Mobi Casa

Një kolumne për viktimat e dhunës

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Tashmë në dy kolumne në Gazetën Tribuna kam shkruar për viktimat e dhunës seksuale, e në veçanti për ato që këtë dhunë e kanë përjetuar gjatë luftës. Sot, do të përqendrohem te dhuna në familje, që nuk është fenomen i shpeshtë vetëm në Kosovë. Në fakt, numri i rasteve të dhunës familjare shtohet çdo ditë dhe jo vetëm në vendet e pazhvilluara dhe vendet në zhvillim e sipër.

Ky fenomen ka kapluar edhe vendet e zhvilluara ku nuk ekzistojnë probleme të mëdha të mentalitetit patriarkal apo të pabarazisë së madhe në mes të gjinive. Kur flas, megjithatë, për viktimat, nuk e kam fjalën vetëm për gratë apo vajzat, por për të gjithë ata që në një mënyrë kanë qenë të prekur nga fenomeni i dhunës në familje, qoftë nga bashkëshorti/ja, i/e e fejuari/a, vëllai, motra, prindi, e anëtarë të tjerë të familjes. Të gjitha këto raste duhet të trajtohen njësoj, edhe pse duhet t’a pranojmë, se së paku në Kosovë, sipas raporteve të policisë, mbi 90% të rasteve të dhunës në familje janë kundër grave e vajzave. Dhe dhuna mund të jetë e ndryshme, përfshirë dhunën fizike, dhunën seksuale e dhunën psikologjike. Në dritë të rrethanave të tilla, ku rastet e dhunës shtoheshin, edhe Kosova miratoi ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje.

Para pak ditësh Kosova shënoi javën për viktimat e krimit. Këtu nuk flitej vetëm për viktimat e dhunës në familje apo dhunës seksuale, por për të gjitha viktimat e të gjitha krimeve dhe për rritjen e mundësive që ato, pra viktimat, të ndihen të sigurt që të raportojnë krimet ndaj tyre. Në këtë tryezë, Ambasadorja amerikane Znj. Jacobson ndër të tjera tha se: ‘Viktimat e krimit kanë nevojë për më shumë pranim. Atyre u duhet përkrahje, u duhet mbrojtje, u duhet qasje në informata dhe u duhet respekt. Vetëm atëherë ato mund të ecin përpara me jetën e tyre.” Në këtë tryezë merrnin pjesë edhe shumë përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Fatkeqësisht, në shumë raste ky sistem nuk u ka ofruar viktimave të dhunës asnjërën nga ato që i përmendi Ambasadorja Jacobson. Dhe, rasti i vrasjes së Diana Kastratit nuk është rasti i vetëm. Ajo kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga Gjykata, ashtu siç parashihej në ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, dhe gjykata e kishte për obligim që atë urdhër t’a lëshonte brenda 24 orësh. Por, kjo nuk ndodhi asnjëherë.

Mobi Casa

Dhe Diana u vra në mungesë të mbrojtjes nga shteti. Kjo mungesë e mbrojtjes, mungesë e respektit dhe mungesë e pranimit të viktimave si të tilla është në veçanti prezentë në raport me gratë. Shumë shpesh, sipas storieve të shumta që dëgjojmë, në momentin kur ato raportojnë krimit, ato përqeshen dhe personat që do të duhej t’u ofronin mbrojtje tallen me to. U thuhet se ndoshta ato e kanë kërkuar ‘dajakun’ apo mënyrat e tjera të dhunës që janë ushtruar ndaj tyre. Se sa i pranishëm është ky mentalitet u dëshmua edhe nga disa publikime në fakultetin juridik ku tentohet të bindet gjenerata e re se kinse qenka faji i viktimës pse është dhunuar e jo faji i dhunuesit pse ka kryer krimin. Në një mentalitet të tillë janë mësuar, edukuar e shkolluar edhe shumë persona që sot janë pjese e institucioneve që do të duhej t’u ofronin mbrojtje viktimave, pa i paragjykuar ato në asnjë mënyrë.

Prandaj, sa herë që shënohen javë të tilla për mbrojtjen e viktimave të krimit, e në veçanti të viktimave të dhunës në familje, institucionet që organizojnë këto tryeza duhet së pari të shikojnë nga vetvetja dhe të identifikojnë problemet që vetë ato i kanë në arritjen e zbatimit të ligjit. Nuk duhet të shikojmë të ndryshojmë vetëm ata që i kryejnë krimet, por edhe institucionet që e kanë për obligim të na mbrojnë nga këto krime. Atyre, pra viktimave, u duhet mbrojtja e jo injorimi, u duhet respekti e jo tallja, u duhet zbatimi i ligjit e jo shkelja e tij nga ata që pritet ta zbatojnë. Dënimi i krimeve nëpërmjet deklaratave nuk mjafton. Nëse nuk ecim përpara me mbrojtjen institucionale, numri i viktimave do të rritet, dhe po ashtu edhe hezitimi i tyre për t’u ndier të sigurt në raportimin e këtyre krimeve.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës)