Eko Higjiena

Një vëllim poetik interesant dhe me ndikim

/ 13 minuta lexim

Nga Sherafedin Kadriu – Për vëllimin poetik Këmishë e ndezur nate të poetit Ramadan Mehmeti, edituar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, 2018.

Historik i shkurtër, personal
Ramadan Mehmetin si shkrimtar e njoha kur isha nxënës gjimnazi.“Jeta pa titull” (Prishtinë, 1977) qe libri i tij i parë që e lexova, ndoshta dy vjet më vonesë pas botimit, kur po pretendoja se mund të krijoja edhe unë. Atëherë në Gjimnazisti …

Librin ma pati dhuruar profesori i gjuhës shqipe dhe letërsisë, Tefik Selimi, tani i ndjerë, se më konsideronte për nxënës të zoti e besa te hartimet e mia shihte një letrar në nismë.

Si mbahet mend dhurata e mirë!

Tani kujtoj se më pati pëlqyer dhuntia e poetit për krijim artistik. I qesh gëzuar faktit se poeti ishte gjilanas. Jo si lokalist!
Veprat kanë ardhur radhazi. Ato janë publikuar nga shtëpi të ndryshme botuese, e tani edhe nga portale, kryesisht të kulturës poetike. Disa prej tyre i kam lexuar. Por, kur lexova Këmishë e ndezur nate, ishte ndryshe. Strukturim ndryshe! Poetikë ndryshe! Ka ecur shumë poeti …


Secila poezi e vëllimit poetik “Këmishë e ndezur nate” ka kuptimin e historisë së vet. Një histori që nuk mbyllet as në përvojën shpirtërore, as në gjendjen e shpirtit, ku përmblidhen vlerat estetike si shkëlqim dhe freski e një ligjërimi të ëndërruar (sipas Rolan Bart), nëpërmjet të një strategjie pozitive, qëllimi i së cilës është humanizmi dhe vërtetësimi i kuptimit (I. Rugova, Strategjia e kuptimit, 2005, 14).

Në poezitë e këtij vëllimi poetik, që kryekëput janë poezi dashurie, historia e tyre vjen si e ardhme, jo si e tashme. Bile së paku, jo te ai që ekziston në të tashmen sepse poeti, Ramadan Mehmeti, e zbulon historinë e dashurisë … duke e vendosur në një territor tjetër. Territori tjetër përshkruhet me shprehje të gjuhës së kuptueshme këtu e në fund të etnikumit të tij sepse Ramadan Mehmeti i takon gjeneratës së Atdheut cep më cep, ku rrinë edhe gjilanasit tjerë: Beqir Musliu, Musa Ramadani, Rexhep Elmazi, Ibrahim Kadriu.

Poezia e përmbledhjes poetike “Këmishë e ndezur nate” është poezi moderne për dashurinë, poezi e pjekur, jo poezi e lajleve, përkundrazi, ajo vjen si diskurs që di të fitojë dashamirësinë e femrës:

Si kam guxuar të besoj se deri tani
Paskam jetuar, pa ditur ç’është mjalti…
(Gruaja)
Ja, aty e për pak, akti praktik i dashurisë mungon. Mungon se nuk është roman, se bota e romaneve moti kohë e ka shpërfaqur mjeshtërinë e manovrimit seksual. Është poezi e kallur dashurish ndryshe. Po prandaj në vend të aktit, nxjerr krye arti, arti i dashurisë medoemos:
Të digjesh për dashuri çdo natë
dhe nata të mos përfundojë kurrë
……………………………………………
Është vegim parajse apo harron të digjesh më shumë.
(Arti i dashurisë)
E shihni, që është ndryshe kjo poezi për dashurinë, pse ka ambicie estetike ndryshe, pse në dukje e thjeshtë, ajo vjen e kompleksohet edhe për një fjalë, se lë më për një varg.
Ç’është e vërteta, një shfaqje poetike pak më e zorshme se ç’jemi mësuar të lexojmë zakonisht. Jo për mungesë komunikimi me poetikën e tij, assesi, por e kundërta, për mbivlerë të interpretimit të komunikimit me dashurinë. Për thyerje ndryshe të kuptimit të dashurisë:
Eja në këngën time me zërin melodioz
Këndo dhe qaj, refrenin e dhembjes sime e mbaj unë
……………………………………………………………………
Hapi dritaret, hapekrah të jetë bota
Breg më breg të thërret e bujshme zemra
Mendoni për pakëz këtë thyerje si strehët dyfishe me tjegulla tradite në kullat tona:
Këndo dhe qaj refrenin e dhembjes sime
refrenin e dhembjes sime e mbaj unë ose
Hapi dritaret hapekrah
Hapekrah të jetë bota

Përballni me vargjet e poetit më lart. Shihni si ka strukturuar ai dhe çfarë ka lënë të nënkuptohet. Si e ka sjellë ndryshe emocionin e shtresëzuar! Medoemos, me një ritëm dhe melodikë që shkrihen në kuptimin poetik. Shkrihen si rregulla të reja. Prandaj, kritika letrare për poezinë e Ramadan Mehmetit nuk mund të jetë thjeshtë aktivitet letrar, veprim i ngutshëm jo se jo… duhet më shumë sepse poezia e tij e zbulon vetveten papritmas:

Mrekulli është kur do një lule të bukur e me erë shumë
E ta valosh si kafe në tavernë, të të pijë më parë ajo ty
Dhe kur të ulesh pa syrin e saj
Ta pish vetminë
E të ringjallesh në bukurinë çdo natë
Sepse nuk qenka e mundshme të mbetesh pa dritë, pa sy
Nuk qenka lehtë të digjesh dhe të digjesh pa ndalur
Në detin e madh të ëndrrave të zjarrta
(Ëndrra të zjarrta)

Dhe, kur ke përpara poezitë, kur vendos veten në rolin e kritikut, vetvetiu kërkon vlerën poetike. Në fund të fundit poezia është krijim mendor e shpirtëror i njëkohshëm, edhe i ndërliqshëm bile, nuk e ndanë dot në dysh si letrën indigo, dhe si krijim i tillë vjen para lexuesit, përjetohet dhe heshtëzohet për të folur jo si krijim etik, as si filozofik, por si estetik:

Puthja ime të pret
E ti e pi mallin në gotë
Në njërën nga kafenetë e qytetit
Ku takoheshim diku
I tretur kujtimesh
Dhimbja esëll më vret
Mbrëmjes që vjen
Do t’më gjejë në krahë skifteri
Tek fluturoj drejt teje
(Dhimbja më vret)

Një poezi e tërë e sjellë si shëmbëllim sepse të heqësh nga kjo poezi është ta përçudnosh unitetin e saj. Përgjithësisht, e këtillë është poezia e Ramadan Mehmetit. Nuk mund të shkëpusësh lehtë nga tërësia. Se është jetë e dashuri bashkë. E si mund të shkëpusësh nga jeta, ose nga dashuria pa e përçudnuar tjetrën?!

Dashuri për emrin e mirë

Në natyrën njerëzore është të duash dhe të të duan. E poetët duan më ndryshe se të rëndomtit. Megjithatë, nganjëherë vështirë ta kuptosh pse dhe si e do Tringën, Shën Mërinë, Bulëzën a Ane – Marinë?!
E prapë çdoherë qe veçse dashuri
Makthi i ëndrrës më nxirrte flakë në ethe,
Zjarri duke përpëlitur, prekur e mikluar emrin tënd
Bini orë të tëra, përplasuni mbi tokë
Por asgjë s’ka kuptim, pa gjëkafshë nga ato që dua
Tepeleku i kokës i lot perëndisë për ty dhe për mua
(Më zgjove në këtë ditar të ri)

Në mos është dashuri për shtratin e zemrës, atje ku palosen ëndrrat e rënda e kujtimet me krahë, për të tri kohët bashkë të së Bukurës More?!

Mundet. Mundet edhe kështu të dashurojë poeti sepse ka ndjerë herët thellësitë e valëve të dashurisë përtej Atdheut fiktiv.
………………………………………………………………..
Deri te buzët e tua për burimin e shkrumbit tim
Hyjneshë me vjollcë në faqe
Pritja m’u duk hiçgjë para zjarrit që hasa te ti
Pas orës së himnimit
……………………………..
Pritje e bukur, më e bukur se çdo lule në plagë që çel
Dashuria qenka zjarr
Për të cilin çdo ushtar ka tepër uri
Qenka tej çdo bukurie – bukuri …
(Pritje e bukur)
Si janë valët e dashurisë: gjithnjë dinë të të tërheqin vetëm nga përbrenda, kurrë nuk të nxjerrin jashtë sepse nuk është dashuri vetëm unë me ty. Më e gjerë, shumë më e gjerë është. Përtej unit tim dhe trupit tënd. Ndalet diku në atë udhëtim të frikshëm e kërkues për emrin e mirë, po nuk e di nëse prit duke pushuar, apo pushon duke pritur hyjneshën e lindur këngëve të të gjitha betejave për 2000 vjet me radhë.

Kjo është poezia që ka fill, po që s’ka fund. Poezia që ka kuptim, por që e shtrin kuptimin. Poezi që është kërkuese ndaj vetvetes. Poezi që mund të flasë në gjuhë të tjera dhe nuk është se nuk është sprovuar…

Fundamenti

Të merresh fjalë për fjalë me artistiken e kësaj poezie, do të thotë se poeti ka dije për ta strukturuar përmes fjalës temën që ka interes rrëfimin si postulat, por postulat poetik, si në këto vargje për shembull: Lumturi e madhe përherë qëndis dhembje; Jeta di të ketë shumë rrugë; Asnjë buzë s’prek buzën, pa e kuptuar se s’jeton larg tjetrit etj. etj. Vetë poeti ka poetizuar dashurinë në prozë për t’ia lehtësuar qasjen marrësit të tij. Ai mes tjerash thotë si mendueshëm: Dashuria është xixëllonjë mbi një fije bar në bankinën e parkut; Dashuria është tërbim lumi me shtat të ngushtë; Dashuria është katarakt plot zhaurimë që tejkalon ëndërr e imagjinatë etj.

Duket qartë se ka diçka si postulat në poezitë e këtij motivi, që s’ka nevojë të vërtetohet për vërtetësi. Është zbulimi i vetvetes, i ndjenjës, i brendësisë shpirtërore, i asaj thellësisë që s’i tregohet askujt. E ti, e fsheh duke e dritësuar si tinëz mesazhin estetik për botën intelektuale. Ndodh kështu pse Hyji të ka përzgjedhë për të hyrë në histori me dashurinë e robëruar:

Hyjmë në histori me pak puthje në këtë errësirë
E hëna na ndriçon vjedhurazi,
E na bënë roje
Si në kohë lufte
(Dashuri e robëruar)

Ky është materiali letrar që trajtohet në raport dialektik: elitë – shkrimtar. Prandaj, sot flas për poezinë elitare. I drejtohem lexuesit elitar. Se jo kushdo mund ta ndjejë thellësinë poetike të kësaj poezie! Gjykimi im që mbështetet në teoritë e shkallëzimit.

Natyrshëm që vepra e R. Mehmetit si tërësi, jo vetëm përmbledhja e marrë në shqyrtim, vjen si pozitë ontologjike, e veçantë, që takohet si stil shprehjeje kompozuar me ritmin e jetës. Lirikë jo e ngutshme, ndonjëherë edhe prozaike.

Dhe, kështu do të vazhdonte vargu i strukturuar nga ky arkitekt i kompleksitetit artistik, sikur jeta të kishte vetëm gëzime, por nuk e lë rehat dashuria që shpeshherë është tekanjoze dhe ia prish planet, sepse di të kalojë për një çast si jeta, kur lulet pikëllohen:
Më kërko edhe në fije të barit
Edhe nëpër lotët e stinëve
E do të shohësh për të satën herë
Se si jeta kalon për një çast
(Lulet pikëllohen)

Ndezja e titullit të librit

Një vendim sfidues e i çrëndomtësuar njëkohësisht: e di, e ndjej, e kuptoj dhe e shijoj poezinë që flet guximshëm. Se vetëm poezia ka guximin e botës për t’i çrëndomtësuar shpejt gjërat. As edhe një gjendje tjetër njerëzore! Është gjendja emocionale, pesha e së cilës zbarkon rëndë-rëndë orëve të vona. Poeti mu atëherë, ndez titullin e librit, siç ndizet një këmishë nate, kur ëndrra mbetet pa të:

Lamtumirën e fundit
E pikturuan zogjtë
Me fluturimin melankolik
Ëndrra mbeti pa këmishë nate
…………………………………..
Në heshtje të ndezur
Sikur këndon këngë për ty
(Këmishë e natës)

Kështu di të flasë ky poet i ndjesisë së hollë, në botën tonë ku gjithçka është antinomi. Ndryshe, do të fliste njëjtësia e shpërfaqur si monotoni. Prandaj, autori ka tërhequr paralele ndërmjet së mirës dhe së keqes. Ai ka përballur qëndrimin me lojalitetin, guximin me dobësinë, dashurinë me kundërshtinë, e sa e sa antinomi tjera. Fakt…
Dhe, tani e kemi piketuar çështjen e ngritur në këtë poezi:

Është Fakti artistik

Një fakt i tillë nuk mund të përjetohet njëjtë nga lexues kulturash të ndryshme, as edhe nga lexues përvojash të ndryshme. As edhe nga kritikë letrarë, pse natyrshëm se edhe kritiku është lexues në radhë të parë, porse kritiku do duhej të fliste njerëzishëm gjatë procesit vlerësues. Se nuk ka proces të munguar në krijimtari, ka proces të angazhuar në kritikë. Prandaj, e them guximshëm, që fakti artistik i këtij vëllimi poetik do të dijë të ngucë çdo qenie njerëzore ndryshe-ndryshe që edhe rastësisht do të notojë në valët e këtij deti poetik.

Flakë prushi për nurin e femrës
Dashuria është më shumë se bukuria edhe kur nuk e thotë poeti. Flaka e prushit djeg nga dashuria, jo nga bukuria. Po prandaj dashuria është më shumë se bukuri, se vjen nga thellësi e shpirtit. Dashuria e poetit parafytyron nëpërmjet dashjes së sinqertë, kërkesën për dashurinë më prekëse.
Në ngjyrat e syve të mi
Këtë meshë desha që të lexosh
Ndjenjën time, afër jete
…………………………………
Shkrumbi dy gisht mbi buzë
Zemrës sime mos i mungo
Etja ime sa gjatë do të të puthë
(Zemrës sime mos i mungo)

Kjo është poezia që i beson vetës së saj sepse është poezi besimtare. Ajo beson vetën e saj, siç beson poeti në bukurinë e pasosur: Nuk soset bukuria derisa unë të dua siç unë di e siç unë dua, shprehet më qartë ai në një varg të tij. Shikoni si bukuria është prodhim i dashurisë. Po ndaloi dashuria, soset bukuria. E thënë me nëntekst të qartë.

Ndoshta sosja e bukurisë lidhet me nurin! Mundet. Nuri ka të bëjë me dashurinë, – atë dashurinë që të kallë flakë përbrenda, të shprush gjumin, të djegë për jetë e mot! Nuk e di, s’e kam provuar, më tha njëri, e ç’ kanë thënë të tjerët nuk i kam besuar. E pra, lexoje dhe besoje miku im:
Prushi i vetmisë digjet prej dashurisë
Ti vjen si Teutë e zemrës
Lulëzon me lulet
Heshtjen e kohës vrasim me puthje
Nëse ikën
Ruaj lotin për ta djegur dhimbjen
(Ruaj lotin)

Edhe lexuesi kollitet nga ndjenja e rreptë dhe e çartur e besimit. Ndjenjë e përkthyer në dashuri, që nuk ndalet në vjeshtën e zverdhur trishtë, ajo përplaset atje ku bjeshkëve të mallit ua shton ushtimën.

Maturia unike e modernes poetike


Krejt në fund do të thoshim se libri”Këmishë e ndezur nate” i Ramadan Mmehmetit, dëshmon mirëfilli maturi unike të modernes poetike, është i ndarë në pesë cikle: I. (Univers flake), II. (Nuk mund të shterojë deti), III. (Varur dorëzat e lëkurës), IV. (Simfoni e valëve) dhe V. (Më zgjove në këtë ditar të ri), ku secili cikël shoqërohet me një poezi të tërë, ndërsa në aspektin tematik nuk del i ndryshëm nga ciklet tjera, si të thuash nuk është se prishet uniteti i veprës, përkundrazi sa herë të merret në dorë libri “Këmishë e ndezur nate” i poetit Ramadan Mehmeti, gjithnjë do të përfundohet me konstatimin për një vëllim poetik interesant dhe me ndikim patjetër (sipas klasifikimit të përmbledhjeve poetike nga I. Rugova, Strategjia e kuptimit, 2015./rajonipress/