ARKATANA

Liria e fjalës, guximi intelektual dhe përgjegjësia intelektuale

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ardian Gjini – Liria e fjalës është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Dikush më shumë e dikush më pak, e gjithë gjenerata të cilës i përkas unë, ka luftuar për të garantuar lirinë e fjalës. Kjo liri është një mjet i fuqishëm në duart e publikut, të medias dhe të botës intelektuale. Është mjet i fuqishëm i një shoqërie për vendosjen e themeleve dhe ndërtimin e shoqërisë demokratike moderne, është padyshim një ndër elementet më qenësore të saj. Për shkak se në botën reale, numri i njerëzve që mund ta përdorin lirinë e fjalës masivisht dhe efektivisht është i kufizuar te gazetarët, opinionistët, akademikët, politikanët dhe disa të tjerë, duhet të flasim për përgjegjësinë që e bartim si posedues të këtij mjeti kaq të fuqishëm, kjo vlen posaçërisht për opinionistët që lexohen nga një numër i madh i njerëzve.

Duke qenë se kemi vendosur, me të drejtë, që përgjegjësia penale të jetë tepër e kufizuar, mu për shkak të garantimit të asaj lirie, duhet detyrimisht të flasim të paktën për përgjegjësinë intelektuale të atyre që e kanë në dispozicion një platformë për t’u shprehur, qoftë ajo media, foltore e Kuvendit apo tjetër. Thjesht thënë, intelektuali është për nga natyra skeptik. Të kuptuarit e pafundësisë së dijes e bën atë skeptik.

Ai i shqyrton faktet, nuk e dëgjon kurrë vetëm njërën palë, rrallë jep vlerësime definitive. Edhe në rastet kur “ia nin zemra” se diçka është e vërtetë, prapë i shqyrton faktet. Në fakt shumë rrallë “ia nin zemra” se a përbën diçka truizëm. Intelektuali nuk shfaq shenja të dijes aksidentale.

Kohëve të fundit mediet janë mbuluar me debatin rreth Deklaratave të Fatos Lubonjës për luftën dhe për individë të spikatur të luftës. Dhe komuniteti intelektual dhe medial është ndarë në dy grupe kryesore. Në ata që e mbrojnë të drejtën për t’u shprehur lirshëm dhe në ata që besojnë se lufta është e shenjtë dhe nuk duhet fare t’i përmendim defektet e mundshme. Për mendimin tim të dyja grupet kanë mbetur larg përgjegjësisë intelektuale që na imponon liria e fjalës. Guximi intelektual, pa përgjegjësi intelektuale është sharlatanizëm. Në një debat televiziv, njëri prej gazetarëve më të mirë të Kosovës e pyeti bashkëbiseduesin: ku po e din ti zotëri që Fatos Lubonja është udbash. Pyetja ishte me vend por përgjigja nuk më kënaqi. Prita që përgjigjja të ishte kështu: nëse Lubonjës po “ia nin zemra” që një udhëheqës i luftës është kriminel, edhe mua “po ma nin zemra” që Lubonja është udbash.

UBT

Lubonjës “po ia nin zemra” sepse faktet që intelektuali i merr parasysh e thonë të kundërtën që e thotë ai. Gjykata e Hagës, zyrtarisht ka konfirmuar se asnjë dëshmitar në rastin Haradinaj nuk është vrarë. Gjykata zyrtarisht ka konkluduar se z. Haradinaj nuk i ka kryer veprat për të cilat e ngarkon aktakuza, PËRKUNDRAZI, ka shumë dëshmi se e ka bërë pikërisht të kundërtën.

Lubonja e ka lexuar librin e Carla Del Pontes. Edhe ajo ka deklaruar ashtu. Nëse e ndjekim logjikën e përgjegjësisë intelektuale, edhe asaj “ia ka ni zemra” se Haradinaj është fajtor. Pasi nuk ka gjetur fakte, ka thënë: e di disi se ky njeri është fajtor por nuk po mund ta vërtetoj. Më tej ka filluar të gënjejë se dëshmitarët janë zhdukur, vetëm e vetëm për ta relativizuar dështimin e vet.

Lubonja e ka lexuar Del Ponten, dhe mirë ka bërë. Por ka rënë në testin e intelektualit sepse nuk i ka lexuar të paktën transkriptet e të dy fjalëve përmbyllëse në procesin në Hagë. Janë publike! Një prej arsyeve pse thotë ashtu mund të jetë se ia ka “dashur zemra” të jetë ashtu. Uroj të jem gabim! Por nëse Lubonja i ka dy burime informacioni, Del Ponten, që ka qenë prokurore e rastit, dhe gjyqin, që ka qenë i paanshëm dhe ai vendos t’i besojë të pares, po detyrohem të mendoj kështu. Fundi i fundit, nëse ai e ka lirinë t’i besojë Del Pontes, unë kam edhe më shumë të drejtë, edhe intelektualisht edhe moralisht t’i besoj gjykatës. Në rastin më të mirë, Lubonja et al po dështojnë intelektualisht.

(Autori është nënkryetar i AAK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)