ARKATANA

Komandanti i KFOR-it flet për sigurinë në Kosovë: Nuk ka kërcënime të drejtpërdrejta

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi, komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe se aktualisht nuk ka tregues për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë, megjithëse ka paralajmëruar se tensionet e pazgjidhura, retorika nxitëse dhe dezinformimi vazhdojnë të paraqesin sfida që kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme.

Në intervistë me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Ulutash tha se KFOR-i mbetet plotësisht i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës, duke theksuar se misioni i NATO-s është i pajisur, i trajnuar dhe i pozicionuar për të reaguar shpejt në rast nevoje.

Duke folur për situatën në veri, komandanti i KFOR-it vlerësoi se aktualisht gjendja është e qetë dhe se nuk janë regjistruar incidente të ngjashme me ato të vitit 2023, por nënvizoi se misioni nuk po e ul vigjilencën për shkak të çështjeve të pazgjidhura dhe ndikimit që mund të kenë dezinformimi dhe retorika e papërgjegjshme në terren.

Ai theksoi se KFOR-i vazhdon koordinimin e ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë, EULEX-in dhe autoritetet përkatëse në rajon, ndërsa përsëriti se stabiliteti afatgjatë në Kosovë nuk mund të arrihet përmes zgjidhjeve ushtarake, por përmes dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Për më shumë shiko dhe lexo diskutimin e plotë:

Telegrafi: Kjo është hera e dytë që ju jeni në krye të KFOR-it në Kosovë, si përshkruani këtë?

Ozkan Ulutash: Të shërbej për herë të dytë si komandant i KFOR-it është vërtet një privilegj i thellë për mua, veçanërisht duke pasur parasysh se KFOR-i është misioni më i gjatë dhe aktualisht më i madhi në historinë e Aleancës sonë Atlantike.

Ky mandat i dytë më ka mundësuar të ndërtoj mbi marrëdhëniet e gjera me të gjithë homologët e mi, të cilat, i kam arritur më parë, dhe gjithashtu të thelloj kuptimin tim për kontekstin më të gjerë të situatës së sigurisë në Kosovë dhe gjithashtu në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është një përgjegjësi kërkuese, por edhe shpërblyese, që kërkon vigjilencë të vazhdueshme dhe gjithashtu paanshmëri për të naviguar, shumë kompleksitete.

Unë mbetem i fokusuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin tonë afatgjatë, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Telegrafi: Kur jemi te KFOR-i, tema kryesore është siguria natyrisht. Si e vlerësoni sot situatën e sigurisë në Kosovë?

Ozkan Ulutash: Në fakt, që nga mandati im i parë në krye të KFOR-it, situata e përgjithshme e sigurisë në gjithë Kosovën nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Ajo është përgjithësisht e qetë. Nuk ka tregues, që tregojnë për rrezik të sigurisë apo kërcënime të drejtpërdrejta ndaj një mjedisi të sigurt dhe të qetë. Duke thënë këtë, ende ka një numër çështjesh të pazgjidhura që duhet t’i marrim parasysh. Pra, ne duhet të jemi vigjilentë, në thelb. Dhe kjo është ajo që KFOR-i bën çdo ditë duke mbajtur një prani të dukshme dhe fleksibile në terren përmes patrullimeve të rregullta, vendosjes së pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale për të siguruar ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Telegrafi: Sa e brishtë mbetet situata në veri dhe çfarë masash konkrete po ndërmerr KFOR-i për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve pas sulmit në Bansjkë?

Ozkan Ulutash: Aktualisht, situata e sigurisë në veri të Kosovës është gjithashtu e qetë. Nuk kemi parë incidente të ngjashme të sigurisë që nga viti 2023. Pas aktit të papranueshëm të dhunës të kryer kundër paqeruajtësve të KFOR-it dhe gjithashtu paqeruajtësve në Zveçan dhe gjithashtu personelit të Policisë së Kosovës në Banjskë.

Por siç kam thënë më parë, ka çështje të pazgjidhura, retorikë jo të dobishme herë pas here, dhe gjithashtu dezinformim të përsëritur. Të gjitha këto aspekte të kombinuara kanë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë. Prandaj, ne nuk po e ulim vigjilencën.

Ne gjithashtu mbajmë komunikim të rregullt dhe transparent me të gjithë homologët tanë kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, EULEX-in, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, dhe Forcat e Armatosura Serbe. Në fakt, e gjithë kjo ndihmon për të parandaluar keqkuptimet dhe për të siguruar shkëmbimin në kohë të informacionit. Në fund, kontribuon drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe gjithashtu drejt stabilitetit rajonal.

Telegrafi: Në rast të një përkeqësimi të shpejtë të situatës, sa i gatshëm është KFOR-i të reagojë dhe çfarë kapacitetesh konkrete ka në terren?

Ozkan Ulutash: KFOR-i është i pajisur mirë, i përgatitur mirë dhe i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo përkeqësimi të situatës dhe në përgjithësi gjithashtu për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Forcat tona janë të dislokuara në mënyrë fleksibile në gjithë Kosovën. Gjithashtu, ne kryejmë trajnime dhe ushtrime të rregullta për të siguruar që personeli ynë të ruajë nivelin më të lartë të gatishmërisë operacionale. Dhe gjithashtu, ne mund të dërgojmë shpejt përforcime kur është e nevojshme. Ditë pas dite, ne vazhdojmë të japim kontributet tona për një mjedis të sigurt dhe të qetë, për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Mobi Casa

Telegrafi: A ka ndryshuar roli i KFOR-it viteve te fundit?

Ozkan Ulutash: Në fakt, mandati i KFOR-it mbetet i pandryshuar dhe vazhdon të bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Roli ynë është të kontribuojmë për një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe të sigurojmë lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë. Ne mbetemi të fokusuar në përmbushjen e misionit tonë. Ndërsa misioni ynë mbetet i palëkundur, ne kemi përshtatur qëndrimin tonë për të mbetur fleksibil dhe të dukshëm në terren, veçanërisht në veri të Kosovës, për t’iu përgjigjur mjedisit të sigurisë në zhvillim. Ne vazhdojmë të operojmë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Në fund, KFOR-i mbetet një shtyllë kyçe për stabilitetin rajonal, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që dialogu politik të ecë përpara.

Telegrafi: Ju përmendët pak bashkëpunimin. Cili është niveli i bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në menaxhimin e situatave të ndjeshme?

Ozkan Ulutash: Pra, KFOR-i mban një marrëdhënie profesionale dhe efektive me Policinë e Kosovës, e cila vepron si reaguesi i parë i sigurisë. Ne operojmë në koordinim të ngushtë dhe të përditshëm me Policinë e Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë në gjithë Kosovën.

Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës, NATO vazhdon të mbështesë zhvillimin e saj nën mandatin e saj origjinal të mbrojtjes civile përmes Ekipit Ndërlidhës dhe Këshillues të NATO-s, në fakt, i cili është i ndarë nga misioni i KFOR-it, edhe pse ata janë të vendosur në një kamp të KFOR-it.

Vlera e shtuar e bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm me organizatat e sigurisë në Kosovë reflektohet gjithashtu në aktivitetet tona të rregullta të përbashkëta të trajnimit. Për shembull, në nëntor 2025, ne zhvilluam, ekzekutuam {Ushtrimin Golden Sabre 2025”. Pra, patjetër ushtrimi pasqyroi gatishmërinë e të gjithë personelit pjesëmarrës për të punuar së bashku në, në skenarë kompleksë të sigurisë. Dhe demonstroi edhe një herë përfitimet që koordinimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe organizatave të sigurisë në Kosovë mund të sjellë për sigurinë e qëndrueshme në gjithë Kosovën. Dhe për stabilitetin rajonal.

Telegrafi: Cili ka qenë bashkëpunimi me institucionet e Kosovës në përgjithësi?

Ozkan Ulutash: Si komandant i KFOR-it, unë mbaj komunikim të rregullt të hapur me të gjithë aktorët kyç në Kosovë dhe në rajon. Kjo përfshin koordinim të ngushtë me përfaqësues të ndryshëm të institucioneve në Kosovë. Ne mbajmë një marrëdhënie transparente dhe gjithëpërfshirëse, ndërveprim me të gjithë aktorët për të rritur vetëdijen institucionale dhe gjithashtu për të shmangur keqkuptimet. Ky bashkëpunim është jetik për ruajtjen e balancës ndërmjet progresit politik dhe situatës së sigurisë në terren. KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj mandatit të tij afatgjatë të OKB-së dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me të gjithë partnerët për të mbështetur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Telegrafi: Si e vlerësoni besimin e qytetarëve ndaj KFOR-it dhe a ka dallime në perceptim mes komuniteteve?

Ozkan Ulutash: KFOR-i mbetet një nga organizatat më të besuara në Kosovë, dhe ne punojmë çdo ditë për ta ruajtur këtë besim përmes një qasjeje të paanshme dhe transparente në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ekipet tona ndërlidhëse dhe monitoruese, të cilat janë veshët dhe sytë tanë në terren, angazhohen drejtpërdrejt me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve për të kuptuar shqetësimet e tyre dhe gjithashtu për të ndërtuar besim të ndërsjellë. Në fund, kredibiliteti i misionit tonë ndërtohet mbi përkushtimin e tij të palëkundur ndaj mandatit të tij afatgjatë të OKB-së, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme.

Telegrafi: A ka një plan afatgjatë për reduktimin e pranisë së KFOR-it apo për transformimin e rolit të tij në Kosovë?

Prania e KFOR-it është e bazuar në kushte dhe mbetet e përcaktuar nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s, bazuar në situatën e sigurisë në terren. Fuqia dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen periodikisht dhe përshtaten me zhvillimin e rrethanave. Pra, në thelb, për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin. Fokusi ynë mbetet te ruajtja e një qëndrimi të fuqishëm dhe fleksibil në terren, gjithmonë të gatshëm për t’u përshtatur sipas nevojës. Pra, KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Telegrafi: Gjeneral Ulutash, në fund, cili do të ishte mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës?

Ozkan Ulutash: KFOR-i mbetet i fokusuar me saktësi në kryerjen e misionit të tij bazuar në mandatin afatgjatë të OKB-së në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Përkushtimi ynë është i palëkundur dhe reflektohet në një gamë të gjerë aktivitetesh të përditshme të kryera nga personeli i KFOR-it. Në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Megjithatë, zgjidhja për stabilitet të qëndrueshëm në gjithë Kosovën nuk është ushtarake. Në fund, ajo është politike. Prandaj, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë të bëjë atë që është e mundur për të krijuar hapësirë për këtë dialog politik, stabiliteti afatgjatë në fund varet nga progresi, i cili është i dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Roli ynë do të vazhdojë të ofrojë një kornizë sigurie që i mundëson këtij procesi politik të ecë përpara, në mënyrë që të gjitha çështjet e mbetura pezull të mund të adresohen duke marrë parasysh të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Telegrafi: Gjeneral Ulutash, faleminderit për kohën tuaj.

Ulutash: Faleminderit shumë që më ftuat. /Telegrafi/