Limaj i përgjigjet PDK-së: Institucionet i formojmë ne, ju nuk i keni numrat
Fatmir Limaj i është përgjigjur deklaratave të PDK’së se ata kanë marrë besimin për formimin e institucioneve. Ai ua ka rikujtuar atyre se PDK nuk ka numra në Kuvend për ta formuar as Qeverinë dhe as për zgjedhjen e krye parlamentarit.
“Ky është një bashkim vullnetar politik i forcave tona politike, sikurse është në të drejtën e secilës parti t’i gjejë partnerët e vet. Ne jemi të vendosur në qëndrimin tonë të përbashkët për formimin e institucioneve,” ka thënë Limaj pas takimit me partnerët e koalicionit.
Gjithashtu Limaj ka shprehur vendosmërinë e Bllokut për formimin e institucioneve dhe i ka bërë thirrje PDK’së të heqë dorë nga bllokada, duke shtuar se nëse i kanë numrat ashtu siç thonë atëherë le ta thërrasin seancën.
“Ata që thonë i kemi numrat nuk kanë nevojë të kenë frikë. Nëse i kanë numrat atëherë le ta thërrasin seancën. Ne nuk mund t’ia sigurojmë votat askujt,” ka thënë Limaj.
LDK-AAK-NISMA: Shkojmë vetëm në seancë, nuk konsultohemi me Flora Brovinën
I pari i LDK’së dhe kandidati për krye parlamentar nga radhët e koalicionit LAN, Isa Mustafa, pas një takimi zhvilluar sot me liderët e koalicionit ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do t’i përgjigjen ftesës për konsulta, dhe se e vetmja ftesë që do t’i përgjigjen është ajo për mbajtjen e seancës.
Ai ka theksuar se do të presin vetëm këtë javë për thirrjen e seancës dhe se shtyrja e saj është e pakuptimtë.
Mustafa ka shtuar se nëse nuk thirret seanca gjatë kësaj jave, atëherë atë do ta bëjnë deputetët e Kuvendit.
E sa i përket legjitimitetit të thirrjes së seancës nga ana e tyre, i pari i Nismës Fatmir Limaj ka thënë se kjo është në të drejtën e plotë të deputetëve, duke shtuar se nuk ka asnjë pengesë objektive apo subjektive për mbajtjen e seancës dhe se shtyerja e saj është thjeshtë Tendencë e PDK’së për të shkaktuar bllokadë.
Haradinaj ndërkaq ka thënë se PDKja e ka zaptuar të drejtën e Flora Brovinës për thirrjen e seancës, për të krijuar bllokadë.
“Është shqetësuese që Partia Demokratike e Kosovës, e ka zaptuar të drejtën për thirrjen e seancës, vetëm sepse rastësisht Flora Brovina ka qëlluar të jetë udhëheqëse e seancës konstituive,” ka thënë Haradinaj pas takimit./express/


