EULEX-i
Nga Xhemal Ahmeti – Jo vetëm ca nga komandantët dhe kriminelët urrejnë EULEX-in, por edhe grupacione tjera të rëndësishme të shoqërisë. Se të korruptuarit e kanë aversion këtë institucion të ligjësisë, është fare e natyrshme. Madje propaganda negative e disa organizatave me pakicë pas vete rezulton efektin kundër asaj çka synojnë: përforcojnë bindjen edhe te të pavendosurit se, megjithatë, pa EULEX-in nuk bën. Dhe se nuk do të ishte mirë pa të edhe një kohë të gjatë.
Përderisa gjer më tani as edhe manifestimet plotë vaj, ulërimat dhe akuzat më të horrorshme të miqve të të akuzuarve për krime nuk arritën as të iniciojnë ndonjë çekuilibrim në strukturën gjeologjike të perceptimit kolektiv kosovar për EULEX-in, muajve të fundit një front tjetër, më pak i zhurmshëm dhe perfid korr suksese në këtë drejtim. Ose më konkretisht: një aleancë rrymash, ideologjish dhe doktrinash fitojnë terren në diskreditimin dhe atë jo vetëm të EULEX-it. Këtë e sqarojmë më vonë. Të shohim se ç’bëri dhe bën EULEX brenda demokracisë dhe shoqërisë kosovare.
HISTORIATI – As edhe një vit nuk ka mbetur për t’i përfunduar mandati. Ashtu siç erdhi edhe do të rrijë: pozat e politikës kosovare se mund të vendosë për ikjen apo mbetjen e EULEX-it në Kosovë janë edhe më pak bindëse se kërcënimet Tomit se gjatë serialit të radhës do ta gëlltisë përfundimisht Jerryn.
Vendimi i Bashkësisë Evropiane për instalimin e EULEX-it në Kosovë ka një kauzalitet dydimensional: I pari është ai publik dhe institucional që është edhe i elaboruar konkretisht në nenin 3, alinenë d, i cili thotë se do të “asistojë” në të gjitha fushat e mundshme që kanë të bëjnë me shtetin juridik. Ndërsa dimensioni i dytë është arsyetimi “intern” (sidomos karshi kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës) që zotohej se ky institucion do të ishte faktori i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e pakicave, për të cilat mendohej se ishin të rrezikuara me shfarosje. Frika se kosovarët mezi prisnin t’i “masakrojnë vrasësit e tyre të dikurshëm” doli kot. Fatmirësisht. Dhe ky sukses nuk shkon gjithaq në konto të prezencës së faktorëve të huaj në vend, por është një meritë e qytetërimit të kosovarit të sotëm. Organizatat e huaja të sigurisë disa herë deri tani dëshmuan live edhe në Kosovë se luftën e kanë specialitet, por jo edhe ruajtjen e paqes – Veriu flet edhe kur fle!
Problemi më i madh që EULEX solli me vete në Kosovë është pikërisht neni 3, al. d, respektivisht fjalia e parë “ensure that cases of war crimes …”. Në bazë të cilit ligj? Atij që atëherë kur bëhej lufta nuk ekzistonte fare? Paradoksi: Nëse EULEX ka ardhur për të ndihmuar në kuadër të Ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, atëherë ai nuk mund të dënojë apo organizojë padi për një kohë kur ato nuk kanë ekzistuar fare. Për kësisoj rastesh si juridikisht më efektivët deri sot kanë rezultuar instancat ndërkombëtare gjyqësore – si Tribunali i Hagës për shembull. Prandaj nuk gabojnë shumë analistë dhe ekspertë të ligjësisë kur konstatojnë se pikërisht kjo aline është burimi i konfliktualitetit ndërmjet vendorëve dhe profesionistëve të EULEX-it.
Fushatat – Ekstremët e së majtës e shohin këtë institucion si përfaqësues të neokolonialistëve me qendër në Bruksel. Religjiozët (islam) e interpretojnë si sinjifakt të një të keqeje më të madhe, sepse pas logos së këtij institucioni “demaskojnë” fabrikën që prodhon me tonelata kulturë të huaj, perëndimore, asaj që quhet “Evropa si projekt i krishterë”, pra të një indoktrinim masiv që bllokon ecurinë, zhvillimin e kombit të plisave për në rrugën e drejtë, drejtë kiblës. Teori tragjikomike si këto, kur ato gjejnë podiumin aq të populluar si në Kosovë, mund të shpijnë vërtet jo vetëm tek një hasmëri ndaj një institucioni të caktuar, por edhe më keq: ato prodhojnë madje në të njëjtën kohë më shumë se urrejtje të shenjuar, ksenofobinë dhe racizmin.
Kur kemi parasysh këto grupe si dhe divizionin e të korruptuarve që operojnë të përbashkuara në simbiozë, atëherë pa ndonjë mundim pranojmë EULEX-i mos të jetë i privilegjuar, por nën presion të dyfishtë: nga shoqëria ku vepron dhe nga shefat që nuk njohin terrenin.
DIAGNOZA – EULEX vërtet nuk ka pasur shumë sukses në materializimin dhe finalizimin e tepër padive që ka ngritur ndaj klaneve, personave dhe rrjeteve mafioze që veprojnë në Kosovën e pasluftës, mirëpo është meritë e këtij institucioni që megjithatë arrestohen edhe të paarrestueshmit – në krahasim me vendet rajonale – dhe luan një rol tejet konstruktiv në sensibilizimin e masave për rëndësinë e funksionimit të shtetit juridik. Dhe dënon aty ku ne ia mundësojmë, mjaft edhe kështu. Pasi që shoqëritë ballkanike ende pjesërisht funksionojnë semifeudalisht, institucione si EULEX duhet të kërkohen e jo t’iu numërohen ditët kur të shporren. Siç thamë edhe më lart: më mirë që ende nuk munden qeveritë tona të vendosin se kush duhet të jetë e kush jo në mesin tonë.
*(Në këtë seri kolumnash do të analizohen institucionet dhe organizatat shtetërore, shoqërore, civile dhe publike si qeveria, institucionet ndërkombëtare, partitë, OJQ-të, mediet, komunitetet fetare, odat ekonomike, grupet e interesit e të ngjashme. Vlerësimi ka këtë sistem: KOT – për akterët që janë sa për të qenë. GROPË – për organizatat destruktive, veprimtaria e të cilave bllokon, retardon ose pengon progresin shoqëror dhe URË – për subjektet me karakter kompetitiv dhe që – edhe me gabimet e mundshme – kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe përparimin e shoqërisë.)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


