Uji Dea

Weber: S’ka rast në historinë e dialogut politik kur pas marrëveshjes eskalon situata në terren

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Analisti gjerman, Bodo Weber, vazhdon ta konsiderojë të gabuar dhe të dështuar qasjen e ndërmjetësuesve europianë e amerikanë në dialogun Kosovë-Serbi e rrjedhimisht edhe produktin e këtij procesi – marrëveshjen e fundit të dakorduar në Bruksel dhe planin për zbatimin e saj që u arrit në Ohër.

Alma Baxhaku

Në një intervistë me shkrim për Gazetën Express, Weber ka fajësuar Berlinin, Parisin dhe administratën aktuale amerikane, e cila, sipas tij, kur është fjala për dialogun më shumë po shfaq vazhdimësi sesa të kundërtën e asaj që bënte Administrata e Trumpit.

“Qasjen e dialogut, nga Berlini dhe Parisi vitin e kaluar e cila më pas në masë të madhe u vu në duart e Lajcak, Borrell dhe amerikanëve (e cila nën administratën e Bidenit në mënyrë tronditëse po krijon më shumë vazhdimësi sesa jovazhdimësi me politikën e mëparshme të Administratës Trump ndaj Ballkanit Perëndimor) e konsideroj absolutisht të gabuar dhe përfundimisht të dënuar me dështim”, ka thënë Weberi për Express.

Weber ka mbetur i habitur edhe me zhvillimet e fundit në Bruksel kur Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq të enjten e kaluar udhëtuan në Bruksel pas ftesave të BE’së për një takim me qëllim të shtensionimit të situatës në Veri. Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, zhvilloi takime me ta, por nuk arriti të realizonte një takim të përbashkët.

Mungesën e një takimi trepalësh, Weber e sheh si një tjetër dëshmi se çfarë rrëmuje të rëndë politike kanë krijuar gjatë vitit të kaluar BE dhe SHBA me politikën e tyre të dialogut.

“Ne nuk kemi parë kurrë në të kaluarën, që palët së pari të rezistojnë për të pranuar thirrjen nga Brukseli dhe më pas të refuzojnë të ulen në të njëjtën tryezë”.

E teksa SHBA dhe BE po përpiqen të shtyjnë palët drejt një kompromisi që fillimisht do ta qetësonte gjendjen në Veri, paralelisht po i kërcënon me masa nëse nuk e pranojnë planin e deeskalimit të prezantuar nga Borrell.

“SHBA aplikoi sanksione të caktuara. Po ashtu, nëse e kam të qartë, edhe BE ka iniciuar sanksione të caktuara duke mos i ftuar përfaqësuesit e Kosovës në forume të caktuara të BE’së. Nëse pasojnë sanksionet financiare, kjo natyrisht do të ketë ndikim edhe më të madh”, thotë Weber.

Por, a mund t’i preket liberalizimi i vizave Kosovës si një sanksion. Weber thotë se tashmë kjo ka ndodhur kur Kosova u shty drejt pranimit të planit franko gjerman.

“Kjo nënkupton se liberalizimi i vizave de facto ishte aplikuar si një formë sanksionesh”.

Por, ai potencon se tani nuk është i sigurt nëse vizat do të futeshin në menynë e sanksioneve nëse Kosova dhe Serbia s’pajtohen për deeskalimin e situatës në Veri.

Duke i komentuar masat e paralajmëruara të BE’së ndaj Kosovës, Weber thotë se përgjegjësia imediate për përkeqësimin e situatës në Veri është e Kurtit, por gabimi qëndron te qasja e gabuar në procesin negociator përfshirë zbutjen që po i bëhet Vuciqit të cilin e quan autokrat-nacionalist.

“Dihej që në fillim të atij procesi se kryeministri Kurti ka disa pikëpamje dogmatike politiko-ideologjike lidhur me dialogun dhe serbët e Kosovës që do t’i vështirësojnë negociatat. Në vend që të merren parasysh këto, kjo qasje e gabuar politike e ndërmarrë nga BE-ja dhe SHBA-ja vetëm sa i ka ngurtësuar ato pozicione dhe fijet e njëanshme dhe presioni ndaj Prishtinës do të jenë vetëm kundërproduktive”, ka theksuar ai.

RCCOLA

Weber e sheh absurde situatën që dy palët kanë arritur marrëveshje në letër, ndërsa situata në terren vetëm ka eskaluar. Sipas analistit gjerman, nuk ka një situatë të ngjashme në histori me këtë.

“Në historinë e dialogut politik nuk kemi pasur një rast kur pas arritjes së marrëveshjes ka eskalim të gjendjes në terren, sic ndodh në Veriun e Kosovës” ka shtuar ai.

Duke e përmendur lirimin e tre policëve kufitarë të Kosovës nga regjimi i Vuçiqit, sipas Weber, presioni nuk është rikthyer krejtësisht mbi Qeverinë Kurti.

“Për të arritur një de-përshkallëzim të menjëhershëm, Beogradi do të duhet të heqë dorë nga insistimi që kushtëzon pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e reja në veri me themelimin e Asociacionit – nuk e kam parë që Vuçiq është dorëzuar ende për këtë. Plus, këmbëngulja – selektive – e Kurtit për sundimin e ligjit dhe demonstrimi i habitshëm publik i Borrell-it për një injorancë të plotë mbi sundimin e ligjit po e ndërlikon më tej procesin”.

Duke folur rreth pozicionimit të kryeministrit Kurti në këtë situatë, Weber thotë se pala kosovare ka mbetur më parimorja në negociata.

“Edhe pse performanca e qeverisë, përfshirë veriun dhe ndaj serbëve të Kosovës ka dëshmuar se këmbëngulja e qeverisë Kurti në parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit të jetë jokonsistente, selektive, Prishtina ka mbetur më parimore se pala BE-SHBA në negociata dhe është shpallë problemi kryesor, për shkak të kësaj mbrojtjeje të parimeve dhe vlerave tona perëndimore dhe për këmbënguljen në aspektin negociues, si ai për marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që më parë, p.sh. ishte edhe pozicion politik i Berlinit”.

Me këtë qasje, thotë Weber, Perëndimi vetëm sa ka ushqyer pikëpamjet ideologjike dogmatike të Kurtit, ka ushqyer kokëfortësinë e tij dhe ka prishur besueshmërinë e tyre në marrëdhëniet me Prishtinën.

Për këtë arsye, Weber thotë se është kaq e vështirë arritja e marrëveshjes për de-përshkallëzimin afatshkurtër, e lëre më ajo zbatimin e marrëveshjes bazë.

“Është shndërruar në një lloj dinamike të profecisë vetëpërmbushëse, në të cilën qeveria Kurti kontribuon në mënyrë proaktive në përshkallëzimin në veri vitin e kaluar për targat dhe tani për kryetarët e komunave – si kur detyrohet që t’i fusë kryetarët të punojnë në ndërtesat komunale, pavarësisht se të gjithë kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm paraprakisht, kjo përfundimisht do të çojë në përshkallëzim të dhunshëm”.

Sidoqoftë, Weber thotë se përgjegjësia kryesore politike dhe tani e sigurisë u bie së pari BE’së dhe SHBA’së, së dyti Vuçiqit dhe së treti Kurtit.

Por, ku qëndron në gjithë këtë situatë çështja e Asociacionit?

Weber thotë se Asociacioni dikur në qendrat perëndimore, veçmas në Berlin, shihej si një zgjidhje brenda marrëveshjes përfundimtare – që nënkuptonte njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Natyrisht – ka qenë më parë mirëkuptimi i aktorëve kryesorë perëndimorë, veçanërisht i Berlinit, se çështja e Asociacionit mund të zgjidhet vetëm brenda kornizës së një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse – që përfshinte njohjen formale ligjore të Republikës së Kosovës nga Serbia dhe se vetëm në atë kontekst do të mund të keni në bord kryeministrin Kurti dhe partinë e tij” pohon analisti gjerman.

“ Lejimi i Serbisë për ta kthyer Asociacionin në një prioritet kryesor, pa një rrugë të qartë drejt një marrëveshjeje përfundimtare dhe një rrugë të qartë drejt njohjes, ishte receta e sigurt për dështimin”, përfundon Weber.