PDK e gatshme për t’ia dhënë Kryeministrin LDK’së?
Për të zhbllokuar formimin e Qeverisë, PDK po planifikon t’ia ofrojë pozitën e Kryeministrit LDK’së derisa për vete të merr pozitën e Presidentit. Ideja për t’i marrë disa deputetë të partive tjera tashmë po shihet si e dështuar nga zyrtarët e PDK’së. Kjo pasi atyre iu kanë dështuar disa tentativa për t’i bërë për vete disa deputetë të LDK’së, AAK’së apo edhe të Nismës.
Tash, opsioni i PDK’së është sakrifikimi i pozitës së Kryeministrit.
Zyrtarë të PDK’së i kanë thënë Gazetës Express se janë të gatshëm t’ia japin pozitën e Kryeministrit LDK’së vetëm që mos të mbesin në opozitë.
“Në fund të fundit, PDK do t’ia jap LDK’së pozitën e Kryeministrit me kusht që në këtë pozitë mos të jetë humbësi i tri palë zgjedhjeve, z. Isa Mustafa”, ka thënë njëri prej udhëheqësve të PDK’së.
LDK deri më tash ka refuzuar cfardo marrëveshje me PDK për të bashkëqeverisur. Madje, LDK, AAK dhe Nisma janë bërë bashkë dhe kanë nënshkruar një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re për të cilën presin edhe përkrahjen e Vetëvendosjes.
Megjithëkëtë, zyrtarisht askush s’ka folur se si do të veprojë PDK për të bërë për veti LDK’në.
As në Partinë e Isa Mustafës s’kanë dashur të flasin për një ofertë të tillë të PDK’së.
Një natë më parë, anëtari i Kryesisë së PDK’së, Rrustem Mustafa kishte thënë se janë afër një marrëveshje koalicioni me LDK’në, por se nuk kishte precizuar se për çka konkretisht bëhet fjalë./express/


