Fundamenti

Rrezikimi në emër të rrezikut

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Albin Kurti – Serbia nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kjo është pranuar ndërkombëtarisht. Nuk ka asnjë trysni nga asnjë shtet a instancë ndërkombëtare që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Jo vetëm tash për tash, por as për të ardhmen e afërt apo atë afatmesme.

Njohja eventuale që Serbia do t’ia bëjë ndonjëherë pavarësisë së Kosovës përgjithësisht pranohet se është e largët, madje aq e largët saqë s’kemi se si të merremi tani me këtë çështje aspak të ngutshme. Procesi politik i emëruar si ‘normalizim i marrëdhënieve’ midis Kosovës e Serbisë zhvillohet në këtë sfond ku mosnjohja e pavarësisë së Kosovës konsiderohet e trajtohet si një fakt i dhënë (që natyrisht se nuk ndryshohet përbrenda kësaj kornize përderisa e themelon dhe organizon vetë kornizën e bisedimeve ‘normalizuese’).

Rrjedhimisht, ajo që po njihet e pranohet me këtë proces dhe në këtë proces nuk është pavarësia e Kosovës por pikërisht mosnjohja e mospranimi i saj. Për pasojë, drejtimi i bisedimeve është ai i trysnisë mbi Kosovën dhe shqiptarët që të njihet e pranohet Asociacioni a Bashkësia e komunave me shumicë serbe dhe gjithçka që del të jetë e nevojshme për sajimin e saj (si p.sh. Ligji për Amnisti). Kësisoj, Serbisë edhe iu falën krimet edhe iu pranuan apetitet me këtë dialogun politik në Bruksel. Nuk u bë njëra që të mos bëhej tjetra. U bënë të dyja. Mbase, s’bëhej dot njëra pa u bërë edhe tjetra andaj u bënë të dyja.

Serbët që në veri udhëheqin struktura paralele të dirigjuara e financuara nga Beogradi janë bërë ca më bashkëpunues jo vetëm pse kontrollohen nga Daçiqi i cili tash ua kërkon një qasje të tillë, por për shkak se e kanë parë qartë edhe vetë që bisedimet në Bruksel janë në favor të tyre: edhe po amnistohen, edhe po legjitimohen, ndërkohë që fare nuk iu kërkohet ta pranojnë Republikën e Kosovës.

Pra, nuk është në pyetje thjesht autoriteti i Beogradit mbi strukturat shtetërore të tij në Kosovë, por dobia e drejtpërdrejtë që e ndjejnë dhe përjetojnë ato struktura nga marrëveshjet e Brukselit të sendërtuara mbi koncesionet e Qeverisë së Kosovës. Dhe, duke qenë se këto koncesione janë bërë të rregullta pas çdo raundi bisedimesh, po konfirmohet edhe kahja e favorshme e gjithë procesit për strukturat e Serbisë: përfitimet për to nuk janë vetëm të njëhershme por të vazhdueshme. Paralelisht me këtë, Serbia në dialogun politik në Bruksel po e përforcon ndikimin mbi serbët e Kosovës pa u ballafaquar me perëndimin për këtë gjë, për dallim nga koha e Milosheviqit e Koshtunicës kur e ashtuquajtura mbrojtje e serbëve të Kosovës nga Serbia ushtrohej në konfrontim e kundërshtim me BE-në e NATO-n.

Marrëveshja dhe marrëveshjet Thaçi-Daçiq nuk shënojnë kurrfarë fundi të negociatave por lansojnë proliferimin e pafund të tyre. Edhe një raund i ri negociatash nuk do të thotë një raund më pak negociata drejt përfundimit të tyre, por veçse edhe një raund të radhës, edhe një raund shtesë, për edhe më shumë raunde të tilla. Përderisa s’ka rezistencë reale ndaj Serbisë, caqet përcaktohen veçse nga apetitet e Serbisë.

UBT

Prandaj po diskutohet tërë kohën gjithçka që ka të bëjë me Kosovën, brenda saj e rreth saj. Në njërën anë, do të bisedohet për marrëveshje të reja në fusha të tjera. E, në anën tjetër, do të bisedohet për zbatime të marrëveshjeve tashmë të dakorduara. Negociata për marrëveshje të cilave u negociohet edhe zbatimi. Marrëveshje me nga një dyzinë pikash në disa faqe për të cilat mandej kemi interpretime të panumërta e rrjedhimisht edhe negocim të pafund, përkatësisht, negocim të përhershëm.

Jo vetëm ky dialog aktual politik në Bruksel ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, por edhe çdo proces tjetër negociator para, gjatë e pas luftës midis përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë e ka nënshtratin e njëjtë sikurse edhe vetë luftërat në ish Jugosllavi gjatë viteve të ’90-ta: mosgatishmëria e Beogradit që serbët ndokund të jetë pakicë kombëtare.

Popujt e tjerë mund të jenë pakica kombëtare në Serbi, por serbët s’mund, andaj s’pranojnë, të kenë statusin e pakicës askund në Ballkan. Ky është qëndrimi i Beogradit i shndërruar në një princip që dikur organizonte luftërat që shkatërronin popuj të tërë kurse tash po organizojnë paqen që nuk lejon të ndërtohen shtete funksionale. Bosnja dhe Kosova janë dëshmi të tragjedisë që nuk ka përfunduar jo vetëm pse nuk pati drejtësi por edhe për shkak se nuk po mund të ketë as shtetndërtim e as zhvillim. Serbët në Bosnje e kanë Republikën e tyre ndërkaq në Kosovë po e fitojnë Bashkësinë e komunave të tyre.

Nuk i ka Serbia këto qëllime pse serbët janë të rrezikuar në Kosovë, por serbët duhet të shfaqen të rrezikuar në mënyrë që të racionalizohen sadopak qëllimet e Serbisë (duke i rrezikuar asisoj pikërisht shqiptarët e Kosovës). Në vitin 2012, sipas Entit të Statistikave të Kosovës, janë vrarë 31 shqiptarë, asnjë serb dhe asnjë turk. Të gjitha vajtimet për rrezikshmërinë në të cilën ndodhen pakicat i demanton ky fakt.

Problemet themelore e kryesore në Kosovë s’kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike fare, por me mjerimin social, moszhvillimin ekonomik dhe problemet politike me Serbinë hegjemoniste e pushtetin e korruptuar të Thaçit. Po ashtu, gjithnjë sipas Entit të Statistikave të Kosovës, në vitin 2012, 34 veta bënë vetëvrasje në Kosovë.

Prej tyre 32 shqiptarë, 1 serb dhe 1 turk. Sërish shqiptarët kanë bërë më shumë vetëvrasje, në mospërputhje me përbërjen e popullsisë në Kosovë, pasi që dihet se shqiptarët nuk janë 34 fish më shumë sesa serbët e 34 fish më shumë sesa turqit. Mbase e gjithë kjo dëshmon nga pak se si krizat psikologjike (nuk) janë të shpërndara në Kosovë. Në anën tjetër, është interesante qysh më së shumti fatkeqësi në vitin 2012 kanë përjetuar shqiptarët (130) dhe boshnjakët (9) për dallim nga serbët (2), komuniteti RAE (1) dhe turqit (0). Edhe njëherë, thua se luftërat në Ballkan nuk kanë përfunduar ende!