Uji Dea

Zejet drejt shuarjes

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Një nga rrugët e këtij qytetit të Prizrenit, ajo e “Saraçeve” që ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit, përballë “Urës së Gurit”, mban emrin pikërisht për shkak të shumë farkëtareve dhe zejeve tjera që dikur ushtronin nëpër dyqanet e vjetra njëkatëshe, ngjitas njeri-tjetrit me arkitekturën e tyre karakteristike.

Kohën e dikurshme, që dikush e cilësonte si “lezet i Perzerenit” ta kujton vetëm një dyqan që ndodhet në ballë të rrugës, e që ka ruajtur traditën e punimit të brisqeve nga brirët e buallicave dhe të deshve. Aty jo vetëm që nuk janë zejtarët, por edhe dyqanet e tyre kanë ndryshuar pamjen.

Shumica janë dykatëshe, të riparuara e rindërtuara, ani pse janë munduar ta ruajnë imazhet e vjetra. Jo edhe shumë larg në kohë, në Prizren dikur ka ekzistuar një numër jo edhe aq i vogël i dyqaneve, pronarët e të cilëve kanë qenë të njohur për prodhimin karakteristik të brisqeve, të kacave, pastaj të magjeve, të qilimave, qelesheve, filigranët, pastaj pushkë punuesit dhe veprimtaritë tjera kësisoj.

Prizreni dikur ka qenë i njohur për punimin me dorë të brisqeve. Trashëgimtarët e familjes së njohur të Ali Prizrenit, thonë se këtë zeje e kanë trashëguar prej afro 8 decenies si një lloj arti, ndërsa tashmë e punojmë vetëm sa për të nxjerrë shpenzimet e familjes.

Shadan Shilik, pronar i dyqanit të njohur për prodhim të brisqeve “Ali Prizreni”, që ndodhet në qendër të qytetit, vetëm disa metra larg ‘Urës së vjetër të Gurit”, tha se përkundër që komuna ka krijuar lehtësi ndaj këtyre veprimtarive, kohët e fundit mezi po mbijeton, për shkak të mungesës së klientelës.

“Kryesisht na vizitojnë të huajt, që shërbejnë me mision në Kosovës, sidomos ushtarakët e KFOR-it”, tha ai. Shilik thotë se tashmë ka vështirësi edhe në sigurimin e lëndës së parë, për prodhim, meqenëse më pak ka buaj, apo dejsh të cilët kanë brirë për prodhimin e brisqeve.

Afrim Tejeci, kryetari i shoqatës së Zejtarëve në Prizren, tha se numri zejtarëve tashmë është zvogëluar aq sa ata mund të numërohen në gishta. “Zejet e vjetra janë veprimtari specifike dhe janë rralluar shumë, prandaj bashkërisht duhet shikuar format që do të ndalin edhe më tkurrjen apo edhe zhdukjen e tërësishme, meqenëse zejtarët edhe ashtu vazhdimisht ankohen për mungesë qarkullimi”, tha ai.

Uji Dea

Për të ruajtur numrin e paktë të tyre zejeve, me të cilët dikur mburrej Prizreni, zejtari Shilik mendon se ato duhet grumbulluar në një vend, që do të vizitohej nga të huajt që qëndrojnë në këtë qytet.

Briskaxhiu që ka ruajtur traditën e familjes, si shembull për shuarjen e zejeve përmend rrugën ku ndodhet dyqani i tij, e që kishte marrë emrin “Rruga e Farkatarëve” në bazë të dyqaneve të shumta që kishte aty, përderisa tashmë nuk ka asnjë të tillë dhe madje as shenjë apo ndonjë fotografi nga pamjet e vjetra.

Edhe Familja Gjurgjeali e Prizrenit, ndërkaq ka traditë 150 vjeçare në prodhimin e çelesheve. Trashëgimtarët e saj, thonë se krahasuar me të kaluarën, kur kjo familje ka siguruar të ardhura, tashmë gjërat kanë ndryshuar krejtësisht.

Njëra nga anëtarët e kësaj familje, Ergyle Gjurgjeali, tha për gazetën “Zëri” se këto veprimtari janë lënë pas dore edhe nga vetë konsumatorët. “Tashmë edhe burrat e këtushëm gjithnjë e më pak mbajnë plisa, ndërsa shitjet më të mëdha i kemi në prag të festave kombëtare dhe të sezonit të dasmave, kur veshjet e dikurshme merren më tepër për suvenire”, shprehet ajo.

Për shkak të mbijetesës, pronarët e dyqaneve karakteristike zejtare thonë se janë detyruar të përziejnë veprimtarinë. Duke parë gjendjen “para vdekjes” të veprimtarive zejtare, Kuvendi Komunal i Prizrenit pesë vjet më parë pat hequr taksën komunale për disa zejeve të vjetra.

Nga rreth 4.500 veprimtari afariste sa mendohet që aktualisht funksionojnë në komunën e Prizrenit, në këtë numër tashmë bëjnë pjesë vetëm edhe disa dyqane të vjetra./zeri/