Hidromorava

Zhiti: Kam hapur të tjera dosje

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2011 në Shqipëri ka shkuar për shkrimtarin Visar Zhiti. Në ceremoninë e mbajtur mbrëmë në Teatrin Kombëtar, në skenën e akullt, veç tij u ngjitën 9 krijues të tjerë, të vlerësuar për botimet e vitit 2011.

Përjashtim ka bërë në këtë rast Çmimi i Madh, i cili i është dhënë Zhitit me motivacionin: “Për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij”.

Vetë shkrimtari e quajti këtë çmim një shpërblim shpirtëror dhe ia kushtoi edhe të tjerëve shkrimtarë që si ai, ishin të ndaluar të botoheshin.

“Ky çmim tregon që letërsia ka lexues dhe vlerësohet. Në njëfarë mënyre ndjen se po komunikon me lexuesin, ndjehesh i vlerësuar prej tij dhe të vjen mirë. Janë si shkallë që të çojnë diku, por vepra dhe kualiteti i saj është i vetmi çmim për shkrimtarin”, theksoi Zhiti.

I pyetur nëse letërsia e tij me temat e burgut do të vazhdojë, Zhiti u shpreh se “çmimi vjen për të gjithë krijimtarinë. Unë e kam një pjesë të rëndësishme në krijimtarinë time jetën e burgut, por nuk e zgjodha unë, e zgjodhi fati që shkoi atje, unë iu përgjigja. Është një temë që nuk mbaron me mua, unë besoj se i kam thënë ato që doja, por kam përshtypjen se gjithmonë po shihet edhe nga shkrimtarët e tjerë që nuk e kanë vuajtur dhe bëjnë mirë që të mos përsëritet ajo që ka ndodhur”. Cilat do të jenë temat drejt të cilave do të orientohet në të ardhmen? “Temat janë shumë, tani nuk kam gjë të kristalizuar. Kam hapur disa dosje të miat letrare, të cilat do t’i përpunoj në vazhdim”.

Juria që mori në shqyrtim veprat e botuara gjatë vitit 2011 (çmimet janë ndarë thuajse një vit me vonesë), ka pasur në përbërje të saj Amik Kasoruhon si kryetar, Sali Bashotën, Eqrem Bashën, Ali Aliun, Arjan Lekën, Mimoza Hysën, Gentian Çoçolin, si anëtarë.

Kjo ceremoni është shfrytëzuar për të nderuar edhe poetin e ndarë nga jeta, Ali Podrimen, të cilit Presidenti Bujar Nishani i ka dhënë titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në emër të familjes, në skenë u ngjit nipi i tij, i cili theksoi se ky vlerësim do të jetë një shtysë që familja të vazhdojë ta kujtojë.

Nën prezantimin e aktorëve Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa, Çmimi “Petro Marko” i është dhënë shkrimtarit Zija Çela, për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe.

Mobi Casa

Çmimi “Mitrush Kuteli” iu dha shkrimtarit Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë, si dhe një stil unik letrar.

Çmimi “Gjergj Fishta” iu dha shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave.

Poeti Rudian Zekthi është vlerësuar me çmimin “Lasgush Poradeci” për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare.

Çmimi “Faik Konica” shkoi për studiuesin Shaban Sinani për veprën studimore “Camaj i paskajuar”, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e letërsisë shqipe.

Çmimi “Migjeni” shkoi për shkrimtarin debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe.

Çmimi “Fan Noli” iu dha përkthyesve Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj, në gjuhën shqipe.

Për anën tjetër të medaljes, çmimi “Jusuf Vrioni” iu dha përkthyesit Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturën franceze. /shqip/