UBT

1988

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Albin Kurti – Mosha mesatare në Kosovë është rreth 25 vjeç. Kjo do të thotë që pothuajse gjysma e popullsisë aktuale të Kosovës nuk ishin të lindur në vit1988. Shumë dëshira e nevoja, ca më pak shpresa e pritje, fare pak mundësi e shanse, dhe gjithnjë e më pak perspektivë ka për të rinjtë në Kosovë. Në kushtet e varfërisë së përhapur dhe papunësisë në rrije, e gjithë popullsia por posaçërisht të rinjtë kanë mbetur edhe të ngujuar edhe të ngulfatur.

Mirëpo, nuk ka mundur të jetë ndryshe. Pa ekonomi prodhuese, pa shtet zhvillimor, pasoja është veçse e këtillë sikurse realiteti ynë. Me afër 60 valë të privatizimeve të egra që sollën deindustrializimin, me deficit tregtar që është më i lartë se 1/3 e Bruto Produktit Vendor dhe me tokë bujqësore mesatarisht vetëm 1/6 e hektarit për person, mjerimi është i natyrshëm e përparimi është i pamundshëm.

Vjetari statistikor i KSAK-së nga viti 1989, prognozonte që në vitin 2000 Kosova do t’i ketë 2.529.000 banorë, pra mbi 2,5 milionë! Mbase kjo prognozë kishte ndikim në planet dhe projektet antishqiptare të Serbisë së Milosheviqit. Mbi 300.000 shqiptarë u detyruan të shpërngulen përgjatë viteve të ’90-ta, mirëpo kjo dukuri vazhdoi edhe në këto 14 vitet e pasluftës për shkak se as çlirimi dhe as pavarësia nuk e sollën zhvillimin.

Paradoksalisht ekonomia e Kosovës ishte shumë më e zhvilluar para një çerek shekulli sesa që është sot. Të vjen të pëlcasësh nga zemërimi teksa shikon shifrat e ekonomisë kosovare nga viti 1988. Kosova kishte autonomi, por ishte nën Serbi; shqiptarët ishin të shtypur e të shfrytëzuar; 80% të të burgosurve politikë në ish Jugosllavi ishin shqiptarë; e, megjithatë, ekonomia ishte pakrahasueshëm më e avancuar sesa sot.

Në vitin 1988, Kosova i kishte 35.272 traktorë (991 të organizatave bujqësore të punës së bashkuar dhe 34.281 individualë). Janë punuar gjithsej 409.000 ha tokë (50.000 ha tokë shoqërore dhe 359.000 ha tokë private). Dhe, i kishim 309.000 krerë bagëtish (18.000 shoqërore dhe 291.000 private).

Në po këtë vit, në Kosovë kishte gjithsej 408.591 hektarë si sipërfaqe punuese bujqësore: 300.565 ha ara dhe kopshte, 12.056 ha pemishte, 9.321 ha vreshta dhe 86.749 ha kullosa. Por, edhe 174.904 ha kullosa e 206 ha moçale, kallamishte e hurdha. Prej këtyre, 300.565 ha ara e kopshte, 220.261 ha ishin të mbjella me drithëra.

Në vitin 1988, u prodhuan 36.880 tonë mish (16.673 tonë mish gjedhi dhe 5.116 tonë mish derri), 297.680.000 litra qumësht dhe 203.531.000 kokrra vezë. Kishte 703 ekspertë të bujqësisë të punësuar në organizata bujqësore e që ishin me fakultet ose shkollë të lartë dhe 842 të tjerë me shkollë të mesme, si dhe 254 veterinarë.

Kosova sot ngec dukshëm krahasuar me të gjitha dhe secilin vend të rajonit. Por, nuk ishte kështu edhe në vitin prej kur lindën shumica e banorëve të Kosovës. Në vitin 1988, Kosova prodhonte 379 mijë tonë grurë, Sllovenia 164 mijë tonë kurse Maqedonia 295 mijë tonë.

Uji Dea

Kosova prodhonte 15.093 tonë vishnje kur Sllovenia prodhonte 791 tonë, Maqedonia 9.688 tonë, Kroacia 13.416 tonë, Mali i Zi 1.178 tonë e Bonja e Hercegovina 4.767 tonë vishnje. Më tutje, Kosova prodhonte 58 mijë tonë rrush kur Vojvodina prodhonte 55 mijë tonë, Mali i Zi 23 mijë tonë e Bosnja e Hercegovina 37 mijë tonë. Edhe rendimenti ishte i lartë në Kosovë. Për shembull, për grurë: në Kosovë3,66 tonë për hektarë, në Serbi 3,65 (pa Vojvodinën), në Maqedoni 2,41, në Mal të Zi 2,82 e në Bosnje e Hercegovinë 3,26 tonë për hektarë.

Krahasuar me Serbinë pa Vojvodinën, rendimenti në Kosovë ishte më i lartë përveç për grurë edhe për elb, thekër, li, duhan, repë vaji, patate, fasule, speca, tërfil, molla, dardha, kumbulla, vishnje, kajsi, arra dhe rrush. Për vishnje dhe rrush, rendimenti në Kosovë për hektar ishte më i lartë edhe se dyfishi i rendimentit në Serbi.

Krahasuar me Maqedoninë, Kosova printe në rendiment në grurë, elb, thekër, misër, repë vaji, panxharsheqeri, duhan, luledielli, li, patate, fasule, tërfil, dardha, vishnje, kajsi e arra. Dhe, në jo pak prej këtyre me diferencë të thellë. Kosova kishte 217 tonë kumbulla të thara, që ishte më shumë se cilado dy vende marrë së bashku prej këtyre tri sosh: Sllovenia (58 t), Maqedonia (126 t), Mali i Zi (62 t).

Në vitin 1988, Kosova kishte 405 mijë krerë gjedhëve (bagëti e trashë), ku Vojvodina kishte 255 mijë e Maqedonia 291 mijë; Kosova kishte 407 mijë dele, kur Vojvodina kishte 329 mijë e Sllovenia 14 mijë. Kosova kishte 302 tonë mjaltë kur Sllovenia kishte 214 tonë, ndërkohë që produktiviteti ishte përafërsisht i barabartë me diçka më pak se 11 kg mjaltë për koshere.
Gjithnjë në vitin 1988, shkëmbimi tregtar i prodhimit industrial në Kosovë ishte: eksporti 526.360 milionë dinarë ndërsa importi 385.411 milionë dinarë. Pra, raporti eksport/import ishte 1,37! Sot, ky raport është dhjetëfish më i ultë në mos edhe më shumë se aq.

Indeksi i prodhimit bujqësor në Kosovë (ku përfshihen lavërtaria, pemëtaria, vreshtaria dhe blegtoria) qysh në vitet e ‘70-ta ishte rregullisht i krahasueshëm me mesataren e ish Jugosllavisë dhe më i lartë se ajo në vitet ’73, ’74, ’75, ’79, ’80, ’81, ’82, ’83, ’85, kurse në vitin 1986 ishte më i lartë se në secilën republikë (përfshirë këtu edhe Vojvodinën)!

Edhe në Kosovë ka aso që thonë se duhet t’i harrojmë fabrikat dhe prodhimin bujqësor e industrial vendor nga e kaluara sepse ai i përket komunizmit. Mirëpo, të gjitha ato ndërmarrje e kapacitete prodhuese i takonin qytetarëve e shoqërisë sepse ishin ndërtuar e zhvilluar me djersën dhe kontributin e popullit. Ngjashëm, edhe në Shqipëri në fillim të’90-tave ca thoshin se ullinjtë duhen nxjerrë me rrënjë meqë janë të komunizmit të Enver Hoxhës. Sot,po të njëjtit njerëz ka shumë mundësi që i kultivojnë ullinjtë në Greqi ku punojnë si argat e me remitancat që ua dërgojnë familjeve të tyre në Shqipëri ato i blejë po ata ullinj të importuar!

Neoliberalizmi është vazhdim i luftës me shënjestër tjetër. Teksa agresioni, okupimi dhe gjenocidi i Serbisë na sulmonte para e gjatë luftës si popull e si komb, neoliberalizmi na sulmoi pas luftës si shoqëri e si prodhim vendor.