EULEX-i dhe komandantët
Nga Baton Haxhiu – Gjykimi i heronjve për luftën, kur ka njëmijë arsye tjera për t’i akuzuar, është armiku më i madh i racionalitetit. Është dreqi vetë.
E kam zakon, besoj, që t’i peshoj mirë faktet pro dhe kundër, sa herë që shkruaj për misionet e EULEX-it. Por, sikur gjithmonë po zihem i befasuar. Kështu po më ndodh edhe këto ditë në lidhje me veprimet e EULEX-it.
EULEX-i për kaq vite të mandatit po mundohet të na kthejë në ditët e luftës. Po mundohet të ndërtojë rrëfime për krime lufte në aktakuzat e tyre.
Nuk dua të flas në këtë shkrim as për luftën e heronjve, as për lirinë dhe përkushtimin, e as për të bëmat e komandantëve në luftë. Por ne në Kosovë jemi lodhur me fenomenin e meritokracisë dhe riheroizimit që i bën EULEX-i figurave të Kosovës. EULEX-i prej kohësh është duke i ngritur aktakuza për atë që s’duhet, e duke i pasur para vetes dëshmi të bollshme ku do të fitonte edhe moralisht për dosje të pasluftës.
Kjo punë me komandantët po zgjatet e stërzgjatet aq shumë sa që koha e pasluftës nuk na lejon të harxhojmë ditë pa kufi në vajtimin e luftës dhe të bëmat heroike të tyre. Pyetja është pse na duhet të luftojmë luftën e Kosovës kur mund ta luftojmë krimin. Pse na duhet të rikrijojmë heronj kur ata kanë mundur ta kishin vendin diku tjetër. Përgjigjja e EULEX-it, e dimë, është e ftohtë dhe duhet të luftohet çdo krim, por përgjigjja e vërtetë është së kjo është shumë vonë, sepse modeli i Alkaponian për zgjidhjen e problemit ju bën të paqëndrueshëm dhe të padobishëm në kontekstin politik dhe social.
Shkrova për fenomenin e komandantëve disa javë më herët dhe shkrimi i dedikohej një publiku që është i interesuar për rrëfime të vërteta. Shumë nga lexuesit dëshirojnë të ikin nga problemet dhe i kuptoj kur ikin nga temat që kanë pasojë. Por, nuk mund të heshtim për presionet që na vijnë çdo ditë me rrëfime për aktakuza.
Prandaj është e palejueshme të përsëriten të njëjtat gabime edhe pas 20 vjetësh përvoje për luftën në Ballkan.
Salustro dhe EULEX-i kishin paralajmëruar që prej muajsh se çfarë do të ndodhë. Kështu, burgosja që bën EULEX, është parë që jo vetëm nuk mund t’u përgjigjet qëllimeve për të cilat është këtu, por madje problemet e vërteta po kthehen në drejtim të kundërt. Salustro me shokë po bën heroizimin e komandantëve, të cilët shoqëria kosovare pati filluar t’i vendosë në të kaluarën e tyre heroike. Edhe famën edhe luftën e tyre, por, gjithashtu, çdo ditë nuk harronte t’iu thoshte hapur ato që i bënë pas luftës.
Të shkojmë me radhë. Ta zëmë pra se, edhe na paska qenë veprim i nevojshëm i EULEX-it për ngritje të aktakuzës!? Por pse të gjitha ngjarjet, për kaq vite pas luftës po lidhen me një ngjarje politike që ka të bëjë me Serbinë.
Zakonisht pritet të ndodhë pas një nënshkrimi marrëveshjeje. Pas ngjarjeve të Vjenës, pas shpalljes së pavarësisë, posa bisedimet fillojnë; Kur Serbia vendos diçka që EULEX konsideron se është në favor të Kosovës. Pra, duhet pak më shumë shije për veprime të tilla.
Kam menduar se bota e lirë e EULEX-it po bën çmos ta gjunjëzojë Krimin – xhelatin e popujve të Ballkanit. Është ky një imazh që EULEX-i ka provuar ta sjellë në Kosovë për të qenë i ndershëm.
Ajo që na kumtonte neve në shtëpitë tona, ishte se lufta kundër krimit është një luftë e pastër.
Kjo po duket të jetë gënjeshtër me bisht.
Dhe po kthehemi te këto krime lufte që më shumë sesa bëhen gjyqe kundër krimit, bëhen gjyqe për të rikthyer mite për heronjtë e luftës.
Nga ky veprim i çuditshëm i drejtësisë, EULEX ka harruar esencën për çka është këtu: Të ndihmojë Kosovën duke luftuar krimin e organizuar, sepse imazhi i Kosovës është me kufij të djegur për faktin se merremi me drejtësinë e vjetër 15 vjet dhe na ecin gjithandej modele kontrabande.
Me kriminelë që vrasin civilë dhe policë në detyrë. Me snajperë! Dhe kriminelë me lidhje të forta serbo-shqiptare që veprojnë lirshëm në veri.
Logjika më thotë se kjo është e pamundur për EULEX-in. Sepse kriminelët gjejnë veten brenda një hapësire. Ata kanë një interes. Ata pasurohen në mënyrë të paligjshme kurse Salustro dhe të tjerët merren me historinë.
Personalisht, kam besuar në një idealizëm evropian për jetën dhe rendin e ligjin, por më duket se sa herë që takoj njerëz të misioneve në vendet ballkanike, nuk më ngjajnë në evropianë. Dhe, ata rrugës po ballkanizohen, sepse po u pëlqen mungesa e ligjit dhe po harrojnë idealizmin evropian të rendit dhe ligjit dhe po merren me historinë e komandantëve.
Pra, nuk po merren me komandantë që janë kriminelë të paqes por me komandantë që janë heroizuar gjatë luftës dhe të riheroizuar nga EULEX-i.
Në gjendjen e tanishme është e qartë që mungesa e vullnetit të EULEX-it për të vendosur rendin dhe ligjin në Kosovë, duke përfshirë edhe veriun, mund të konsiderohet si dëshirë e qëllimtë për të mos vepruar. Kjo sjellje lë përshtypje të rreme për luftën e saj për rend dhe ligj. E përshtypja në vendet me konflikt të papërfunduar është më e fortë se idetë racionale të stërzgjatura dhe të detajuara në draftet që nuk përdoren kurrë.
Këtu EULEX-i me “spin doktorët” e vet dhe stafin e tij investojnë në gjuhën e panjohur. Në dëshirën e tyre që ne nuk e dimë as nuk e shohim.
Ju mungon konteksti politik, shoqëror dhe vizioni për të ardhmen e drejtësisë të këtij vendi.
Në logjikën aktuale, popujt e Ballkanit mendojnë te heronjtë. E gjykimi i heronjve për luftën, kur ka njëmijë arsye tjera për t’i akuzuar, është armiku më i madh i racionalitetit. Është dreqi vetë.
E kam edhe frikën, se e papranueshmja do të pranohet edhe një herë, e patolerueshmja do të tolerohet edhe një herë, atëherë duhet të reagojmë me dhimbje dhe zemërim për atë që na ofrojnë projektet e EULEX-it të cilat e kontrollojnë Kosovën.
Zgjatja e situatës së paqëndrueshme ka të bëjë me njerëzit që udhëheqin misionin. Shpjegimi ka të bëjë me zgjatjen e politikës së përkëdheljes së kriminelëve – komandantë dhe përpjekja për t’i dënuar heronjtë – komandantë. E zgjatja e politikës së përkëdheljes e shton rrezikun e përhapjes së riheroizimit.
Burokratëve dhe njerëzve evropianë në Kosovë u është dhënë fuqia nga institucionet evropiane. Fuqia e tyre individuale e shtruar në shkronja, që nga dita e djeshme është e lënduar rëndë.
Të gjithë ata që punojnë në EULEX duhet të lexojnë për atë që ka ndodhur këtu. E di që njeriu nuk mund ta imagjinojë veten në lëkurën tonë që i kemi provuar tmerret. Por duhet të bëjnë që të mos përsëritet ajo që e kanë lexuar.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


