Mobi Casa

15-të vite pa Hasan Kadriun: Një zemër që rrahu për Shqipërinë

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Hasan Kadriu – Presheva ngado që shkoi e nderoi Preshevën: “Bashkimi kombëtar është domosdoshmëri e kohës,s’ka ideal më të madh se liria dhe pavarësia kombëtare. Ç’kuptim ka jeta njerëzore kur s’i përket atdheut dhe lirisë.”, thuhet në fillim të librit ” Një zemër që rrahu për Shqipërinë” dedikuar jetës dhe veprës së patriotit dhe veprimtarit tonë të shquar Hasan Kadriu nga Presheva i cili njëherit ishte menaxher i parë shqiptarë i FIFA-s, transmeton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.

Të shkruash për një njeri që s’është më midis nesh,por që duhet të ishte, qenka tepër e vështirë. Një mpirje e përgjithshme ta ndal edhe dorën edhe mendjen. Të behin në kujtesë dhjetëra episode, ngjarje, situata, fragmente bisedash të njeriut që ke dashur e adhuruar dhe nuk donë ta besosh që shoku i zemrës nuk është më krah teje. Atëherë merr nëpër duar një varg letrash e fotografish nga i paharruari dhe i përjetshmi Hasan Kadriu dhe vazhdon sërish bisedën e lënë në mes….

Portreti i mikut të dëshiruar të vjen përpara syve . Zëri i tij i kthjellët, i ngrohtë, i dalë nga thellësia e shpirtit, të pushton të tërin dhe t`i nis të kujtosh edhe çastet edhe vendet ku ke qenë me të, sepse njerëzit me shpirt të madh nuk mund të shuhen kurrë. Ata e kanë lënë vetveten tek unë, te t`i, te tjetri, tek atdheu dhe te populli që i lindi, te tradita dhe kujtesa kolektive. Biografia e bijve të tillë nuk i përket vetëm familjes e mjedisit të ngushtë, por të gjithëve, sepse te të gjithë janë të pashteruar gjurmët që ata kanë lënë. E të lësh gjurmë për mirë nuk është pak.”Të kujtofshin për të mirë!” është një nga urimet më fisnike të njerëzve tanë. Hasan Kadriu e ka merituar gjatë gjithë viteve të jetës këtë ndjellje.

I lindur më 2 shtator 1958 në Preshevën martire, në atë vend epik, ku çdo pëllëmbë dheu mund të dëshmojë sa për vëllime të tëra të historisë, Hasani i vogël u mëkua dhe u brumos me ato virtyte e tipare të larta, që trashëgoheshin brez pas brezi në familjet e të dy prindërve të vet.

Rrënjët e atdhedashurisë vinin nga gjyshërit dhe stërgjyshërit. Dyert dhe odat e shtëpisë kishin qëndruar përherë të hapura për luftëtarët kryengritës dhe shqiponjat e lirisë. Hasanit të vogël nuk i kishin dhënë vetëm emrin e gjyshit të tij, aq të përmendur jo vetëm në Preshevë, Bujanocë e Medvegjë, por kudo mbarë hapësirës shqiptare, por edhe atë gjak të pastër, që do të përtërinte tek ai edhe çiltërsinë, edhe mprehtësinë, edhe kultin për atdheun, lirinë, punën, dijen, virtytin, besën, nderin dhe dinjitetin njerëzor. Shumë herët i dëgjoi dhe i mësoi Hasani njomëzak ato rrëfime legjendare, që i përkisnin gjyshit të tij dhe luftëtarëve kryengritës Jashar Erebara e Dervish Hima e jo vetëm atyre, por edhe figurave të tjera të ndritura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Krenaria ishte legjitime. Pjesëmarrësit e kryengritjeve të mëdha , që nuk ndaleshin deri te Shpallja e Pavarësisë , por që vinin edhe në vitet dhe dekadat e mëvonshme, e bënin historinë të gjallë, të prekshme, intime dhe familjare. Në mur nuk ishte vetëm flamuri i Skënderbeut , por edhe pushka e gjyshit të vet, edhe fotografitë e tij me Mihal Gramenon dhe Bajo e Çerçiz Topullin. Kurse te kamaret nëpër mure mund të gjeje edhe librat e vëllezërve Frashëri, të shtypura në Bukuresht e Stamboll, edhe “Baba Tomorrin” e Çajupit edhe pamfletin poetik ” O moj Shyqypni!” të Pashko Vasës, edhe këngët e hershme të “Lahutës së Malësisë” të Gjergj Fishtës, por edhe plot libra të tjerë, që dëshmonin për traditat e kombit të vet.

Kur historinë e kombit e mishërojnë prindërit dhe gjyshërit e tu, ajo s’të shqitet kurrë dhe hedh shtat brenda vetëdijes individuale. Si mund të shqitej nga kujtesa e njomëzakut që gjyshi i tij, me të njëjtin emër, ishte vrarë në 1924, pikërisht në lëvizjet kaçake të Karadakut të Preshevës ? Si mund t’i shuheshin nga kujtesa tërë ato histori të dhimbshme, që rrëfeheshin në familje për babanë e vet, Skender Kadriun, apo për dajallarët me mbiemrin e përmendur Aliu-Kelmendi?.

Asnjëherë në fëmijërinë dhe rininë e parë s’kishte ndodhur që t’i gëzohej edhe babës, edhe dajave. Herë njëri e herë tjetri do të ishin patjetër o në burg, o të persekutuar. Përse të ishte kështu fati dhe jeta e shqiptarit? Përse shqiptari të mos i gëzohej lirisht tokës së vet, traditave të veta ?Përse kaq e dhimbshme historia e fisit të vet?! Poeti pat thënë dikur se mjerimi e pjek fëmijën para se të burrërohet. Po, a ka mjerim më të zi se robëria?A mund të braktisej rruga e hapur prej prindërve dhe gjyshërve të vet?

I ati i Hasanit, Skender Kadriu, i njohur si Skender Presheva, komandant i Brigadës së Parë Vullnetare Shqiptare, u dënua nga sllavo komunistat. U vetësakrifikua për të shpëtuar, vëllezërit, ushtarët e vet. Ai ishte një intelektual i kompletuar. Pas daljes nga burgu, e kishte shumëfishuar bibliotekën e shtëpisë. Kush fut dituri e libra në familje e ka zmadhuar edhe lirinë, edhe kuptimin për të. I ati zotëronte shumë gjuhë të huaja. Me diksionin aq melodioz të frëngjishtes, ai ua bëri të lehtë këtë gjuhë edhe bijve të vet Hasanit dhe Skyfterit, qysh në fëmijëri. Por ata s’mund ta harronin këshillën e tij të përhershme:”Gjuhën e nënës, atë mësojeni dhe ruajeni sa të jeni gjallë!”.

Kjo dhe shumë këshilla të tjera e kishin kuptimin më vete: çdo brez duhet të bëjë flijimet e veta për atdheun dhe traditat kombëtare. Me këtë frymë mësoi Hasani edhe në klasat e shkollës fillore, edhe në bankat e gjimnazit “Skenderbeu” në Preshevë. Qysh atje u bind për padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëve, sidomos në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës. I dhimbte thellë në shpirt që hapësira gjithëshqiptare ishte ndarë dhe gjymtuar, që krahina të mëdha dergjeshin ende nën pushtim dhe rrezikoheshin orë e çast të asimiloheshin. I kishte ardhur radha brezit te tij. S’kishte lindur as tepër herët, as tepër vonë në jetë, se kombi dhe liria i kërkojnë flijimet në çdo kohë. Ç’kuptim ka jeta njerëzore kur s’i përket atdheut dhe lirisë!

Kështu kultivohet tek ai flaka e nacionalizmit deri në atë nivel të vetëdijes sa të formulojë disa parime që do t’i mbrojë derisa të jetë gjallë. E përjeton, e prek golgotën mesjetare të pushtimit serb dhe nuk ushqen asnjë iluzion. “S’mund t’i vë kurrë interesat e shenjta të kombit nën gijotinën e ideologjisë. S’ka ideal më të madh se liria dhe pavarësia kombëtare. Kush s’kupton këtë, s’ka kuptuar asgjë të rëndësishme prej dijes dhe shkollave….Leni “te moderuarit” ne hulli te vet! Bashkimi kombëtar është domosdoshmëri e kohës,jo veç ëndërr dhe aspiratë e largët…Për t’i shërbyer atdheut lypsen më së paku dy nga këto tri elemente: të jesh i ditur, i guximshëm dhe i kamur. Po t’i kesh që të tria, mund t’i shërbesh më mirë atdheut…”

Mobi Casa

Me këto mendime të qarta, një djalë njëzet vjeçar, ndahet nga gjiri i familjes dhe emigron në Zvicër. Rropatet nëpër punë të ndryshme e të rënda,por nuk i ndahet diellit të diturisë. Regjistrohet në Universitetin e Friburgut,në degën e së drejtës ndërkombëtare publike. Atdheu çlirohet me armë dhe me dije. E kryen fakultetin me rezultate shumë të mira, por ndërkohë bëhet një nga epiqendrat e lëvizjes patriotike në emigracion. Vihet në lidhje me vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën dhe më 1981 themelon në Byl te Friburgut klubin “Shote Galica”, që ishte një vatër e ndezur përpjekjesh për liri. Energjik dhe vital, me vullnet titanik dhe pasione intelektuale e sportive,që ia mbajnë edhe mendjen edhe trupin të zhdërvjelltë, ai është në krye të të gjitha veprimtarive , tubimeve e demonstratave në metropolet e Evropës. E ka të pamundur të kthehet në vendlindje dhe ashtu në rrethanat e mërgimit bën të gjitha përpjekjet që t’i ndodhet çështjes kombëtare në ballë.

I kudondodhur, i kudogjendur, ai u vjen në ndihmë të gjithë bashkatdhetarëve të emigruar. I ndihmon moralisht e materialisht, i nxit të studiojnë dhe të lartësohen në rrugën e intelektit, i sqaron që të mos bien pre e pikëpamjeve pseudonacionaliste. Siç dëshmon një nga miqtë e tij më të ngushtë, Xhafer Shatri:”…ai bëhet shtyllë e organizimit të shqiptarëve në Zvicër, bëhet nacionalisti më origjinal dhe më i vendosur që kam njohur ndonjëherë. Shumë prej nesh na u deshën tetë vjet për të mësuar emrat dhe mbiemrat e disa njerëzve që jo vetëm situata i kishte nxjerrë në sipërfaqe”. Ai mendon shumë thellë për fatet e bashkëkombësve të tij ,të cilëve ua vlerëson edhe aftësitë, edhe prirjet, edhe talentet. Adresa të shumta të njerëzve të vendlindjes dhe të të gjitha trevave ku banojnë dhe emigrojnë shqiptarët di t’i gjesh nëpër të gjitha blloqet, fletoret, vizitkartat dhe kalendarët e tavolinës së punës, ku ai punonte. Të tjera, që vinin përherë duke u shtuar, përfaqësojnë njohjet e tij të vazhdueshme me personalitete të sferës së kulturës, politikës dhe sidomos sporteve. Sportist shumë cilësor ne futboll, not, ski e alpinizëm, ai i ushtron njëkohësisht që të gjitha këto aktivitete dhe krijon njohje e lidhje të shumta me sportistë të shquar dhe personalitete.

Përherë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm, ai do t’i kujtonte miqtë në raste festash, kumtimesh e përvjetorësh. Çdokush që do t’i kërkonte një ndihmë, ai do ta vlerësonte dhe do të bënte gjithçka që ta plotësonte. Çdo njeriu ia ka hapur derën e bujarisë dhe të përkujdesjes. Por janë të panumërt sidomos ata emigrantë e udhëtarë që niseshin nëpër Evropë pa patur një mbështetje dhe që, me rekomandime ose pa to, trokisnin në derën e Hasan Kadriut dhe ai, përherë buzagaz, u jepte ndihmat e para, i fuste në punë, u gjente banesë, u mundësonte dokumentet, u plotësonte kërkesat njerëzore dhe imediate që kishin.

Ngaqë donte të ishte sa më i vlefshëm për bashkatdhetarët, i ruante të gjitha lidhjet me personalitetet e botës evropiane dhe s’është për tu çuditur që në arkivin e tij , të gjesh qindra adresa që nisin në Zvicër e vazhdojnë në Turqi, SHBA dhe gjetkë e gjetkë.

Ndërkohë, i etur për të parë Shqipërinë qysh më 1991, ndërmerr së bashku me të atin, mësuesin dhe idhullin e tij, një udhëtim nëpër atdhe. I bie kryq e tërthor Shqipërisë, duke qëndruar me ditë të tëra në qytetet kryesore dhe qendrat historike e muzeale. I gëzohet filizave të para të demokracisë dhe ndihmon moralisht e me gjithçka, që këto filiza të hedhin shtat e të lartohen sa më shpejt.

I mbushur me mbresa dhe përshtypje nga Shqipëria, mendon edhe me shumë se ç’mund të bëjë për t’i ardhur sa më shumë në ndihmë edhe Kosovës, edhe Shqipërisë, përparon në lidhjet e tij me personalitete të futbollit evropian dhe në saje të vendosmërisë së karakterit, intelektit, seriozitetit , tetë gjuhëve të huaja me të cilat komunikon lirshëm, pranohet si i pari dhe i vetmi menaxher shqiptar i FIFA-s.

E nis këtë punë me përkushtim dhe optimizëm të lartë, duke zgjuar ndërkombëtarizimin e vlerave të futbollistëve tanë më të shquar, duke i lincensuar ata në skuadrat e përmendura ballkanike dhe evropiane në rrugën më ligjore dhe më institucionale. Në saje të ndershmërisë dhe korrektesës, fiton një kredibilitet, që rrallë e kanë gëzuar njerëzit në sport, dhe ftohet e përfshihet në kongrese, konferenca dhe aktivitete të rangjeve të larta botërore.

Nuk i shmanget për asnjë çast idealit patriotik dhe shfrytëzon të gjitha udhëtimet dhe rastet që te mbledhë materiale për temën e doktoraturës: “Pozita juridike e shqiptarëve në Greqi në periudhën midis dy luftërave botërore”. Ne Greqi, SHBA, Austri etj. shfrytëzon posaçërisht arkivat dhe bibliotekat, duke qenë thellësisht i përqendruar në problemin Çam. Parimi i tij është se çdo gjymtyrë dhe pjesë e atdheut duhet të na dhembë si të jetë në trupin tonë. Shkruan shumë faqe të kësaj doktorature, pa arritur ta përfundojë(Atentat më 18 shkurt 1998).

Njerëzit e mëdhenj gjenden përherë në lëvizje, në veprimtari, në kërkim, në ndihmë të atdheut dhe të të tjerëve. Hasan Kadriu është sërish në udhëtim. Ai udhëton me siguri drejt atdheut, drejt pavdeksisë.

Ja ku e keni njeriun intim dhe shoqëror, kombëtar dhe universal, Hasan Kadriun nga Presheva, burrin qe do të mbetet përherë i ri dhe burrëror, atdhetarin që deri në çastin e fundit mendoi dhe luftoi për Shqipërinë!

Fragmente të tjera të jetës së tij janë me siguri në kujtesën e shokëve, miqve, të afërmve, ku ai ka lënë vetveten, gjithçka fisnike që kishte.(Marrë nga libri ” Një zemër që rrahu për Shqipërinë”)