Mobi Casa

Zbutja e qëndrimeve të Albinit më ngjanë me zbutjen e tarakut të Hajdinit!

/ 11 minuta lexim

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Murroi i Hajdinit: Jam nip i Menxhiqëve nga fshati Lupç i Epërm. Fshat që, bashkë me fshatin Popovë, janë në vijën kufitare që e ndanë Llapin me Bajgorën. Fshati Lupç i Epërm ka pasur trima që kanë luftuar kundër turkut, bullgarit dhe serbit. Ia kanë kthyer pushkën çdo okupatori sikur që ka qenë bazë e sigurt për çetat kaçake dhe luftëtarët e lirisë si pas Luftës së Dytë Botërore ashtu edhe në luftën e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Gjyshe kam pasur Hajdar Menxhiqin që ka jetuar 107 vjet dhe që është kujdesur për mua gjatë pushimeve verore që i kaloja në fshat.

Madje, kur jam dënuar 12 vjet në Gjyqin Ushtarak në Zagreb, në gjykatore ka qenë edhe babagjyshi, me plis të bardhë në kokë e që nuk kuptonte gjuhën serbe. Më duket se për herë të parë dhe të fundit ka qenë atëherë në Zagreb. Daja Faik ka qenë si kreshnik i gojëdhënave, një burrë mustaqemadh, me plis dhe maramë, i gjatë dhe i drejtë si qiri, por ishte edhe i drejtë në jetën e përditshme. Realisht, pushimet e verës i kaloja te dajat, në Lupç të Epërm dhe, pas një kohe, u ambientova dhe i bëja të gjitha punët që i bënin moshatarët, përjashtuar këtu shatin dhe kosën. Nuk më ecnin.

Të shkoje prej Podujeve në Lupç të Epërm ishte përjetim për mua, kurse fëmijët e fshatit mblidheshin ta shihnin se ka ardhur “shehërlia” e që nuk dalloja fare nga ta, isha edhe unë një qurravec dhe, në fillim, më shumë fitoja dajak nga çobanët e fshatit, derisa i përvetësova rregullat e të “mbijetuarit në kushte ekstreme”. Shkoja në fshat me japanka të prodhimit kinez, që ngjanin me allstarkat e sotme dhe, në fund, kur vinte koha të kthehesha, i ndërroja me një palë opinga. I doja opingat në atë kohë. U bëra disi si një bari profesionist sepse shumicën e kohës i ruanim bagëtinë, kryesisht lopë, buallica, dele dhe, që nuk donim fare, kishim edhe do dhi të kuqe të cilat ka qenë vështirë t’i menaxhonim. Terreni ku dërgonim bagëtinë ishte disa kilometra larg fshatit, deri në Kunevik apo te Lagjja e Bajçinovcëve. Iknim herët në mëngjes dhe ktheheshim vonë në mbrëmje. Kohën kur ishte dreka, në mungesë të orës e matnim me shputa të këmbës dhe hijen e trupit. Mëngjesin e merrnim me vete dhe e hanim rrugës, kurse drekën na e sillnin disa çobanë që shkonin në fshat për ushqime.

Për ujë nuk kishim fare problem sepse, ose kishte përroska në mal, ose i hapnim vetë burimet dhe, pasi i linim të kulloheshin, e pinim ujin shumë të pastër. Në atë kohë kur shkoja te dajat mblidheshin fëmijët dhe kërkonin t’iu tregojë ndodhitë në qytet, për Tarzanin, majmunin Qita dhe filmat e tjerë. Si kryepersonazh, e kisha imagjinatën e zhvilluar duke ua krijuar situatat sikur në studiot e Paramounthit. Iu flisja për Akilin, Hektorin, Odisenë dhe Herkulin dhe, pas kësaj, të gjithë i preknim muskujt e duarve, të barkut dhe këmbëve. Unë, disi si Xhingis Kani dhe Hanibali që si mjet transporti dhe mjet lufte i përdornin elefantët, si mjet transporti i përdorja buajt dhe buallicat. U shtrija në shpinën e tyre të gjerë dhe bëja shtatë palë qejfe derisa mbërrinim te kullosat e Kunevikut apo livadhet e Bajçinovcëve. Fort i patëm dëmtuar livadhet e Bajçinovcëve, dardhat dhe qershitë e tyre prandaj, nga një distancë e madhe kohore, si formë kompensimi për Bajçinovcët, i pata siguruar do vota Mefail Bajçinovcit në zgjedhjet e fundit.

Karvanit të gjatë të bagëtive të fshatit Lupç i Epërm i printe një dem murroi, sikur demat mitologjik duke krijuar siguri, si për bagëtinë ashtu edhe për neve, çobanët për faktin se të gjithë shkonim pas tij, sikur pas liderit suprem. Ishte i mirënjohur kau murroi i Hajdinit. Punët shkuan mirë deri në kohën kur murroi i Hajdinit bëri një lëvizje, nga pozita e liderit, kaloi në prapavijë. Mbeti i fundit. E arsyetuam duke ia dhënë, edhe në këtë pozitë rolin mbrojtës, por u bindëm se e kishte pasur me hile. Me rritjen e sasisë së testosteronit, ndryshoi edhe roli dhe misioni i murroit të Hajdinit. Tash, filloi t’iu kërcente, fillimisht lopëve të fshatit (i ruante të familjes), pastaj edhe lopëve të familjes dhe, në fund, nuk bënte dallim midis gjinive, u kërcente aty ku kishte mundësi. Madje filloi të na ndiqte edhe neve, çobanëve. Pas kësaj e refuzuam punën duke kërkuar ta largonin murroin tarak të Hajdinit. Daja the se e bëjnë një zgjidhje dhe e dërguan te një “veteriner”, pa një ditë shkollë (si disa politikanë në Kosovë) i cili, ia shtypi koç… me mjete mekanike duke e tredhur.

Nga perspektiva e ditëve të sotme e kuptoj tredhjen si mjet për disiplinim, atëherë e disiplinuan tarakun murroi të Hajdinit sikur që ndërkombëtarët i tredhën disa politikanë tereq të Kosovës. Pasi u kthye, si pjesë e kopesë ish-taraku murroi i Hajdinit, të shkaktonte situata trishtimi, ishte në depresion, nuk ecte, me një fjalë na shkaktonte shumë probleme në fushën e logjistikës prandaj, disa çobanë shkuam te dajat me kërkesë që, së paku, t’ia kthejnë një koç.. ish tarakut murroi të Hajdinit e që do ta fitonte statusin e gjysmëtarakut do të ishte zgjidhe e pranueshme për të gjitha palët… Dajat na thanë se është e pamundur, por se ka mundësi që pas disa viteve t’i dalin do koç… të tjera. Me këtë donin të fitonin kohë, sikur në këto bisedimet e Lajçakut. Vërtet, pas disa vjetëve pati zhvillime, ish kau murroi tarak i Hajdinit përfundoi si rrip i mishit të terur apo eshtra me mish që përfundonin në vegsh ku zihej fasule. Ne, çobanët, nuk u ndamë aspak keq!

Fidanishtja

Tarakizmi politik i Albin Kurtit: Edhe Albin Kurti hyri në politikë si tarak, me tendencë të bëhet kryetaraku i politikës së Kosovës për fillim e pastaj taraku suprem i të gjithë shqiptarëve. Fillimin e kishte të mbarë, vërtet ishte tarak. Në protestat studentore kur filloi “the final Countdown” për lirimin e objekteve universitare, Albini ishte i pathyeshëm edhe kur inspektorët serbë, në krye me Kovaçin sillnin mbi të me tërë fuqinë që e kishin. Pastaj angazhimi i tij në Partinë Parlamentare ishte i jashtëzakonshëm sikur edhe pranimi që të bëhet sekretar – shef i Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së në Prishtinë e që drejtohej nga Baca Adem Demaçi. Ishte vendim me shumë rreziqe.

Albin Kurti, për dallim nga disa ish-liderë studentorë që sot po i llaskucaven nëpër studiot televizive, duke bërë tifo elektorale, në ndërkohë që tërë karrierën e kanë mbindërtuar me ndihmën e PDK-së dhe Hashim Thaçit të cilin sot e shajnë, në atë kohë i mbeti besnik Bacës Adem. Vetëm Muhamet Mavraj kishte qëndrim korrekt. Albin Kurti e ka shoqëruar Bacën Adem në të gjitha vizitat në zonat e luftës ku, diku e kanë pranuar, diku e kanë refuzuar sikur që ka qenë i pranishëm në takimin kualifikues për Rambuje midis Robin Kukut dhe Bacës Adem Demaçi në Shkup. Nuk është e vërtetë se Albini i është dorëzuar policisë serbe për ta shpëtuar bythën, por është arrestuar me tërë familjen, vetëm nëna e tij, Arifja, ka qenë e lirë. Në burgun e Lipjanit e kanë rrahur aq shumë saqë pa ndjenja e kanë dërguar në burgun e Pozharevcit ku mbahet mend qëndrimi i tij antologjik në përballje me ministrin e Drejtësisë së Serbisë, i kontrabanduar si gazetar. Pas lirimit nga burgu, piarin ia ka bërë Baca Adem Demaçi dhe Albini ka vazhduar maratonën e kundërshtimit të çdo procesi që e ka vlerësuar se është i dëmshëm për Kosovën. Dhe nuk ka arritur ta pengojë asnjë proces. Golgota e tij ka vazhduar me policinë e UNMIK-ut, E

ULESH-it dhe një pjesë të Policisë së Kosovës që kanë “lënurur lesh në Albinin dhe LV-në”, me apo pa asnjë arsye. Me kalimin e kohës Albin Kurti, në përpjekje të ndërtimit të identitetit të vet dhe karizmës personale, është përpjekur të shkelë mbi diçka të shenjtë, mbi krijuesin dhe, siç thoshte, babanë politik, Bacën Adem Demaçi. Albini, si tarak politik, i ka akuzuar të gjithë politikanët e vendit se i ka zënë bakllavaja derisa edhe vetë ka rënë në bakllavanë e Florin Kelmendit, tutorit që ia financoi, me kushte, zgjedhjet e para ku erdhi edhe te ndarja e Bacës, me Albinin. Dhe kur një pjesë e idealistëve, heshtur u larguan nga përkrahja e LV-së, isha edhe unë, pa e dëmtuar publikisht, pasioni i Albinit për pushtet shkoi deri në grykësi. Tarakizmin politik të Albin Kurti fillimisht ia ka zbutur pak Florin Kelmendi për të vazhduar me Devollët dhe tash, duket se darët që ia mbajnë koç.. e Albinit, të shtrënguara apo të liruara, po i mban Ekrem Lluka. Albini e pati pushtetin vetëm 52 ditë dhe vetë e rrëzoi veten, jo se e rrëzuan të tjerët.

Tash po synon pushtet absolut, me një xhurulldi kandidatësh për deputetë, në mesin e të cilëve ka shumë të mirë, por ka të tillë që as “qeni nuk i hanë” dhe që, nëse nuk bën ndryshime rrënjësore, jo që do ta humbë primatin e tarakut politik, por do të shndërrohet në një eunuh politik! Albini nuk e ka një të kaluar prej së cilës duhet të turpërohet, përkundrazi, prandaj nuk e kuptoj pse, duke fshirë deklaratat nga e kaluara për personalitetet apo proceset politike, dëshiron të distancohet nga ajo e kaluar. Natyrisht, politikani i mirë nuk ikën nga e kaluara, por e pranon se ka gabuar në të kaluarën. Ky është testi kur një politikan e pranon sinqerisht se mendon ndryshe dhe se është për bashkëpunim me të gjithë ata që e duan këtë vend dhe se dashuria për vendin dhe kombin nuk duhet të jenë të formatizuara vetëm sipas pikëpamjes së LV-së.

Deklarata për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem apo rishikimin e marrëveshjeve të nënshkruara, në Bruksel apo Uashington, i shkaktojnë dëme edhe LV-së, edhe Albinit si dhe Kosovës. Vardisja e Albinit dhe LV-së, Miroslav Lajçakut dhe BE-së, është një blof apo flluskë sapuni aq më parë që asnjë zgjidhje për Kosovën nuk mund të bëhet pa përkrahjen e ShBA-së. Nëse Albini këmbëngul në këtë që po e deklaron, atëherë qartazi e tregon se nuk ka gatishmëri për të qeverisur dhe për të marrë përgjegjësi. Mendoj se Albin Kurti do të jetë bashkëpunues, në radhë të parë me subjektet politike të Kosovës, pastaj edhe me ndërkombëtarët, në të kundërtën e pret fati i kaut murroi e tarak të Hajdinit, do të tredhet politikisht, për të mos e rikthyer kurrë më potencën politike. Këtë as Albinit e askujt tjetër nuk ia dëshiroj, në asnjë mënyrë. Nëse kjo, megjithatë, do të jetë zgjedhje e vet Albinit, ia paftë hairin! Vetëm i kastruar politikisht mund të bëhet Fidel Kastro i Kosovës!