Pesë aktakuza brenda 24 orëve, Prokuroria e Gjilanit procedon pesë persona për vepra të ndryshme penale
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur gjatë 24 orëve të fundit pesë aktakuza ndaj pesë personave, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy nga aktakuzat janë ngritur për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”, ndërsa një person është akuzuar për “Rrezikim të trafikut publik”.
Një tjetër aktakuzë është ngritur për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Ndërkaq, ndaj një personi tjetër është ngritur aktakuzë për dy vepra penale, “Sulmi” dhe “Kanosja”.
Me këto raste, Prokuroria Themelore në Gjilan ka proceduar penalisht gjithsej pesë persona brenda një periudhe 24-orëshe, për vepra që prekin sigurinë publike, pronën, trafikun dhe integritetin fizik e personal të qytetarëve.
Të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./rajonipress/


