UBT

Votimi ( tregim)

/ 12 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Nuhi Ismajli – Komunizmin e parë, atë që e kishte sjellë pushtuesi, nuk e kishte përjetuar, sepse, fatbardhësisht, ende nuk kishte lindur. Por, për atë kohë, ai kishte dëgjuar shpesh një tregim tragjikomik të cilin, të rriturit shpesh e kishin treguar.

Sipas tregimit, të cilin e kishte dëgjuar aq e aq herë, kur komunizmi, që kishin sjellë pushtuesit dhe ata që kishin bashkëpunuar me ta, ishte shtrirë fuqishëm dhe kishte vendosur mbretërinë e tij, ishin organizuar votimet për udhëheqësin e vendit, po ku kishte pasur të drejtë ta kishte kutinë e tij të votimit edhe mbreti i arratisur e i përmbysur.

Votimi kishte qenë i domosdoshëm, si një obligim ndaj shtetit për të gjithë shtetasit. Mospjesëmarrja në votime do të vlerësohej si vepër kundër shtetit, prandaj qytetarët, që të mos ngacmonin plagët e thella të luftës, në atë rast, e kishin vlerësuar si punë më të mençur pjesëmarrjen e tyre në votime.

Prandaj, nga ky shkak, bashkë me bashkëfshatarët tjerë, kishte marrë pjesë në votime edhe personazhi i rrëfimit të shpeshtë, tragjikomik, Leka, i cili, gjithmonë, në çfarëdo situate, qoftë edhe në momentet më të vështira, nuk kishte mbetur pa qeshur. Po, qytetarë të nderuar, Leka veç kishte qeshur, gjithnjë kishte qeshur dhe kurrë nuk kishte qarë, bile, thuhet se edhe kur ishte lindur, ai nuk kishte qarë po kishte qeshur, në vend se të kishte qarë si gjithë njerëzimi…Prandaj, Leka, edhe në rastin e votimit, vërtet, nuk kishte qeshur, por kishte bërë një gjest që të tjerët i kishte bërë të qeshnin, të qeshnin deri në ditët tona, sa herë ishte sjellë në mend dhe ishte rrëfyer për të.

Tregimi thotë se Leka kishte shkuar në vendin e votimit dhe, siç kishte qenë atëherë, kishte marrë një kokërr votimi, e kishte shtrënguar në grusht dhe, pastaj, sipas zakonit, kishte futur grushtin në të dy kutitë, për ta lëshuar në njërën prej tyre.

Njëra kuti e votimit, ajo e sundimtarit të ri, kishe qenë e zbukuruar me mbështjellës të bukur e me ngjyrat e flamurit të ri. Tjetra kuti e votimit, kutia e mbretit të ikur e të përmbysur, kishte qenë një kuti e mbështjellë më pëlhurë të zezë.

Pasi kishte provuar në të dy kutitë, Leka kishte lëshuar kokrrën e votimit në kutinë e zezë, e cila kishte kërcitur theksueshëm, siç kërcet një kuti e llamarintë. Kujdestarët e kutive të votimit, kishin reaguar shpejt ndaj Lekës, i cili kishte poshtëruar sundimtarin e sistemit të ri shoqëror, të quajtur bashkim-vëllazërim, duke votuar mbretin e ikur e të përmbysur.

Ndoshta as nuk e teprojmë, qytetarë të nderuar, nëse themi se kujdestarët e kutive të votimit e kishin kapur Lekën, gati si ujqërit e uritur qengjin, e kishin futur në një dhomë tjetër dhe e kishin pyetur me kërcënim: Kë votove ti!? Ku e lëshove kokrrën!? Pse e lëshove në kutinë e zezë!? Pastaj, Leka i ishte lënë në dorë policisë së asaj kohe, e cila nuk e kishte lënë Lekën të kthehej në shtëpi, po e kishte mbajtur në stacionin e saj, për ta rrahur ditën e për ta mbajtur të zbathur e të zdeshur në dëborë, natën.
Pse e hodhe kokrrën në kutinë e zezë!?, kishte qenë pyetja e vetme që ia kishin bërë Lekës, gjatë tërë kohës së maltretimit, ndërsa Leka gjithnjë kishte dhënë të njëjtën përgjigje: E hodha aty kokrrën, se thashë t’i ndihmoj atij të shkreti, si dukej nga kutia e shkretë që kishte. Ai tjetri, dukej mirë, si shihej nga kutia e stolisur.

Veprimi i Lekës, sipas pushtetit të ri, kishte qenë veprim i dënueshëm, i pafalshëm. Ai kishte votuar armikun e vendit, armikun e sistemit të ri, sistemit komunist, armikun e sistemit të bashkim “vëllazërimit”, kishte votuar kundër sundimtarit të ri, prandaj edhe maltretohej ditë e natë, derisa vendësit, me paratë e dy qeve të shitur, e nxjerrin nga kthetrat e egërsirave që e maltretonin, thoshte tregimi.

Komunizmin e dytë – komunizmin e ri, komunizmin demokratik, atë që e kishte sjellë diktatura e “demokracisë” së batakçinjve, të maskuar me uniforma luftëtarësh e heronjsh të mëdhenj kombëtarë, fatkeqësisht, e kishte përjetuar vetë, sepse kishte qëlluar m’u në moshën kur njeriu sheh, përjeton e ndjen më shumë se çdo herë në jetën e tij.

Kështu, nëse ngjarjen e tregimit, diktaturën e diktaturës, nuk e kishte përjetuar, po e kishte dëgjuar, ai kishte pasur fatin ta shohë e të përjetojë vetë në lëkurën e tij, një diktaturë tjetër nga diktatura e diktaturës – diktaturën e demokracisë, të cilën nuk mund të përmbahej e të mos e rrëfente para secilit që i dukej se kuptonte diç nga fatkeqësia njerëzore.

E tërë ngjarja e hidhur e tregimit dhe fatkeqësia e tij kishte filluar dhe ishte zhvilluar si një lojë mashtruese, sepse ishte dukur si diçka e denjë, për admirim, kurse, në esencë, kishte qenë një mashtrim i madh djallëzor, të cilin do ta ndjenin me tërë qenien e tyre njerëzit më të mirë.

I kishin thënë, prandaj, prof. Albanit, emisarët e komunizmit të ri, komunizmit demokratik, të na votosh ne, të votosh të zgjedhurit tanë, se janë burra të mirë, të mos ua lëmë pushtetin të papunëve, dështakëve; ta marrim ne pushtetin, të punojmë çka nuk është punuar e çka duhet punuar, t’iu shërbejmë njerëzve, t’i trajtojmë drejt, të mos ua lëmë pushtetin atyre që keqpërdorin pushtetin, institucionet, e keqtrajtojnë njeriun etj., etj. dhe kështu, i mashtruar nga premtimet që po të realizoheshin do të na pëlqente shumë, tepër, pa masë, sigurisht, edhe prof. Albani kishte dalë në votime, bile ndër të parët, dhe kishte votuar disa nga ata burrat “e mirë”, “punëtorë” e “të ndershëm”, si i kishin thënë, dhe i lumtur ishte kthyer në banesë se kishte bërë diç të mirë që do t’iu shërbejë bashkëvendësve të tij.

Dhe, kështu, kishte ngjarë, të votuarit e tij, të votuar edhe nga të tjerë votues, sigurisht të gënjyer sikur edhe ai me premtime të mëdha për një udhëheqje punëtore e të njerëzishme, kishin fituar, kishin zënë pozitat dhe kishin filluar “qeverisjen”.

Uji Dea

Më tej, kuku nënë, çka kishte ndodhur!

Në krye të arsimit kishin vendosur një mësues të ciklit të ulët të fillores, i cili si përvojë kryesore kishte ruajtjen e buallicave dhe krejt dija e të cilit përmblidhej në thënien: Bariu shkon pas deleve.

Në krye të kulturës, kishin vendosur qytetarin e fshatit P., i cili thoshte se ka një diplomë dhe që vlen sa profesori Alban, i cili ka rreth dyzet vjet përvojë pune në arsim, rreth katërqind publikime etj., etj., ndonëse kush nuk e njihte nga njerëzit e kulturës se kush ishte dhe, për më tepër, askush nuk mund ta shpjegonte si ka mundur të ndodhë që, në krye të kulturës, të vendoset një që për kulturën nuk ka bërë asgjë dhe është veç një zero e madhe, se nuk kishte kulturë as për vetveten.

Në krye të ekonomisë kishin vendosur xhenazen e magjupit, emri i të cilit kumbonte si Vuvi Viu, i cili profesorin e njohur të qytetit, Albanin, e kishte quajtur ilegal, të padisiplinuar, plak etj., etj.

Jo, po, për këta udhëheqës nuk mund të thuhet se edhe nuk bënë diç që mbetet e pavërejtur nga ana e masës. Përkundrazi. Vepra e tyre u pa mirë edhe nga larg dhe u ndje shumë veç për turpin njerëzor që nuk kishte krahasim.

P.sh. drejtori i arsimit, megjithë atë vogëlsinë e tij, kishte arritur që nga pozita ku kishte hipur t’iu tregonte njerëzve të ditur se është ai që “i udhëheq” dhe, që t’i bind se është ai që “i udhëheq”, kishte menduar si t’ua bënte ndonjë dëm punëtorëve më të mirë. Së pari, që të tregonte sesa i rëndësishëm ishte bërë, largoi arsimtarë nga puna, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë vendim zyrtar, në bazë të të cilit do të mund të bëhej ndonjë ankesë. Së dyti, të gjithë konkurrentët për punësim në arsim i kishte futur në provim pranues. Nuk iu vlejnë gjë diplomat, kishte thënë ai. Ne i vlerësojmë sesa dinë ata, kishte thënë ai. Pastaj, kishte kërkuar ndërhyrjen e policisë në shkollë, policisë së shtetit dhe asaj private…

Marrëzia e kulturës, më falni “drejtori i kulturës”, ndonëse ai është një fëmijë që nuk di të turpërohet dhe me mburrje thotë së është qytetar i fshatit P., se ka diplomë e vlen sa profesori Alban, që nuk e njeh kush etj., vepër të rëndësishme të tij konsideron kur dikush i dhuron ndonjë vepër bibliotekës dhe për këtë mban një konferencë për shtyp.

Xhenazja e magjupit, me pozitën e drejtorit për buxhet e financa, kishte zbuluar një mënyrë për t’u treguar nëpërmjet maltretimit të arsimtarëve. Nuk e dimë pse pushteti komunist, diktatorial demokrat dhe vetë xhenazja e magjupit i urrente arsimtarët. Kjo nuk mund të shpjegohet. Por dihet se ai kishte gjetur në saje të aftësisë së tij për t’i maltretuar punëtorët e arsimit dhe madje për t’i paraqitur ata si njerëzit më problematikë të shoqërisë, që as nuk paguajnë obligimet ndaj shtetit, si gjithë qytetarët tjerë. Prandaj, nga gjithë punëtorët e fushave të tjera, ata të parët i kishte detyruar ta nxirrnin nga një vërtetim në drejtorinë e tij, për ta dëshmuar po para kësaj drejtorie, se ata kanë kryer obligimet tatimore. Në të kundërtën, sipas urdhrit, ata nuk do të kishin mundësi të realizonin të ardhurat personale.

Askushët, që nuk ishin shquar për asnjë aftësi dhe për asnjë vepër të rëndësishme për njerëzimin, për një çast, përmes votimit të qytetarëve, kishin hipur lart, ishin bërë “të mëdhenj”, ishin stolisur me “vlerat e njerëzve të respektuar” dhe kishin fituar autorizimet për të “drejtuar” njerëzimin…!

E kishin vënë në një situatë të palakmueshme edhe profesorin Alban, sepse madhështia e pushtetit të tyre do të dëshmohej pikërisht në rastin kur ata do t’ia tregonin forcën e pushtetit atij që shquhej nga gjithë qytetarët tjerë. Pushteti. Turma. Pushteti përmes institucionit e thotë dhe ka mundësi të thotë se profesor Albani nuk është diç në rregull dhe pushteti po merret me të. P. sh. pushteti mund të thotë se prof. Albani është ilegal në këtë qytet.

Prof. Albani është person problematik, i padisiplinuar. Që jeton me paratë e shtetit, kurse flet kundër pushtetit. E të këqija të tjera, të cilit nuk i lejohet, prandaj pushteti do të merret me të. Dhe, pastaj, turma të besojë. Turma. Po, turma. Pushteti flet në emër të turmës. Ai thotë: populli na ka votuar. Ne jemi të zgjedhurit e popullit. Populli na do. Populli nuk lejon që prof. Albani të marrë paratë e popullit e të flasë kundër pushtetit që e ka zgjedhur populli. Po, vallahi! Nganjëherë edhe pushteti i të keqit ka të drejtë. Se edhe prof. Albani ka votuar për ata që shpifin, akuzojnë dhe duan ta dënojnë. Së pari, me shpifje e akuza dhe, së dyti, me dënime konkrete.

E turma? Turma, si turma beson. Turma i beson absurdit. Kështu thonë psikologët që njohin psikologjinë e turmës. Një shkrimtar, në pyetjen kujt i frikësohesh më tepër, ka thënë i frikësohem turmës, reagimit të saj të paarsyeshëm. Edhe prof. Albani frikësohet se turma i beson dhe i mban anën pushtetit të pushtetit të poshtër.

Turma e di se prof. Albani thotë të vërtetën. Se mban anën e së drejtës. Se gjithnjë mban anën e së njerëzishmes. Për këto flet dhe i kundërvihet edhe pushtetit të pushtetit të poshtër, përkundër pasojave, të cilave, të tjerët iu frikësohen dhe ndalen, kurse prof. Albani – jo, nuk ndalet, edhe kur humb, edhe kur pritet të paguajë shtrenjtë. Megjithatë, turma mund të shikojë me indiferencë. Me dyshim. Mund të shikojë andej nga e drejton gishtin pushteti. Nuk i dihet…

Prapëseprapë, prof. Albani thotë se, për vepra të mira, duhet të çajmë qoftë edhe vetë përpara. Nuk duhet të na ndal, as të na zhgënjejë asgjë.