Rrugët tona të përgjakura
Rrugët e Kosovës po përgjaken gjithnjë e më shumë. Numri i aksidenteve të trafikut sa shkon e rritet nga viti në vit. Edhe pse shumë gjoba shqiptohen nga policia e trafikut, shoferët assesi të mbushen mend dhe t’i respektojnë rregullat e trafikut dhe shenjat e komunikacionit. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës të cilat i ka siguruar “Zëri” sivjet të gjitha llojet e aksidenteve kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar.
Pas analizimit të të dhënave për periudhat janar – tetor të vitit 2012 dhe atyre të vitit 2013 të të njëjtës periudhë kohore, del se përkundër rritjes së numrit të gjobave të shqiptuara nga policia e trafikut, është rritur edhe numri i aksidenteve, shumë nga ta fatkeqësisht me pasoja fatale apo edhe me të lënduar rëndë e lehtë, disa nga të cilët mbesin edhe invalidë të përjetshëm.
Sipas Policisë së Kosovës faktori kryesor për shkaktimin e këtyre aksidenteve janë shoferët dhe pakujdesia e tyre në vozitje.
“Faktori njeri (shofer), është një nga shkatarët më të shpeshtë që kanë kontribuar në aksidente, përmes kundërvajtjeve që kryesisht kanë të bëjnë me manipulim të pasigurt me automjet, mosmbajtja e distancës mes mjeteve, mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës si dhe kyçja e pasigurt në rrugë” thuhet në një pronocim të zyrës për informim të policisë për “Zëri”.
Si edhe në shumëçka tjetër, me numrin më të madh të aksidenteve prin kryeqyteti. “Numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur në rajonin e Prishtinës pasi që ky rajon ka territorin më të madh dhe frekuentimin më të madh të veturave” është shprehur Sabrije Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.
Sipas saj faktorët tjerë potencial për shkaktimin e aksidenteve të trafikut, siç janë moti, gjendja teknike e automjeteve e të tjera, nuk kanë dëshmuar të jenë një shkaktar i vërejtshëm i aksidenteve të komunikacionit.
“Faktorët tjerë kontribuues të aksidenteve, si faktori njeri (këmbësorët) , gjendja teknike e automjetit, infrastruktura rrugore dhe faktorët klimatik, të reshurat, moti i keq etj. Nga drejtoritë rajonale të Policisë nuk kemi pranuar të dhëna të evidentuara se këta faktorë janë shkaktarë të shpeshtë të aksidenteve ” është shprehur Kamberi.
Në periudhën janar – tetor të vitit të kaluar si pasojë e aksidenteve në trafik kanë vdekur 97 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti kanë vdekur 100 . Njëkohësisht si në vitin paraprak ashtu edhe gjatë kësaj periudhe të sivjetme si pasojë e aksidenteve të trafikut vdekjen kanë gjetur nga 31 këmbësorë.
Aksidentet me lëndime poashtu janë rritur këtë vit në krahasim me vitin e kaluar pasi nga 3835 aksidente që lanë 7152 persona të lënduar, 850 prej të cilëve këmbësorë, këtë vit në të njëjtën periudhë kanë ndodhur 4107 aksidente që kanë lënë të lënduar 8111 persona, 1020 prej të cilëve këmbësorë.
Pashtu aksidentet me dëme materiale kanë shënuar një rritje krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa aksidentet “Godit dhe ik” kanë shënuar një rënie të lehtë.
Numri i përgjithshëm i aksidenteve në periudhën janar – tetor të vitit të kaluar ishte 16478 ndërsa i këtij viti gjatë të njëjtës periudhë është 16 731.
Pohimin se shoferët janë fajtorët kryesorë për shkaktimin e aksidenteve në trafik e vërtetojnë edhe llojet e gjobave të shqiptuara nga policia e trafikut.
” Përqindja më e madhe e gjobave kanë të bëjnë me mos respektimin e shpejtësisë së kufizuar, pastaj gjobat për parking të pa rregullt, drejtim i mjetit pa patenë shofer, mos respektim të shenjave të komunikacionit rrugor, si dhe mos përdorimi i rripit të sigurisë” ka deklaruar zëdhënësja Kamberi.
Sipas saj, Policia e Kosovës vazhdimisht ka punuar në vetëdijësimin e opinionit me theks të veçantë të pjesëmarrësve në komunikacion me fushata të ndryshme duke publikuar informacione lidhur me rregullat e komunikacionit, por efekti nuk duket të ketë qenë i dëshirueshmi.
Policia thotë se, sido që të jetë, shoferët duhet të kenë kujdes të shtuar, e sidomos gjatë kohës së dimrit, kur kushtet e rrugëve nuk janë optimale për vozitje, e hiç më hiç për vozitje më shpejtësi të madhe, sepse përveç rrezikimit të vetes, secili shofer duhet të mendojë edhe përgjegjësinë që mbart në rast të aksidentimit edhe të dikujt tjetër, gjë që përbën vepër penale./zeri/


