UBT

Williamson: Raporti i Martyt, re e zezë mbi rajon!

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Raporti për tregtinë e organeve i Dick Martyt, padyshim se ka ndikuar në imazhin e Kosovës dhe në imazhin e njerëzve që janë në pushtet, ka thënë John Clint Williamson, shef i ekipit të EULEX-it, që heton pohimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Qëkur në tetorin e kaluar është emëruar në këtë post, në media nuk është thënë asgjë për hetimet. Edhe pse formalisht prokurori amerikan punon në kuadër të EULEX-it, qendra e ekipit është në Bruksel, në një vend të fshehtë, me sistem autonom dhe masa të posaçme të sigurisë.

Williamson deri sot nuk e ka dhënë asnjë deklaratë apo intervistë për media, kështu që intervista me korrespondentin e Tanjugut paraqet adresimin e tij të parë për publikun.

“Fatkeqësisht, në natyrën e hetimit kriminal është që shumëçka të bëhet prapa dyerve të mbyllura”, tha Williamson, duke shtuar se asnjë prokuror apo polic përgjegjës nuk do të zbulojë publikisht informacionet mbi progresin dhe provat e mbledhura, përderisa hetimi është duke vazhduar.

“Kur e keni një hetim kështu të ndërlikuar, atëherë e ndërtoni në fakte, ashtu që një dëshmi çon te tjetra. Nëse ju publikoni çfarë keni mbledhur, rrezikoni t’i komprometoni provat, duke rrezikuar jetët e dëshmitarëve dhe duke varrosur tërë hetimin”, thotë Williamson.

Kur është fjala për pjesën më të bujshme të raportit të Martyt, për gjoja rrëmbimin e njerëzve dhe marrjen e organeve te e ashtuquajtura “shtëpia e verdh” në Shqipëri, Williamson paralajmëron se spektri i krimeve është më i gjerë.

Në publik, tregon Williamson, ka konfuzion me pohimet për marrjen e organeve të civilëve në vitet 1999-2000 dhe rastin e fundit të klinikës prishtinas “Medicus”.

“Këto janë dy situata shumë të ndryshme”, shpjegon ai. “Kur është fjala për ngjarjet e viteve 1999-2000, thuhet se njerëzit u çuan në kampet e paligjshme dhe u vranë atje për t’ua nxjerrë organet. Në rastin e ‘Medicus’ njerëzit janë udhëzuar për të dhënë vullnetarisht organet, për këmbim të një pagese. Askush nuk u vra edhe pse disa janë mashtruar”.

Williamson thotë se ka resurse të shumta materiale, njerëzore e ligjore që punën ta kryej me sukses deri në fund, por tërheq vërejtjen se hetimi, që përfshinë tri juridiksione dhe hapësirën kohore prej më shumë 12 vitesh, do të jetë i gjatë dhe kompleks.

Fundamenti

Ai thekson se është i kënaqur me mbështetjen që kanë premtuar nga Beogradi, Prishtinë dhe Tirana.

“Në parlamentin e Shqipërisë në mënyrë unanime është miratuar ligji që na jep të njëjtin autoritet që stafi i Tribunalit të Hagës e ka pasur në ish-Jugosllavi, pra që ne të mundemi në mënyrë pavarur t’i kryejmë hetimet”, tha Williamson. “Kur është fjala për Kosovën, fuqizimet tona i marrim nga mandati i EULEX-it, kështu që edhe aty mund të punojmë të pavarur nga pushteti i Kosovës”.

Një nga veçantitë e postit të tij, si prokuror, është se nuk e di se në cilin gjyq dhe ku do të bëhet gjykimi – nëse ngritën akuzat.

“Ne jemi pjesë e sistemit gjyqësor të EULEX-it, por do të shohim nëse çështja shkon para gjykatësve ndërkombëtarë, të cilët janë tashmë në Kosovë, apo për këtë rast do të krijohet një gjykatë të veçantë”, thotë Williamson, i cili thekson se prapë do të jetë “gjykatë ndërkombëtare me gjyqtarët ndërkombëtarë”.

Kur është fjala për vendin e gjykimit, ai thotë se kjo do të varet nga kushtet politike e të sigurisë që do të sundojnë në atë moment.

“Kjo mund të jetë në Kosovë, nëse kushtet janë të favorshme, dhe mundet edhe në ndonjë vend tjetër. Por, çështje është ende nën shqyrtim. Kriteret e njëjta se pse selia e ekipit është jashtë Kosove, do të ndikojë edhe në vendimin se ku do të bëhet gjykimi”, thotë Williamson .

Ai shpjegon po ashtu pse është më mirë që hetimi i raportit të Martyt të bëhet nën EULEX-in e jo Kombet e Bashkuara, siç ka kërkuar Serbia dhe Rusia.

“Për formimin e gjyqit të ri nën patronazhin e OKB-së nevojitej më shumë kohë sesa formimi i ekipit tonë”, thotë ai, duke treguar se përgatitja e një statuti të ri të gjykatës, si dhe sigurimi i burimeve njerëzore e materiale, do të kërkonte së paku një apo dy vite. Megjithatë, shton se Këshilli i Sigurimit është i përfshirë në hetim nga raportet që rregullisht merr nga EULEX-i.

Williamson vlerëson rezultatet e hetimit mund të vijnë pas dy-tri vitesh, e varësisht nga to edhe ngritja e akuzave eventuale. /Telegrafi/