Eko Higjiena

Një popull shkrimtar

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Kur më 1952, Miroslav Kërlezha, shkrimtari që u quajt i epokës, mbajti fjalimin që po ashtu u quajt epokal, kërkonte “epokën” e lirisë në letërsinë jugosllave. Tre vjet më vonë, më 1956, Titoja shpallte përmes mikut të tij, Kërlezhës, pluralizmin letrar. Më pas ndonëse nuk të kapnin me pranga për fiksionin e për letërsinë, shteti jugosllav me elegancën e një zonje të rrallë krijoi mjetet e mënyrat për të mbajtur frerët e kontrollin mbi letërsinë. Dikush foli edhe për disidencë. E dikush foli edhe për “mecenë” të letrarëve.

Po disa nga emrat që në letërsi do të bëheshin të mëdhenj në krah të letërsisë, privilegjet e paprekshmërinë i morën në saje të “besnikërisë”. Rexhep Qosjen e Ali Podrimen thonë se i mbante krahësh Fadil Hoxha, dikë e mbante Sinan Hasani e të tjerë i mbanin të tjerët. Për hir të pozitave, për hir të hierarkisë e për hir të veprave. I ashtuquajturi “Baba i kombit”, nga disidenti i dikurshëm u shndërrua në “akademikun disident” por fatin e tij jo të gjithë e patën. Ndryshe nga kjo gjeneratë, që sipas çdo ligji biologjik e ka tepër të vështirë të përpihet e të pranojë horizontin letrar, për të cilin jo rrallë shpallin se u mbyll me mbylljen e punës së tyre krijuese, ekziston dhe bash për inat të të vjetërve fenomeni i shkrimtarëve, që si Krishti dikur, sot janë gozhduar në “Facebook”, të cilët çdo ligj i botës moderne i përligj. Nuk ka tallje me pesë milionë shqiptarët e “Facebook”-ut, dhe me “ciceronët” e përzgjedhur të këtij populli që si merimangë rri gjithë kohën në “rrjetën” e vet sociale.

Një pjesë e madhe e aktivitetit partiak e shtetëror, politik e kulturor, shkencor e publicistik, madje edhe fetar e pornografik… kanë zbritur këmbëkryq në rrjetet sociale e posaçërisht në “Facebook”. Një duzinë deputetësh të Kuvendit të Kosovës, më shumë se gjysma e qeverisë, 400 opozitarë me fis e me farë dhe një “kallaballëk” imamësh e priftërinjsh janë shndërruar në tutorët e “fjalës në pazar” dhe aty i thonë të gjitha. Aty shahen e përlahen për krishterimin e islamin, për dijen e politikën, për spiunët e UDB-së, për atdheun e flamurin, për horrat që punojnë me pare e kundër kombit, për të tjerë që janë “intelektualë” e me fjalën shqipe vrasin. Në pazarin e fjalëve, të ideve, të projekteve, të fotografisë, të dijes, të sharlatanizmit, të kulturës, nuk mund si të mos bëhet pazar edhe me letërsinë. Në këtë pazar fjala e letrave shitet si çdo fjalë tjetër, e me të nuk mund të tallesh. Nuk mund të tallesh as me qindra shkrimtarët e “Facebook”-ut, që dalëngadalë krijojnë rrjetën e vet nga gjithë miqtë e mëhallës që ua “like-ratin” letërsinë.

Çfarë po zihet në këtë kazan? Shqiptarët tashmë, të dëshmuar si një komb këngëtarësh, çdo ditë e më shumë po dëshmohen të jenë një popull shkrimtarësh. Të gjithë shkruajnë. Kritikët babaxhanë më kot ankohen se u fundosëm në bollëkun e shkrimtarisë. Kohët e tranzicioneve kaotike në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni, i kanë dhënë mundësinë secilit që së paku njëherë ta provojë penën në ujërat e marrëzive të letrave. Iluzionet e tilla të bukura e të marra kanë bërë që të ushqejnë shpirtin me krijim e këtë shpirt artistik ta servojnë në rrjet. Kot ulërijnë kritikët se e meritojnë talljen!

Hidromorava

Dhe derisa akademikë, shkrimtarë, studiues e kritikë, përgatisin herë turshitë e vjeshtës e herë të zënë me gjumin e drekës, gjenerata e re ka nënshkruar pamfletin “Vox clamantis in Facebook!”, jo kundër ideologjisë, jo kundër shtetit as pushtetit, por thjesht për pikë të qejfit të vetes. Shkrimtarët e disa poezive e të disa tregimeve të postuara në FB po shndërrohen në emrat që prezantojnë letërsinë e Kosovës në shtetet fqinje e në shtetet e Evropës.

Mekanizmat tash janë bërë më inteligjente dhe vetë autorët më inteligjentë, përderisa shteti ka hequr dorë plotësisht jo nga kontrolli, po nga krejt letërsia. Pos Qosjes e Demaçit, që u mor vesh me kohë se nëse nuk i përkëdhel, PDK ua rreh krahët e xhepat ua mbush me pare, elitat intelektuale janë plot mllef. Diskutimet, polemikat e konfliktet janë të gjitha në vijën e mospërkrahjes. “Vox”-i i tyre është edhe më larg se ai në shkretëtirë. Nëse pushteti komunist dikur e lodhte kokën gjithë kohën për të parë se nga po ndodhnin çarjet e idealeve komuniste e nga depërtonin ndikimet, strukturat e pushtetet e sotme e lënë letërsinë në ujërat për të cilët gjithnjë luftoi. Por me këtë edhe kanë hequr dorë plotësisht nga bota e letrave, dhe shtytje e cilësia që institucionet mund të krijojnë.

“Vox clamantis in Facebook!” nuk është titulli i albumit të fundit të një legjende të muzikës rok, as i një hiti erotik, as ndonjë befasi. Është hiti i një populli shkrimtar, që pos këngës e fjalës armë tjetër nuk ka. Bota është një shaka, dhe ky fakt sjell po aq qeshje sa edhe mërzi. Dikush duhet të jetë komfort me errësirën që sheh përreth vetes. Përreth “lajkave” të merimangave sociale gjithçka duhet të jetë bardhë, zija është tjetër ku. Një popull dajrexhi e një popull letrarxhi.