Lutfi Haziri: Zgjedhjet, më të mira se ato të vitit 2010 e më të këqija se ato lokale
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK ka pritur të fitojë më shumë dhe të jetë partia e parë.Ai ka thënë se zgjedhjet parlamentare ishin shumë më të mira se ato të vitit 2010, e shumë më të këqija se zgjedhjet lokale.
“Nëse janë prekë ndërmjet vete, na çon të mendojmë se ka pasur prekje edhe anash. LDK e ka një 30’she tash si grup parlamentar, është një rritje jo e knaqshme, jo e pritshme sepse kemi pritur të dalim si partia e parë”, ka thënë Haziri në “Rubikon” të KTV’së.
“Ajo që dua ta nënvizoj është se zgjedhjet kanë qenë shumë më të mira se të 2010’tës e shumë më të këqija se ato lokale”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se Kosova pati një proces demokratik me zgjedhjet e fundit. Ajo ka thënë se të gjithë deputetët e AAK’së, do të zbatojnë programin e kësaj partie.
“Është e rëndësishme që kemi pasur një proces demokratik. Ka qenë shqetësuese zvarritja e dhënies së rezultateve. Kemi njerëz të rinj që do të jenë në parlament por që janë të dëshmuar në sfera të ndryshme”, ka thënë ajo.
“Në një farë forme kemi garuar si kandidatë, pavarësisht prej ku kemi ardhur, pavarësisht prejardhjes në kuptimin regjional, profesional etjerë. Jam e bindur që deputetët e AAK’së do të zbatojnë planin e Aleancës”, ka thënë ajo.
Donika Kadaj by GazetaExpressTV
Kurse Dardan Molliqaj nga VV, tha se janë subjekti që ka rritur mandatet në këto zgjedhje.
“Jemi subjekti që kemi rritur më së shumti mandate, kemi 4 mandatë më shumë se herave të tjera. Ka qenë një listë e përgatitur mirë, e njerëzve që kanë përfaqësuar konceptin politik të Vetëvendosjes”, ka thënë Molliqaj.
Ndërkaq Bilall Sherifi, ka thënë se edhe Nisma ka pritur një rezultat më të mirë.
“Kemi pritur më shumë, kemi pritur më se 50-60 mijë votave, por arsyet pse nuk janë ato vota, nuk mjafton ky emisionin për t’i sqaruar. Megjithatë në këtë fazë nuk ka më rëndësi. Rëndësia është se ashtu si kemi premtuar, Nisma është befasia e këtyre zgjedhjeve, ashtu si kemi thënë”, ka thënë Sherifi.


