Shuarja si zgjidhje
Nga Ibrahim Rexhepi – Shuarja e një biznesi është problem më i vogël se sa mbajtja në evidencë e afër 125 mijë bizneseve prej të cilave as gjysma nuk janë aktive. Prandaj, likuidimi i subjekteve ekonomike është në funksion të krijimit të ekonomisë së shëndoshë.
Nuk është alarmante pse në Kosovë për gjashtë muaj janë shuar 700 biznese. Sado që mund të duket jo normale, apo edhe anti-zhvillimore, më shqetësues mund të jetë fakti se për këtë periudhë vendi është pasuruar edhe me afër katër mijë biznese të reja. Nga ana tjetër, këto ndryshime nuk lënë shumë gjurmë në evidencat e Administratës Tatimore të Kosovës, meqenëse janë diku rreth 60 mijë biznese, të cilat së paku njëherë kanë deklaruar tatimi, apo se rreth 90 për qind të buxhetit të shtetit e mbushin 100 biznese.
Ndonëse bizneset e reja do të duhej të jenë tregues të shkallës së zhvillimit dhe të rritjes së punësimit, kjo nuk ndodhë në Kosovë. Aktualisht janë të regjistruara 124.770 biznese, ndërsa norma e zhvillimit ekonomik në dy vitet e fundit stagnon ndërmjet 2-3 për qind, ndërsa numri i të papunëve, zyrtarisht, nuk po shënon rritje. Në përmirësimin e tyre nuk do të ndikojnë as ndërmarrjet e reja, meqenëse 99 për qind të tyre punësojnë vetëm nga një punëtorë, e që shpesh ai mund të jetë edhe formal. Ata kryesisht do të punojnë në tregti, meqenëse veprimtaritë prodhuese në vend ende nuk joshin ndërmarrësit.
Nëse kemi parasysh praktikat e vendeve të zhvilluara, do të përballemi me një proporcion që për rrethanat kosovare do të duket paradoksal. Ta zëmë në SHBA një në pesë ide të reja ndërmarrëse ka fatin që të zhvillohet. Të tjerat “vdesin” herët. Po ashtu edhe në Kosovë analizat kanë treguar se stabiliteti në biznes fillon diku pas vitit të katërt të themelimit të një subjektit. Do të thotë se atij i duhet kjo periudhë, sado që është mjaft e gjatë, për akomodim në ambientin ligjor dhe me konkurrencën në treg ( qoftë edhe e egër dhe e paligjshme). Prandaj, sado që nuk ka të dhëna të sakta, zakonisht shuhen subjektet e reja, përkatësisht ato që nuk kanë mundur të krijojnë imunitet ndaj “sëmundjeve të foshnjave”. Dhe shumë më mirë që shuhen, se sa dhunshëm të mbahen në jetë, meqenëse gjithmonë do të jenë barrë për pronarët e saj, apo, në përpjekjet për mbijetesë bëhen problem për tregun.
Nisur nga kjo logjikë, shuarja e subjekteve ekonomike duhet të kuptohet si proces drejt zhvillimit dhe krijimit të ekonomisë së shëndoshë dhe të qëndrueshme, e jo si një dështim me pasoja të rënda. Kjo vërehet qartë kur kemi parasysh se shuarja e 700 biznese nuk u përcoll me pasoja në treg, apo me ndonjë çrregullim të rëndë në funksionimin ekonomisë së vendit. Kjo shifër nuk la as gjurmë në listat e Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve, apo në ato të ATK-së. Vështruar nga aspekti statistikor, atëherë bilanci është shumë i mirë, meqenëse, për gjashtë muaj në evidenca janë 3.300 biznese më shumë. Për fat të keq, kjo është vetëm statistikë, e cila pas vetes nuk sjell rritje e zhvillim, meqenëse, në këtë fazë, ajo më shumë shpreh vullnetin e ndërmarrësve, si edhe përpjekjet, qofshin edhe individuale, drejt gjetjes së zgjidhjeve për ikje nga varfëria.
Nëse kemi parasysh ambientin e përgjithshëm për të bërë biznes, atëherë nuk do të ishte befasuese sikurse numri i subjekteve të shuara të jetë shumë më i madh. Madje, edhe të tejkaloj numrin subjekteve të reja. Mirëpo, nga aspekti ligjor, shumë më lehtë është të regjistrohet një biznes, se sa të shuhet. Që ai të futet në evidencë, nuk është mund i madh. Nuk kërkohen shumë letra, e as para. Ndërkaq, për shuarjen e tij ka procedura të ndërlikuara, procese gjyqësore, pagesë të obligimeve (kryesisht atyre fiskale dhe për shërbimet publike), e ndoshta edhe shitje të pasurisë së ndërmarrjes. Këtu duhet kërkuar edhe arsyen pse është kaq e madhe shpërputhja ndërmjet evidencave të MTI-së dhe të ATK-së. Sipas ligjit, mbajtja e një biznesi në evidencë nuk do të thotë se ai menjëherë duhet të këtë aktivitet biznesor, apo se krijon ndonjë ngarkesë financiare, që mund të jetë problem për pronarët e tij.
Kjo gjendje në regjistra tregon qartë se diçka duhet ndryshuar në ligjet që rregullojnë procesin e shuarjes dhe të likuidimit të një biznesi. Ato duhet të jenë më të thjeshta dhe në funksion të eliminimit të asaj që nuk ka perspektivë dhe që potencialisht mund të krijojë probleme. Që përmes tij të “mbyllen letrat” dhe të spastrohet çështja e borxheve. Prandaj, këtë duhet kuptuar si një proces që dërgon kah një ekonomi e qëndrueshme dhe që ndodhë në secilin vend me ekonomi të tregut dhe të konkurrencës.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


