Zgorreve të mendimit
gurrave të mendimit, koha kodoi motin, hyri shiu i vakët, i mallëngjimit
*
zgorreve të mendimit
gëlojnë grerëzat e bezdisë
*
nga thika e frikës
lakoju si toreadori
bishës së dykëmbëshit
*
godinës së dashurisë
i kishte ngelur murana
dhe epshi i saj
myshku për anash
*
zgorreve të mendimit
arkeologët gërmuan
lashtësinë e korubes
dhe koruben e lashtësisë
*
zgotit të lisit
bezdiste
fija e merimangës
qëndiste
strategjinë e grackës
*
vëri pikë të zezë
mëshirës së avulluar
zgorreve të popëve
të mos shqiptohet
të mos shkruhet
të mos vishet
as si këmishë
as si lutje në kishë
*
mos të ta dyllos
mos të ta vulos
dorë e mendjes
letrën që zgjebos
*
gurrë e fijeve të lidhura
nuk do të ndërrosh udhë
por intuita
shpie drejt pikës
së bardhë të lajthitjes
*
le t’i këputen kumtimit
gjymtyrët e territ
në shenjat e bardha
të pikësimit
Mehmetali Rexhepi, Gjilan, korrik 2012


