Uji Dea

Pesëfishimi i pagave në MF

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ibrahim Rexhepi – Si ndodhi që buxheti i Ministrisë së Financave në mot të jetë 245 për qind më i lartë se sivjet dhe pse 45 milionë euro duhet të ruhen si “kontingjent për paga” .

Nëse nuk hyjmë aq thellë në detajet e projekt-buxhetit për vitin 2014 atëherë çështja e parë që bie në sy është rritja e shumës së parave që do të ketë në dispozicion Ministria e Financave – 245 për qind. Duke analizuar më tutje, del se shuma nuk është rritur me qëllim të zhvillimit ekonomik, apo forcimit të investimeve, por këtu janë “mëshefur” rreth 60 milionë euro të emërtuar si “kontingjente për paga” dhe “kontingjent për financimin e ish të dënuarve politikë”. Dhe, këto dy “kontingjente” ndikojnë që totali i pagave të kësaj ministrie të ngritët nga 12,6 milionë euro sa është sivjet, në 58 milionë euro në mot, kurse ai i subvencioneve të fryhen edhe për 15 milionë euro!

Rritja kaq e madhe e këtij zëri buxhetor është befasuese. Por, edhe më shumë se kjo është zbulimi i “kontingjenteve” si nënkategori që nuk ishte e pranishme në dokumentet e viteve të tjera. Kjo ka edhe domethënien e vet – Qeveria e Kosovës në sirtarët e MF-së ka “mëshefur” një sasi të parasë, e cila është e rezervuar për financimin e disa destinimeve, të cilat ende nuk kanë marrë formën e ligjit, apo të vendimeve qeveritare – rritjen pagave dhe kompensimin ish-të dënuarve politik. Pra, këtu para janë konservuar dhe po ruhen për një moment të caktuar. Kjo mënyrë e krijimit të kontingjenteve deformon pamjen e përgjithshëm të buxhetit, meqenëse totali i parave të mundshme për paga tash nuk del se është 483 milionë euro, por 438 milionë euro, ose vetëm tre milionë euro më shumë se ajo që ishte ndarë në vitin 2013. Ndërkaq, mbetja në “kontingjent” është pak më shumë se 10 përqindëshi i totalit dhe ai debllokohet në momentin kur kryeministri nënshkruan vendimin për rritjen e pagave. Ta zëmë, nëse kjo ndodhë pas qershorit, atëherë për të gjithë punëtorët në administratën shtetërore rritja mund të shkoj deri në 20 për qind. Se sa është e madhe kjo shumë duhet të përkujtojmë në vitin 2011 pagat mesatarisht u rritën afër 25 për qind, pa marrë parasysh se ndonjë kategori kishte përfituar rritje deri në 50 për qind.

Është për habi se pse një pjesë e parave që duhet të shpenzohen për paga mbahen në “kontingjent”, posaçërisht kur dihet se më herët nuk ka pasur ndarje të këtilla? Qëllimi është i qartë. Së pari që 45 milionë eurot e konservuara nuk mund të jenë të shpenzueshme që nga fillimi i vitit. E dyta, që duke i përfshirë ato në shumën totale të pagave rritja të duket më kapitale në krahasim me vitin 2013. E treta, që kryeministri të ketë duart e lira që vet të përcaktojë momentin se kur do të nxirret vendim për rritje të pagave.
Vështruar në përgjithësi, buxheti i vitit 2014 me asnjë element nuk është zhvillimor. Madje, këtë epitet nuk ia heq “kontingjenti” i MF-së, por filozofia e tij është sociale dhe konsumuese. Në total, në mot, krahasuar me vitin 2013 shpenzimet do të jenë vetëm 0,3 për qind më të larta. Nga ana tjetër rritja vërehet te të gjitha kategoritë shpenzuese: pagat – 11,1 për qind, mallrat e shërbimet -12,1 për qind dhe subvencionet -4,9 për qind. Por, krejt kjo rritje mbështetet te reduktimi i shpenzimeve kapitale, të cilat në mot do të jenë për 90 milionë euro më të vogla. Shprehur në shumë monetare, rritja te tri kategoritë e tjera të shpenzimeve është plotësisht e barabartë me zvogëlimin e shumës te shpenzimet kapitale. Kjo ka ndikuar që edhe pjesëmarrja e shpenzimeve kapitale në totalin e shpenzimeve të bie nga 39,6 për qind sa është sivjet, në 34 për qind në mot.

Fundamenti

Ndryshimi ndërmjet këtyre shifrave mund të duket normal, meqenëse sivjet përfundon njëri prej projekteve më i kushtueshëm , ai i autostradës Vërmicë – Besi, për të cilin sivjet duhet të paguhen 243,6 milionë euro, apo 141,6 milionë euro më pak se që kërkon në mot autostrada tjetër, ajo Prishtinë Hani i Elezit. Ky ndryshim krijon hapësirë që të intervenohet në sektorët e tjerë, kryesisht te standardi i punëtorëve dhe i përfituesve të tjerë nga arka e shtetit. Kjo qasje ka vetëm dy shpjegime- e para, bëhet për të ruajtur qetësinë sociale, dhe, e dyta, është investim në elektorat, përkatësisht në votën që mund të duhet në mot, në zgjedhjet nacionale.

Këto dy shpjegime tregojnë qartë se zhvillimi është neglizhuar, përkatësisht se pos investimeve në infrastrukturë, kjo qeveri nuk ka ide të tjera. Ndërkaq, ende lëngon energjetike, e cila kapacitete prodhuese nuk i ka rritur për asnjë megavat, krahasuar me vitin 1990, pastaj, sipërfaqet nënë ujitje janë më të vogla se në vitin 1990, në rrjetin e ujësjellësit janë të lidhura vetëm 60 për qind të familjeve kosovare, po aq edhe me rrjetin e kanalizimit, por jo edhe me stabilimente për trajtimin ujërave të zeza… Prandaj, nevojat e popullatës janë shumë më të mëdha se asfalti.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)