Hidromorava

Dardhat e kalbura të Lubonjës

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Nga Emin Azemi – Përderisa Lubonja të mos marrë përgjigje të dinjitetshme dhe argumentuese në revistën “Sudosteuropa Mitteilungen”, debati që po zhvillohet në Prishtinë dhe Tiranë do t’i ngjajë një situate që lidhet me notin në ujë të turbullt, ku vështirë ndihmojnë gomat e mbushura me zall në vend të ajrit.

NUK I BIE KULMI DEMOKRACISË NËSE SHPREHIM NDONJË MOSPAJTIM PUBLIK ME LUBONJËN: Po , Lubonjën nuk guxon askush ta kërcënojë, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të pajtohemi patjetër me të. Mospajtimi nuk është kërcënim. Përkundrazi, shprehje e lirë e oponencës qytetare e publike, përjashto ata të cilët përdorin rrugaçërinë si mjet për ta bërë sa më muskuloze joqytetarinë e tyre.

Por, para se t’i qasemi tezave kontraverze të Lubonjës, do të duhej t’i dinim disa premisa që e determinuan intensitetin publik të këtij debati. E para, cili ishte objektivi kryesor i vetë Lubonjës: të nxirrte nga gjysmëheshtja një debat të papërfunduar dhe paprofiluar në Kosovë, apo të detabuizonte (para publikut europian) disa nga temat e ndjeshme që lidhen me luftën e fundit në Kosovë? E dyta, ku fillojnë dhe ku mbarojnë kufijtë e mendimtarisë së lirë përballë procedurave e kanoneve juridike e ligjore? E treta, a është Kosova rregull a përjashtim në trajtesat europiane e botërore mbi nacionalizmin dhe trajtat gjenocidale të politikave ballkanike? E katërta, pse autorët Lindjes ndodh zakonisht të vetëpaguajnë njëfarë tagri etik kalimin nga melankolia ekzotike në një dozë diskursi të sforcuar të vetëviktimizimit, që me çdo kusht ka si kredo intelektuale e krijuese mohimin e rrënjëve dhe prejardhjes?

Nuk i bie kulmi demokracisë apo bryma luleve nëse shprehim ndonjë mospajtim publik me qëndrimet që i shpreh Lubonja ose të tjerët. Fundja, gatishmëria për të pritur kontestime nga ata që nuk pajtohen gjithmonë me ty, është shkalla më e lartë e pjekurisë intelektuale të një elite.

Fatkeqësisht, ka të ngjarë që te ne një tufë njerëzish të kësaj elite (shumicën e të cilëve unë përunjësisht i respektoj) ngandonjëherë e konsideron veten si viktimë e një paranoje të padukshme që ata i ndjek, gjoja nga një bote tjetër misterioze-orwelliane, të cilët, sikur duan paraprakisht dhe arbitrarisht të arkëtojnë pajtueshmëri publike për gjithë ato që i thuan e shkruajnë.

Kontestimi i një teze, i një autori, nuk do të duhej të përkthehet domosdoshmërisht dhe automatikisht si përpjekje për t’ia mbyllur gojën dikujt, madje edhe Lubonjës, siç po e interpretojnë qorrazi disa mbështetës të tij. Nëse mendimi i lirë është vlerë e demokracisë, po aq i virtytshëm dhe i domosdoshëm për njerëzimin është e vërteta, paçka se te ne shpesh kjo e fundit ngel vetëm dekor për përdorje të përkohshme.

MENDIM I LIRË PO, POR ARGUMENTET PREJ AVULLI: Ka shumë të vërteta dhe mendime të drejta edhe në tekstet e atyre që po e mbështesin Lubonjën, mirëpo atje sikur përvijohet një gjuhë e lehtërrëshqitshme në planin e argumentimeve jo gjithmonë të mbështetura në fakte e dëshmi, qofshin ato dokumentare, okulare apo përjetime personale. Aleati më i keq i metodave hulumtuese, që pretendojnë të nxjerrin një përfundim të liruar nga fetishet dhe maskimet, sikundër dihet, është instinkti i mbështjellë me hamendësim.

Fundja edhe mendimi i lirë i ka kufijtë e vet dhe ata nuk përshkohen gjithmonë nga instinkti, hamendësimi apo fantazia krijuese. Ndryshe kjo fushë e paanë e mendimeve të lira ka rrezik ta lodhë aq shumë vështrimin sa një ditë mund të ngelim pa shqisën e të pamurit, kurse avujt imagjinar të na e inhalojnë vetëdijen tonë të deformuar.
Një observim normal human-social apo gazetaresk do të quhej i mangët sikur në vetvete të mos përmbante saktësinë, burimësinë, dëshminë….

AKUZA, SI PRODUKT I DYSHIMIT TË PAARGUMENTUAR: Nuk di si ta quaj komoditetin prej fajkoi të lazdruar një autor, i cili ndonëse i privuar nga të gjitha mundësitë objektive e profesionale për të ekzaminuar një ngjarje që ka ndodhur në terrenin e vështirë të një kohe të rrezikshme, merr mundin e kotë të ngarkojë me faj një person të cilin, gjykata ndërkombëtare, pas disa vitesh ekspertizash juridike, e ka shpallur të pafajshëm.

Pse gazetaria e Lubonjës nuk është treguar e zgjuar të bëj një hulumtim paraprak, siç bëhen gjithkund në redaksitë serioze të botës, dhe dyshimet për vepra të supozuara kriminale, t’ia servoj publikut ato dëshmi për të cilat çdo gjykatë prestigjioze do t’ia hiqte kapelën. A e di Lubonja se në Amerikë jo rrallë ndodh që gjykatat shpallin të pafajshëm personin që ka marr jetë njeriu vetëm në mungesë provash të sigurta për autenticitetin e mjetit që është kryer krimi. Çfarë guximi duhesh të kesh të marrësh një përgjegjësi, kufijtë e së cilës shkojnë përtej një meditimi eseistik, por poshtë çdo standardi profesional e etik?

Pastaj, nuk di si ta kualifikoj superguximin, superkomoditetin dhe supervetëmjaftueshmërinë për të publikuar lista vrasësish të supozuar dhe hamendësuar dhe për këtë të mos mungoj as edhe një qime floku, së paku në kuptimin e një interviste të shkurtër në zyrat e prokurorit të shtetit, çfarë është praktikë e shteteve normale me funksionim normal të arterieve që e bëjnë më të ajrosur një shoqëri normale. Nëse çdo qytetari të Kosovës i teket të publikoj lista vrasësish të supozuar dhe hamendësuar dhe për këtë të mos vuash pasojat e përgjegjësisë morale e ligjore, atëherë i bie që prej tash e tutje të filloj zëvendësimi i gjykatësve me njerëz që hamendjen e kanë instrumentin kryesor të argumentimit, kurse dyshimin – a priori akuzë.

Ka shumë raste që edhe mjekësia nuk gjen zgjidhje për disa komplikime në natyrën shpirtërore e psikike të njeriut, por do të ishte donkishotizëm modern të zëvendësojmë mjekët me fallxhorët, kurse fakultetet e mjekësisë t’i zëvendësojmë me teqe dhe falltore katundi.

Eco Higjiena

Unë personalisht, e vlerësoj luciditein e mendimit të Lubonjës, por gjithmonë kur kam lexuar apo ndjekur debatet e tij, ka patur diçka që ma ka turbulluar barkun, ma ka tharë fytin dhe për pasojë më ka bërë të mos ndjehem mirë. Lubonja ndër shqiptarë është kampion i provokimit (dhe provokon keq) të temave nga korpusi nacional dhe jo gjithmonë ia qëllon, për të mos thënë se mendon shtrembër kur janë në pyetje këto tema.

Jo gjithmonë mendimi i lirë është ekuivalent i mendimit të drejtë, të pjekur, të drejtpeshuar dhe së këndejmi jo domosdoshmërisht duhet të ngurrojmë ta kritikojmë Lubonjën nga droja se pastaj do të na shpallin mendimtarë të instrumentalizuar. Hë për hë, unë personalisht as që e kam ndërmend të vuaj nga ky kompleks dhe pikërisht Lubonjën dua ta observoj nga këndvështrimi im, i shkarkuar nga barra e të qenit peng i ndonjë mendimi konjuktural në Kosovë a Shqipëri.

GUXIMI INTELEKTUAL I MBËSHTJELLË ME PAPJEKURI: Lubonja, në tekstin e fundit për Haradinajn, operon me gjysëm të vërtetën duke e paketuar atë me guximin intelektual që në esencë del një produkt jo i pjekur për ta konsumuar, qoftë një publik i zakonshëm, qoftë një elitë e specializuar. Për produktet e papjekura te ne qëmoti janë shpikur sentenca filozofike popullore, njëra prej të cilave ta kujton dardhën e papjekur, nga e cila vuajnë të mëdhenjtë, ‘Të vegjlit i hanë dardhat (e papjekura), kurse të rriturve u mpihen dhëmbët.’

Dhe, nëse rastis që dardhat të jenë të kalbura, atëherë është e pashmangshme vjellja ose jashtëqitja. Ka shumë të ngjarë që pikërisht Lubonja, këto ditët e fundit, të ketë ngrënë ndonjë dardhë të kalbur diku në Europë dhe, si për ironi të fatit tonë të keq, të gjithë neve të na kapë, herë vjella, herë jashtëqitja. Në pamundësi të frenimit të këtyre pasojave anësore (jo vetëm shëndetësore) , që marramenthi po e kontaminojnë një pjesë të higjienës kolektive publike, debatues të ndryshëm kanë zgjedhur rrugën më të lehtë të atakimit a mbrojtjes së dy pozicioneve : pro dhe kundër çlirimtarëve të Kosovës, pa e vra shumë mendjen për atë teorinë aristoteliane të mesit të artë.

Nëse një debat zhvillohet jo aty ku ka nisur (në revistën “Sudosteuropa Mitteilungen”), por në një hapësirë tjetër publike-mediatike, atëherë cilat janë pasojat dhe efektet nga kjo shmangie, nga kjo shkarje fondamentale e komunikimit me publikun, të cilit edhe i adresohet teksti kontraverz i Lubonjës. Nuk kemi njohuri nëse ndonjë autor nga Kosova a Shqipëria t’i ketë replikuar Lubonjës në vetë revistën ku ai i ka publikuar qëndrimet e tija.

Dhe ky është defekt i madh, por edhe rregulli i parë në praktikën e debatit, polemikës, përgënjeshtrimit etj. Jo se ka diçka shumë të keqe në sensin për të debatuar njerëzit, publikisht, pa dorëza, edhe për tema të ndjeshme e problemore, por kështu siç po rrjedh debati, kodër pas bregut, me një shmangie të palejueshme nga tezat fondamentale që ka shtru autori para një audience të huaj, i bëhet një dëm të madh publikut vendor dhe interesi(mi)t të tij për të ardhur në fund te e vërteta.

NOTARË TË PASPROVUAR ME GOMAT MBUSHUR ME ZALL: Në anën tjetër, nëse Lubonja ka patur si objektiv komunikimin me një publik të painformuar mbi disa tema të ndjeshme për Kosovën dhe shqiptarët dhe këtë e ka bërë nga pozita e një autori të persekutuar nga Lindja, atëherë duhet thënë se ky objektiv del pa ndonjë mision utilitar. E para, Europa ende vuan pasojat e propagandës serbe për shqiptarët dhe nuk e dimë sa Lubonja dhe të ngjashmit si ai janë munduar ta relativizojnë këtë propagandë, qoftë edhe për qëllime humane (sepse nuk është në modë tash të kesh qëllime nacionale) dhe e dyta, nuk është Lubonja as kalibri i një Salman Ruzhdi, apo i një Orhan Pamuk, për të patur komoditetin e kritikuesit të pakompromis për deformimet në shoqëritë e tyre të origjinës, ndonëse, as njëri, as tjetri nuk ka patur kurajën minimale t’ia quajnë kombet e tyre skizofrenik (çfarë kualifikimi paushall dhe idiotik).

Kur kanë kritikuar konjukturat pushtetore, ata madje nuk kanë lënë pa ngritur lartë virtytet e kombeve të tyre.

Krejt në fund: me këtë tekst të botuar në revistën gjermane, duhet supozuar, pasiqë supozimi po e zëvendësuaka argumentimin, se autori kontraverz nga Tirana nuk e ka patur për qëllim ta europianizojë debatin publik në një mjedis të prapambetur e skizofrenik, por për ta shikuar qiellin blu të Europës me syzat e errëta të një autori inatçor. Po të ishte ndryshe nuk do të dilte se është pikërisht ai i cili në këtë tymnajë qitjesh verbale, e jo rrallë rrugaçore, të dalë vetë i fituar, që rastësisht u ka shpëtuar ‘’plumbave’ të vërtetë, për t’u marrë me të vetëm qitësit stërvitor.

Përderisa Lubonja të mos marrë përgjigje të dinjitetshme dhe argumentuese në revistën “Sudosteuropa Mitteilungen”, debati që po zhvillohet në Prishtinë dhe Tiranë do t’i ngjajë një situate që lidhet me notin në ujë të turbullt, ku vështirë ndihmojnë gomat e mbushura me zall në vend të ajrit.

*Autori është pedagog universitar në UEJL – Tetovë