Baton Haxhiu
Nga Xhemal Ahmeti – Çdo luftë ka shumë histori. Kjo është njëra prej tyre. Është historia e luftës së Baton Haxhiut në Kosovën e luftës, atë të pavarësisë dhe lirisë politike.
Fundmars i vitit 1998. Zyrat e shtabeve qeveritare perëndimore që studionin situatën në Kosovë u përngjanin më shumë krematoriumeve të letrës sesa qendrave të analizës. Nga raportet e shumta sekrete, qeveritare, legale, ilegale, librave dhe gazetave të turmëruara mezi ua gjeje kokën specialistëve. Përveç zërit të minitelevizorëve që belbëzonin pa thënë gjë konkrete, shqisat kapnin vetëm shushurimën e shfletimeve.
“Këta të ‘empire’-t janë të përkryer se si përshkruajnë situatat”, tha njëri nga shefat duke na përplasur një raport të shërbimeve britanike mbi tavolinë.
“Ç’kërkon sëpata e Ahmet Delisë në një raport diskret të diplomacisë britanike?” “Was soll das?” – bëra zëshëm sapo lexova emrin e Baton Haxhiut në raport. Sa herë që kisha analizuar burimet vendore (artikuj nga të cilët plot edhe vetë i shkruaja ne media) këtë emër e dekoroja me shënimin: “pjesëtar grupacionesh që e do Kosovën brenda Jugosllavisë”.
“Po, po të dy i profilon. Të dy, nënën dhe të birin. E sidomos atë Delinë” më tha prerazi burokrati i institutit sapo ia lëshova sytë pa dashur ta konsultoj gjësend. Britanikët, prognozat, sugjerimet dhe përshkrimet e tyre i kishin nisur me një rrëfim të nënës së Baton Haxhiut, mbesës së Ahmet Delisë, asaj që serbët ia kishin djegur gati gjithë familjen, duke ia përanditur ”fisin” në nomadë lokalë. Nëpërmjet sagës së saj, të rirrëfyer nga Batoni dhe këngëve të Bajrush Dodës, britanikët skiconin “rrënjët e konfliktit, urrejtjen historike serbo-shqiptare që zor shuhet pa ndarjen e dy etnive”. Për më shumë raporti që këtej niste analizën e hollë mbi mentalitetin luftarak të UÇK-së, mbi vendosmërinë e bartësve të saj për të marshuar deri në fund.
Që atë ditë nuk pamë më raport britanik, gjerman, amerikan, austriak, suedez, francez ku Baton Haxhiu nuk “fliste”, nuk ndërmjetësonte, nuk shoqëronte, nuk ecte lart-poshtë zyrave e maleve kosovare dhe nuk ishte gjithandej aty nga ku iknin të tjerët. Është Baton Haxhiu ai thirr William Walkerin për masakrën në Prekaz dhe e shoqëron deri atje për t’u përballur me kufomat e pleqve dhe fëmijëve kokëkëputur. Po Baton Haxhiu organizon kontaktet e para në terren me Rohan, Petritsch dhe gjithë të huajve që kërkonin “fantomët” e UÇK-së. Kryeredaktori i “Kohës ditore” organizon kontaktin ndërmjet Qeverisë kosovare në mërgim dhe UÇK në Tiranë.
Proteston dhe bashkë me tjerë viziton Parisin, Londrën dhe qendra të tjera perëndimore për të ligjëruar mbi gjendjen e rëndë në Kosovë. Ai do të jetë burimi dhe mediatori më i besueshëm i perëndimorëve në Kosovën e paraluftës, luftës dhe deri në bombardimin dhe ikjen e serbëve nga vendi. Nga kampet e refugjatëve të Maqedonisë nis gazetën për t’i rilidhur ndër vete shqiptarët e katandisur gjithandej, për t’iu dhënë zë atyre dhe për të vazhduar detyrën e gazetarisë që informon edhe atëherë kur ndër këmbë të ikur toka prej ku mund të raportosh, të bësh gazetë nga Atopia.
S’kemi si mos pyesim: si ka mundësi që njeriu i rritur dhe edukuar me sagën e nënës për Ahmet Delinë dhe sëpatën e tij hakmarrëse të mos jetë sot njëri nga turbonacionalistët më të përdhosur të shoqërisë; pse një njeri, i ati i të cilit, mësuesi, që burgoset e izolohet në çdo rritje temperature politike të Kosovës pranon kërkesën e një kryeagjenti serb për ta takuar atë me Bakallin dhe ta dëgjojë kërcënimin e rëndë të shfarosjes dhe djegies së vendit të tij; çka e ruajti njeriun që më shumë se edhe aktorët e luftës vetë ka qëndruar i stepur para luadheve, oborreve, kodrinave të djegura, me gjak e kufoma civilësh, grash, fëmijësh, me koka të ndara të mos jetë kryekukumi i Kosovës së pasluftës? Si ka mundësi?!
Ku t’i gjejmë përgjigjet? Në psikologjinë komplekse e analitike të Carl Gustav Jung apo më mirë tek neopsikanalistët Horney, Fromm dhe Sullivan ose po përpiqemi ta përshkruajmë Baton Haxhiun nëpërmjet kognitivistëve Kellyn, Mead dhe Heider? Jo? Mos ndoshta na ndihmon Carl. R. Rogers me modelin e tij të psikanalizës humaniste?
KRITIKAT – Edhe Baton Haxhiu është ndër figurat publike që shpesh kritikohen dhe sulmohen. Kritikat dhe akuzat kanë kryesisht këto arsyetime: 1. Si kryeredaktor i gazetës “së Veton Surroit” Baton Haxhiu paska qenë në taborin e atyre intelektualëve kosovarë që ende kacavareshin mureve të jetës jugosllave. 1A. Akuzën e ushqen edhe fakti se Baton Haxhiu ka qenë i përfshirë intensivisht në “subjektin-projekt-politik Veton Surroi” të Shkëlzen Maliqit me kompani. 2. Baton Haxhiu ka pasur lidhje me shërbimet serbe gjersa jorastësisht është gjetur si organizues, ndërmjetësues ndërmjet Mahmut Bakallit dhe korrierit personal kërcënues të Millosheviqit Jovica Stanishiq. 3. Baton Haxhiu me 10 argumentet e tij – edhe të përkthyera e të përhapura gjithandej – në librin e tij “Lufta ndryshe” redukton, madje asgjëson paramendueshëm kontributin e LDK-së në luftën e Kosovës kundër Serbisë. 3B. Këtë dhe anshmërinë me mediet e tij në favor të qeverisë aktuale i bën për shkak të miqësive personale me Hashim Thaçin dhe personaliteteve tjera kyçe të kastës në pushtet. 4. Ka edhe “Kritika” rreth mendimeve dhe ideve të tij edhe pse të rralla; sidomos sish që u publikuan rreth debatit mbi fundamentalizmin islam e të llojit.
FILTRIMI – Ka plotë indikacione që kritika 1 të qëndrojë. Qëndrim ky që ka qenë i një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare së asaj kohe. Është e vërtetë (1A) se Baton Haxhiu – ka pranuar edhe vetë në tekste publike – të ketë qenë pjesëtar i asaj klikës që eksperimentonin me Veton Surroin për ta formuar atë si primat në politikën kosovare. Duket sikur ai, në krahasim me tjerët, i fundit do të pranojë se Vetoni nuk do të gacullojë kurrë aq intelektualitet e zgjuarsi sa për ta djegur veten për të. Sidomos pas ndarjes së Baton Haxhiut dhe Veton Surroit, veçanërisht gjatë polemikës ndërmjet tyre doli sheshit se kush paska besuar aq shumë në Jugosllavinë në shpirtdhënie e sipër e kush ngulte këmbë të legjitimohet UÇK edhe nga mediet dhe fraksionet tjera të lëvizjes shqiptare.
Baton Haxhiu ka organizuar takimin Stanishiq – Bakalli (2). Mirëpo Baton Haxhiu ka organizuar qindra takime me diplomatë të huaj, me UÇK, ka minuar publikisht projekte amerikane, austriake, ruse me direktiva të Fehmi Aganit dhe LDK-së, ka qenë burimi dhe referenca kryesore e të gjitha përfaqësive të huaja në Prishtinë dhe Beograd. Nga kjo rezulton: ose Baton Haxhiu është multiagjenti më i suksesshëm në historinë e spiunazhit ose mentaliteti i akuzuesve në relacion me matematikën, logjikën dhe faktet është për keqardhje. E dyta qëndron padyshim në këtë rast.
Nuk ka asnjë debat televiziv dhe asnjë shkrim publicistik të viteve të fundit ku Baton Haxhiu manifeston njëanshmëri profesionale ndaj Qeverisë ose PDK-së (3) ose ndonjë partie tjetër, ndërkaq në relacione miqësore është me shumicën e hierarkisë së establishmentit politik kosovar e shqiptar (AAK, AKR, PDK, LDK, PS e tjera).
Kritikat ose polemistët fidesitë rreth teksteve, ideve, mendimeve të Baton Haxhiut janë vërtet aq të varfra saqë është humbje kohe të merremi seriozisht me to.
DIAGNOZA- Personaliteti i Baton Haxhiut është kompleks për nga curriculumi por jo edhe për nga motivi dhe natyra e tij njerëzore. Madje ai, instrumentariumi psikanalitik, nuk do të vlente shumë nëse nuk ia njeh historinë, biografinë.
Në gjashtë muajt e fundit – që sa e njoh personalisht primatin e kësaj radhe – kam biseduar me të për të gjetur përgjigjet e pyetjeve të parashtruara më sipër, për të kuptuar se prej nga mori energjinë Baton Haxhiu për të mos humbur ekuilibrin human, intelektual, njerëzor as atëherë kur familja e konsideronte të vdekur; as atëherë kur përleshej me lotët duke tentuar të përbashkojë me sy kokat e këputura me trupat e tyre thertoreve serbe në Drenicë; as atëherë kur gjendej para Tribunalit të Hagës e as sot edhe në situata e rrethe siç shkruan: “ (…) në këtë vend, kam vënë re se për disa gjëra duhet të jesh oportunist, luajal, i pafytyrë, i poshtër, injorant dhe … E kam parë zhvillimin e situatave dhe të njerëzve. Por në asnjë vend si Kosovën nuk kam parë nevojën kaq të madhe të njerëzve që të jenë aq hipokritë dhe pa moral. Kam parë që mashtruesit dhe proserbët të shndërrohen në patriotë më të mëdhenj. Marksistët të bëhen demokratë të pashembullt, spiunët që akuzonin të tjerët për spiunllëk, atë që ishin fshehur në birë të miut të krekosen se kanë luftuar, gazetarët që se kanë parë malin dhe luftën të flasin për luftën…” (Lufta ndryshe, parathënia), por cila është arma mbijetuese e një njeriu me këtë histori?
Baton Haxhiun përvoja, profesioni, jeta e tij e ka bërë atë sot katedrën më të përgatitur diplomatike dhe politike për krizë, luftë dhe paqe që ka jo vetëm Kosova dhe Shqipëria. Kontributi i tij në ndryshimin e qëndrimit perëndimor ndaj kauzës kosovare është aq gjigant saqë edhe vetë atë e alivanos që mos t’u besoj fakteve. Roli dhe përgjegjësia që ka pasur gjatë luftës dhe bërjes së pavarësisë kosovare pa asnjë dyshim se do të vlerësohet dikur edhe nga tjerët.
Ai nuk del mediatori më i suksesshëm shqiptar – ndërmjet subjekteve, politikave – për shkak se ka ndonjë qëllim personal, egocentrik, por sepse ose nuk ka ditë mësojë të urrejë ose ka shpirt të paaftë, pa sensorët adekuatë për përpirjen e së keqes. Ai del ndër publicistët më të kulturuar shqiptarë për shkak se dija dhe universalizimi i tij ecin përherë në konto të një humanizmi konstruktiv, të drejtë, shpesh agresiv, por gjithmonë të arsyeshëm. Intelektual jo vetëm që duhet dëgjuar, por edhe …
URË!
[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë sesa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]


(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


