Pacolli: Kompromisi është pjekuri politike, zgjedhjet duhet të jenë alternativa e fundit
Ish-kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli ka thënë zgjedhjet e reja janë një mundësi kushtetuese, por nuk do të garantonin zgjidhjen e krizës.
“Zgjedhjet e reja janë gjithmonë një mundësi kushtetuese, por ato duhet të jenë alternativa e fundit. Çfarë do të zgjidhnim nëse shkojmë përsëri në zgjedhje dhe pas tyre gjendemi para të njëjtave probleme? Kosovës i duhet marrëveshje, jo një fushatë tjetër”, u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje liderëve politikë të ulen në dialog pa kushte dhe pa ultimatume.“Prandaj besoj se liderët duhet të ulen në tavolinë pa ultimatume dhe pa paragjykime. Ndonjëherë në politikë duhet të humbësh pak nga interesi partiak që shteti të fitojë shumë”, tha ai.
Sipas tij, kompromisi nuk duhet parë si dobësi.“Kompromisi nuk është kapitullim. Kompromisi është pjekuri politike. Nëse mungon kjo pjekuri, atëherë zgjedhjet mund të bëhen të pashmangshme”, tha ai.
Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, vlerësoi se situata politike po ndikon drejtpërdrejt në besueshmërinë e Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
“Shumë. Kosova nuk mund t’u kërkojë vazhdimisht partnerëve ndërkombëtarë më shumë mbështetje, më shumë njohje dhe integrim më të shpejtë, ndërsa në të njëjtën kohë ne vetë nuk arrijmë t’i bëjmë funksionale institucionet tona“, tha ai për Front Online.
Ai tha se ndërtimi i kredibilitetit ndërkombëtar kërkon vite, ndërsa mund të dëmtohet shumë shpejt.
“Kam kaluar shumë vite duke punuar për njohjen dhe afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe e di sa vështirë ndërtohet kredibiliteti i një shteti të ri. Reputacioni ndërkombëtar ndërtohet me vite, ndërsa mund të dëmtohet shumë shpejt”, u shpreh ai.
Sipas tij, partnerët strategjikë duhet ta shohin Kosovën si një shtet stabil.“Partnerët tanë, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duhet të shohin tek Kosova një partner serioz, stabil dhe të parashikueshëm. Ne duhet të eksportojmë stabilitet, jo kriza politike”, deklaroi ai.


