ARKATANA

Vakuumet kushtetuese dhe kriza parlamentare dhe qeveritare në Republikën e Kosovës

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Sadik Haxhiu – Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare në një atmosferë vërtetë demokratike të një shkalle që edhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë shprehur vlerësimet e tyre pozitive. (Shih vlerësimet nga OSCE, ENEMO, Komisioni i Venecisë etj.)

Dy ditë me pas LDK, AAK shpallën koalicionin e madh ( a mund të quhet koalicioni i madh me 47 deputet ndërsa për formimin e qeverisë kërkohet minimum 61 deputetë) si dhe në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje proklamuan koalicionin pas zgjedhor me pretendimin për të zhvendosur PDK – në opozitë.

Siç dihet, nga këtu filloi odisejada e krizës politike për ndërtimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare që po vazhdon edhe sot.

Të fillojmë nga e para, kush i fitoi dhe kush i humbi zgjedhjet ?

Botërisht është e pranuar se parti fituese në zgjedhjet parlamentare në Kosovë doli Partia Demokratike e Kosovës me partnerët e saj parazgjedhor. Duke u bazuar në praktikën parlamentare, partia që ka fituar më së shumti mandate deputetësh në parlament, pavarësisht se a ka fituar shumicën e thjeshtë apo absolute ajo duhet të provojë për ta formuar qeverinë.

Për këtë, vlerësimin përkatësisht interpretimin e dha Gjykata Kushtetuese e Kosovës, anipse interpretimi i saj ishte juridiko – politik, sepse në vendimin e saj nuk saktësohet se kush e fiton këtë të drejtë pas tentimit të parë për të formuar qeverinë. Madje, nga interpretimi kjo çështje i’u la në për të vendosur në diskrecion presidentit të Republikës së Kosovës, duke krijuar edhe më shumë hapësirë për spekulime politike. Pra, problemi nuk është vetëm formimi i qeverisë por ai është me i gjerë, sepse fillimi i rrumbullaksimit të procesit zgjedhor siç dihet së pari fillon nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Sipas kushtetutës së Kosovës (neni 67), kryetari dhe nënkryetarët e kuvendit zgjedhen me sa vijon:

Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë.

Në mënyrë analoge sikurse propozimi për formimin e qeverisë që është e drejtë e partisë fituese të zgjedhjeve pavarësisht se a ka fituar shumicën relative apo absolute, po ashtu në mënyrë taksative kushtetuta e përcakton se Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. (neni 67 paragrafi 2).

Problemi këtu është i karakterit të vakumit juridiko kushtetues. Siç u përmend edhe më herët në kushtetutë thuhet se Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar, por ajo nuk e saktëson se si do të veprohet nëse i njëjti nuk zgjedhet Kryetar i Kuvendit. Këtu nuk kemi alternativa për të procesuar më tutje. Në kushtetutë nuk normohet as në mënyrë eksplicite as në mënyrë implicite se cili është limiti i propozimit të kandidatëve për kryeparlamentar nga partia fituese e zgjedhjeve dhe si të procesohet më tutje kur nga kjo parti apo koalicion zgjedhor nuk zgjedhet asnjë kandidat kryeparlamentar.

Pas kësaj situate nuk ka rrugëdalje tjetër përveç shpërndarjes së parlamentit ende të pa konstituuar dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Shtrohet pyetja: a mund të shpërndahet Kuvendi dhe a duhet të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme (edhe pse kushtetuta jonë i njeh vetëm zgjedhjet e parakohshme!).

Së pari, shpërndarja e kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto rrethana me kushtetutë nuk është e paraparë.

Së dyti, a mund të shpërndahet Kuvendi ende i pa konstituuar, ende pa u zgjedhur kryeparlamentari, nënkryetarët dhe trupat punuese të tij. Kjo është një situatë mjaft delikate kushtetuese edhe pse në praktikën parlamentare në dekadën e kaluar kjo ka ndodhur në dy shtete postkomuniste.

Rasti i parë ka ndodh në Ukrainë në vitin 1996 kur gati gjysma e deputetëve ishin të pavarur dhe parlamentarët nuk mund ta zgjedhnin kryeparlamentarin analoge si në Kosovë, prandaj Presidenti i Republikës u detyrua ta shpërndajë parlamentin ende të pa konstituuar.

Rasti dytë ka ndodh në Slloveni në vitin 1998 kur partitë politike u radhitën në dy koalicione parazgjedhore dhe këto koalicione patën fituar numër të barabartë të deputetëve. Këto koalicione patën fituar nga 49 deputetë. Në këtë situatë objektivisht asnjëri koalicion nuk mundi t’a propozoj kryeparlamentarin duke e detyruar presidentin e Republikës së Sllovenisë të shpërndaj menjëherë parlamentin pas dhënies së betimit.

Çështja e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës në këtë situatë te ne është mjaftë e komplikuar sepse Kushtetuta e Kosovës i parasheh vetëm këto raste kur mund të shpërndahet Kuvendi.

ARKATANA

Kuvendi shpërndahet në këto raste:

nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria; nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës;
nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.

Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë. (kushtetuta e Kosovës Neni 82).

Poqëse Kuvendi i Kosovës vjen në këtë situatë, atëherë zgjidhje kushtetuese nuk ka sepse këtu ekziston një vakum i qartë kushtetues. Zgjidhja mund të arrihet vetëm nëse partitë politike arrijnë koncenzues politik që siç po shihet është vështirë të arrihet.

Në anën tjetër propozimi për daljen nga kriza politike përmes shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme kërkon një përgjigje të matur e të soditur mirë nga liderët e partive politike, duhet pasur parasysh se elektorati në Kosovë nuk është shumë fluid, dalja e votuesve në zgjedhje do të bie në shkallë minimale dhe përfundimisht zgjedhjet mund të mos sigurojnë zgjidhjen. Edhe pas këtyre zgjedhjeve prapë mund të sillemi në rrethin vicioz.

Përcaktimet kushtetuese që po pengojnë zgjidhjen e krizës parlamenentare dhe qeveritare

Partia Demokratike e Kosovës fituese e zgjedhjeve nuk po arrinë të zgjedh kryeparlamentarin, sepse siç kemi përmendur edhe më herët, sipas kushtetutës në fuqi, vetëm partisë apo koalicionit fitues të zgjedhjeve i takon propozimi i kandidatit për kryeparlamentar dhe propozimi për formimin e qeverisë.

Koalicioni paszgjedhor LAN/VLAN ka një shumicë parlamentare të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, por kushtetuta decidivisht nuk ja mundëson zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe rrjedhimisht edhe formimin e qeverisë. Këto dy gjendje juridikisht të qëndrueshme por politikisht të pa qëndrueshme po e pamundësojnë zgjidhjen e krizës parlamentare dhe qeveritare.

Parimisht deputetët e VLAN-it duhet të votojnë kryeparlamentarin për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe trupat punuese të saj, por askush juridikisht nuk mund t’i detyrojë deputetët e VLAN-it për të votuar kryeparlamentarin nga PDK-ja.

Moszgjedhja e kryeparlamentarit nga radhët e PDK-së po e sjellë situatën konfuze në Kuvendin e Kosovës. Edhe më qartë do të skjarohet shembulli tjetër, sikur kandidatët e komuniteteve pakicë të mos votohen nga shumica në kuvend cila do të ishte zgjidhja juridike ?! A mund të detyrohen deputetët që t’i votojnë ata për të marrë së paku 61 vota për t’u zgjedhur në Kryesinë e Kuvendit?! Nëse ata nuk marrin së paku 61 vota në parlament a duhet të shpërndahet parlamenti?! Këto janë defekte të karakterit të vakumit kushtetues në kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Zgjidhja e krizës parlamentare dhe qeveritare

Partitë politike me numrin më të madh të deputetëve duhet të tregojnë kulturë politike për gjetjen e një konsenzuesi për krijimin dhe funksionalizimin parlamentit dhe qeverisë me mandate së paku dy vjeçar.

Gjetja e një konsenzuesi për votimin e kryeparlamentarit që duhet të propozohet nga Partia Demokratike e Kosovës, sepse kushtetuta nuk mundëson propozime për kryeparlamentar nga partitë tjera politike.

Gjetja e një konsenzuesi për formimin e qeverisë nga dy partitë kryesore politike që do të sigurojnë një shumicë absolute parlamentare në proporcion me numrin e mandateve parlamentare të fituara gjatë zgjedhjeve.

Zotimin e këtij koalicioni për reforma kushtetuese në kushtetutën e Republikës së Kosovës duke filluar që nga preambula e kushtetutës e deri te dispozitat përfundimtare; sepse kushtetuta që nga kapitulli i parë e deri te kapitulli i fundit ose ka paqartësi ose vakume kushtetuese të cilat defekte po sjellin kriza politike.

Zotimin e këtij koalicioni për reformat elektorale, duke bërë ndryshime të thella në legjislacionin zgjedhor; në ndryshimin e sistemit zgjedhor; në ndryshimin e zonave zgjedhore; në ndryshimin e menaxhmentit zgjedhor; në ndryshimin e sistemit të votimit i cili është sistemi më i përfolur i votimit në botë, pas sistemit panashazhe.

Miratimin e ligjeve organike të cilat ligje janë të domosdoshme për funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si p.sh; miratimin e Ligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës.

Miratimin e legjislacionit i cili hapë rrugën e mëtejmë për integrimet evropiane.
Si dhe reforma të thella në administratën publike dhe në sistemin e drejtësisë.

Gjetja e një konsensuesi për zgjidhjen e krizës parlamentare dhe qeveritare në Kosovë, shtensionon raportet e subjekteve relevante politike në Kosovë dhe hapë rrugën për konsolidimin e shtetit të së drejtës për të cilin populli i Kosovës është martirizuar me dekada e shekuj të tërë./rajonipress/

Autori është Profesor i së Drejtës Kushtetuese, Fakulteti Juridik në Universitetin Publik ‘’Kadri ZEKA” në Gjilan