Mobi Casa

Vullneti për pafuqi

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Shala-Ditë pas dite, hap pas hapi, po bie fuqia e shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, do të jetë shumë vështirë që të mbrohen interesat jetikë të Kosovës këtu dhe në Botë.

Pakkush në këtë Rendin Ndërkombëtarë prej shteteve dhe popujve vendosë për vete, përkundër iluzioneve që elitat politike shfaqin para qytetarëve të vet.

Ndryshe, mbase nuk bën. Politikanët e një shteti dhe liderit e një populli, duhet ta krijojnë dhe ta mbajnë gjallë bindjen e shtetasve të tyre, që ata po e çojnë deri në fund vullnetin e tyre, edhe në rrethanat kur hiçgjë apo pakçka objektivisht varet prej këtij vullneti dhe prej organizimit politik të atij lidershipi.

Ta zëmë, sa është varë fati i Komunizmit, i përfundimit të Luftës së Ftohtë, i krijimit të një Rendi të ri Botërorë në Evropë, prej zhvillimeve në ish-Jugosllavi apo në Ballkan?

Fare pak. Gjithçka këtu ka qenë rezultat i përplasjes së madhe midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, e cila në radhë të parë ka ndodhë në një qytet, në Berlin, dhe në një shtet, në Gjermani.

Është e vërtetë që Federata e Jugosllavisë kishte nisë të kalbej dhe të shpërbëhej disa vite para shembjes së Murit të Berlinit (1989), në radhë të parë në Kosovë, por historia megjithatë, do të dukej shumë në ndryshe, sikur Bashkimi Sovjetik dhe Komunizmi nuk do të zhbëheshin brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

Si shqiptarë të Kosovës, si shqiptarë në përgjithësi, nuk kemi qenë protagonist të këtyre ngjarjeve të mëdha që i dhanë fund tri Luftërave botërore që kishin Evropën si fushëbetejë kryesore. Por kemi qenë përfitues të mëdhenj, mbasi, më të mëdhenjtë në këtë kënd të Evropës.

Mund të merret lehtë me mend se ku do të ishim ne sot po mos të merrte fund Komunizmi më 1989.

Një raport i njëjtë është vendosë sot e disa vjet midis nesh, si qytetarë të Kosovës, dhe krizës financiare të Eurozonës, ku bëjmë pjesë edhe ne, që prej ditës së parë kur Euro nisi të qarkullojë si banknotë e përbashkët e shumë shteteve të BE-së.

Ne lexojmë dhe përcjellim lajmet se çka po ndodhë me Euro-n, cili shtet është në rradhë për ta marrë Pakon e ndihmës financiare, cili mund të jetë fati i Euro-s dhe i gjithë Projektit të madh të Bashkimit Evropian. Por realisht, ne jemi vështrues pasiv, sepse kështu qëndrojnë punët, ndërsa gjithsesi, do të jemi, në një mënyrë apo tjetrën përfitues apo edhe të dëmtuar nga kjo krizë. Politikisht, dobësimi i Projektit të BE-së ka pasoja tepër të këqija për Kosovën dhe gjithë rajonin, sepse dihet se njëri pas tjetrit, secili më i keq se tjetri skenar mund të dalin në shesh. Financiarisht, poqëse shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Perëndim nuk do të jenë në gjendje t’i dërgojnë tutje disa qindra miliona Euro në vend, mund të ndodhë, as më pak dhe as më shumë, bankrotimi i Republikës së Kosovës.

Por duket që nuk po preokupohemi shumë si politikë dhe si shoqëri me këtë variant shumë të keq.

Mobi Casa

Në anën tjetër, një relacion i këtillë i pajtimit me fatin (politik), duket që mbizotëron edhe kur bëhet fjalë për organizimin dhe mbajtjen e fuqisë politike të cilën e kemi në duar, në bazë të statusit të Kosovës, të Kushtetutës dhe të Ligjeve në fuqi.

Kjo fuqi ka legjitimitetin dhe legalitetin e vet, së pari, në një Dokument ndërkombëtarë, çfarë është Propozimi i Presidentit Ahtisaari, pastaj në Kushtetutën, në zgjedhjet për institucionet e vendit, dhe në vetë rrjedhat politike dhe ekonomike.

Natyrisht, fuqia e një shteti, është në përpjestim të drejtë me sundimin e rendit dhe ligjit në te, me respektimin e Kushtetutës, me funksionimin e të gjitha institucioneve relevante, me rritjen ekonomike a zhvillimin ekonomik, me mirëqenien sociale.

Dobësimi i të gjithë këtyre elementeve relevantë, ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në dobësimin e një shteti.

Kur të ‘përkthehen’ këto vlerësime teorike në të përditshmen kosovare, vështirë është t’i iket konkludimit që këndejpari, një garë e çdoditshme për të bërë sa më shumë zhurmë politike, për tu treguar sa më i fuqishëm, përcillet me një dobësim të vazhdueshëm të fuqisë së shtetit të Kosovës.

Ta zëmë, janë të panumërta deklaratat, madje edhe kërcënuese të autoriteteve më të larta të vendit kur flitet për Veriun e Kosovës, për strukturat ilegale të Serbisë në këtë pjesë të vendit, por kur të ndalemi pak e mendojmë pak më gjatë, do ta kuptojmë që integrimi i Veriut të Kosovës nuk bëhet dot pa mbështetjen e një fuqie të madhe ushtarake, çfarë është Pakti NATO, e kjo fuqi, nuk lëvizë dot pa një qëndrim të qartë politik të shteteve kryesore të këtij Pakti.

Ky është realiteti.

Por llojet tjera të pafuqisë, janë shumë më problematike, sepse ato objektivisht, kryekëput janë konsekuencë e dështimeve tona të brendshme. Kemi një Qeveri e cila kërcënohet dhe shantazhohet me raportet e çrregulluara midis partnerëve të koalicionit, e cila, për këtë shkak, është e pafuqishme brenda vetes. Kemi një Kuvend i cili paraqitet si i tillë, si i pafuqishëm, karshi kësaj Qeverie poashtu të pafuqishme, sepse Kuvendi nuk është në gjendje, për shkak të rrethanave të njohura për të gjithë, ta sfidojë Qeverinë. Po kemi edhe situatën kur grupe joformale politike dhe ekonomike, të cilat nuk kanë as legalitet dhe as legjitimitet, kanë në duartë e tyre vendimmarrjen dhe fuqinë të cilat i përdorin për jetësimin e interesave të tyre. Më në fund, kemi një ekonomi të tregut që me fuqinë e sotme që ka, nuk është në gjendje të krijojë vende të reja të punës dhe të ofrojë një perspektivë për qytetarët e Kosovës.

Ditë pas dite, hap pas hapi, po bie fuqia e shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, do të jetë shumë vështirë që të mbrohen interesat jetikë të Kosovës këtu dhe në Botë.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)