parë në sy me njëri-tjetrin.
Edhe në shekullin e ri kemi mbetur po aq të ndryshëm dhe po aq të papajtueshëm. Prandaj, përpjekjet për integrimin kulturor e politik duket të jenë një “mission imposible”. Të paktën jo deri atëherë sa njerëzve të tokës që ata e quajnë “Kosmet” t’u kërkohet falje për tmerrin dhe zinë.
Ballkani, siç me përkëdheli e quajnë tash Evropa Juglindore, vazhdon të jetë po ai i njëjti, një rajon i vështirë për t’u kuptuar.
Prandaj, dhe përtej një ekspozite, një takimi ndërmjet shkrimtarësh dhe filozofësh, një debat ndërmjet pushtetarësh dhe politikanësh, komisionesh e matrapazësh, konflikti shqiptaro-serb, akoma është tejet i papajtueshëm.
Është i tillë, sepse për kaq shumë vite nuk ka ndryshuar mënyra e të menduarit të popujve të hasmëruar. Dhe prandaj arti nuk mund të shfaqet akoma, as në Serbi po as në Kosovë dhe jo pa grykën e pushkëve. Nuk kemi as vetëdije e as ndërgjegje, për t’u njohur edhe për një kohë. E guximshme nisma për ekspozitë në Beograd!


