ARKATANA

Kujtim vere nga Velipoja

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Bajram Sefaj – Me pak(icë) plaçkash të lehta verore dhe, me një strajcë modeste librash, as më shumë as më pak se me: “Hotel Bejruti”, të N. Islamit, “Këpucët e Van Gogut”, të Kostas Valetas, “Zotëri Ibrahimi dhe lulet e kuranit”, të Eric-Emanuel Schmit, “Histori dashurie”, të Çingiz Ajtmatov dhe përmbledhjet me poezi: “Iluzioni hapave të mi”, të Adonis (Ali Ahmed Esber) dhe “Gorgonë”, të poetes së re nga Prishtina, Blerina Rogova Gaxhës, marr udhën e pushimeve, sa për të “pirë një kafe me detin”, (Gorgonë, faqe 59).

Për të katërtën herë radhazi, rruga (më parë falë instinktit) më çon në Velipojë. Në luginën butë të rivierës saj, me plazh (përrallor) katërmbëdhjetë kilometrash. Dhe, thënë rrafsh, asnjëherë nuk zhgënjehem dhe nuk i marr inat instinktit, që më shpie atje. Velipoja e veriut të detit tonë, përditë e më shumë zbukurohet dhe del mbi sipërfaqen e detit, tamam si një muzë, si një nuse legjendash, deri dje, e mbuluar me shtresë të trashë tisi të zi, endje kjo e mallkuar e mjeshtrit të zisë dhe tmerrit, Xhaxhit! Me një fjalë, Velipojës gjithnjë e më shumë po i ka hije dhe po i rri mirë emrit të saj, nishani “perlë e Adriatikut tonë verior”.

S’kam qëlluar aty kur Jezui paskësh thënë: “Unë jam Buka e Jetës!”, por ua them unë juve dhe me plot përgjegjësi ngre porosi, shkoni në Velipojë nëse doni të gëzoni gëzimet e verës, në verë shqiptare!

Në rend të parë, velipojarët, mikpritës e bujarë, janë ata që do t’ua shtrojnë tryezën e mirëseardhjes e, të tjerat, vijnë më pastaj.

Sikur më është bërë zakon që mbresat e mia, jo domosdo, jo gjithmonë të mira e me lavde plot, t’i ndaj me ju, lexues të nderuar, prandaj, që më parë, ju jam mirënjohës nëse me ndiqni në (këtë) aventurë.

Pjesë e pandarë e verimit të këndshëm në det është dielli. Mungoi, kësaj vere, gjithkund, prandaj edhe në Velipojë. Nuk kishte diell (kurrë nuk ka diell sa duhet!), por, nuk është e vërtetë se nuk kishte edhe “faza diellore”.

Mungesa e sasisë së rrezeve të diellit, natyrisht se shtonte sasinë dhe cilësinë e leximit, jo vetëm të gazetave e revistave nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe të librave. Herë-herë edhe të trashë e me shumë fletë. Krahas atyre që ofrojnë (e shesin) lloj-lloj malli, sot përgjatë plazhit të gjatë e rërimët (kur është edhe rërë me veti shëruese), marshojnë djelmoçat shkodranë të rreshkur e përzhitur dielli, me torbat e mëdha, plot me libra ndër më të ndryshmit.

Këto “librari” miniaturale, lëvizëse gjithsesi, (cep më cep rivierës), furnizojnë të interesuarit me literaturë të bollshme. Më se shumti e më se shpeshti, me të lehtë, verore diellore, por edhe më atë tjetrën që, me prepotencë, i themi letërsi e thellë, serioze.

Ashtu si asnjëherë deri më tash, as kësaj radhe nuk mund ta lëshoj Velipojën pa përmendur së pakut, dy-tri imtësi (të mëdha) që m’u ngujuan në zëmër, që i mora dhe do t’i ruaj për shumë kohë. Po nisëm nga dritat fluturuese, lodër fëmijësh të gëzuar të verës, me të cilat shigjetohet qielli blu i Velipojës në stinë hareje e pushimi.

FIDANISHTJA

Unë nuk mund e harroj lehtë vajin (gjëmën) e gërnetës në natë. Imagjinojeni një të moshuar, bri shëtitores, kur i mbështjellë me një pelerinë a rrobë të zezë, leckash fute, kur bëhej një me natën dhe me frymën e paktë që kishte i jepte vajin zë shterur instrumentit plak, mocanik më maestron e tij.

Fotografia sipër plafit, fliste për nipin a stërnipin e tij si molla, (syri keq mos e paftë!), kur zëmra e tij e re, vuante nga ndonjë sëmurje që kërkonte intervenim të shpejtë (urgjent) kirurgjikal. A thua kur, dhe a do të tubohen ndonjëherë, aq monedha (të kuqe) sa për t’u përballuar ato shpenzime të larta operimi?! Vështirë të besohet.

Imazhi me gërnetën dhe gjëmën e saj në natë, aty skaj shëtitores publike në Velipojë, në orvatjen time shtrep nuk doli kurrqysh, por, në anën tjetër, ashtu si ishte ne realitet, ishte e denjë për një skenë pikante të një film me temë sociale, të mjeshtërve të mëdhenj e me nam, të kinemasë botërore.

Nuk bën hiç, hiç nuk bën, të lëshohet Velipoja, pa përmendur pajtonin, si në flakë, i mbuluar në laryshi dritash shumëngjyrëshe, që për çdo mbrëmje qarkullonte nën trokun këmbëlehtë të kalit vizak e bark-pak.

Unë për veten time, nuk mund ta harroj lehtë (ndoshta kurrë!), kujtimin e “serenatave të natës” të dy interpretuesve të mrekullueshëm nga Shkodra, Nimet Leka dhe Orienta Ketaj. Ata, secili, për vete e të dytë bashkë, ishin të magjishëm, do të thosha.

Me këngët e tyre të vjetra qytetare shkodrane, të një repertori të zgjedhur e të dëlirë, të keqanin veshin, të ushqenin shpirtin, të mallëngjenin zemrën. Ata ishin fantastikë atje, në tarracën e hotelit “Fantazia”, midis pishash, larg tallavasë shurdhuese e primitive, kur në vend se të argëtojë, të shpon timpanet, kur derdhje gjithandej Velipojës verore.

Mua, për veten time, veç tani më djeg dhe, për një kohë të gjatë, do të më djeg malli për këngën e dy bilbilave shkodranë, Orienta-Nimet!

Në ndarje me Velipojën e kësaj vere, pi një kafe shqeto. Mbi të dhe detin e saj derdhet një shi i pambajtur mend (a i ka hije shiut të bjerë mbi det!). “Po edhe lumenjtë derdhën në det/ po deti kurrë nuk ngopet”, (“Gorgonë”, faqe 124).