Vllasi shpalos mundësitë e formimit të qeverisë, ka kritika të mëdha për Abdixhikun

Janë bërë fiks dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe akoma nuk është mbajtur seanca për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.
Ndonëse zgjedhjet shkuan pa ndonjë incident, procesi i tejzgjatur i numërimit të votave dhe përgjigjet e kundërpërgjigjet e partive politike nuk munguan, shkruan IndeksOnline.
Tani, vëmendjen e merr formimi i qeverisë që, për Kurtin është bërë i komplikuar për shkak të nevojës së pakontestueshme të një koalicioni, PDK-së që mban qëndrim dhe LDK-së që thotë se është e prerë në vendimin për të qëndruar në opozitë.
Edhe analisti i njohur politik, Azem Vllasi, e sheh si të nevojshme që pretendentët për pjesëmarrje në qeveri duhet të tregohen të përgjegjshëm ndaj shtetit dhe popullit.
Është e qartë se duhe të jetë qeveri e koalicionit, stabile dhe e përgjegjshme. E kjo mund të arrihet përmes bisedave, negociatave të grupeve parlamentare. Kuptohet që, kryetari i partisë me numrin më të madh në parlament thërret në biseda të tjerët. Për mendimin tim, zgjidhje më e mira për qeveri do të ishte koalicioni mes VV-së si parti me numër më të madh të votave të fituara dhe LDK-së si parti me një përvojë demokratike”, deklaroi Vllasi për IndeksOnline.
Megjithatë, Vllasi vlerëson se LDK-ja del të jetë më joserioze prej të gjithave.
“Pasi dolën rezultatet e votave, kryetari i LDK-së tha se do të shkojë në opozitë, si i pakënaqur me rezultat. Pastaj tha se hyn në koalicion vetëm nëse e merr mandatin për kryeministër. Dje u lëvdua që e refuzoi ftesën e kryetarit të partisë me numër më të madh të vende në parlament. Mbeti e paqartë përse nuk shkoi në bisedë dhe ta kërkojë vendin e kryeministrit si kusht për koalicion” shtoi Vllasi.
Ai kritikon ashpër qëndrimet e kreut të Lidhjes, duke thënë se paraardhësi i Abdixhikut në LDK, Isa Mustafa, ka bërë bisedime me Serbinë, duke nënshkruar marrëveshjen e Asociacionit, e Abdixhiku u lëvdua se nuk i shkoi në takim Kurtit, për të formuar qeverinë.
“Partitë që ishin në opozitë ndoshta mund ta arrijnë numrin 61, për formimin e qeverisë. Por, mund të plasë sherri në mes tyre për vend të kryeministrit. E nëse kryetari i LDK-së nuk e merr vendin e kryeministrit, që e ka deklaruar si kusht për hyrje në çfarëdo koalicioni, e me VV-në me mburrje refuzon, atëherë mbetet vetëm varianti: VV, pakicat jo-serbe, një serb dhe 3 deputetët e NISMA-s. Fatmir Limaj gjithmonë është treguar përgjegjës ndaj shtetit”, përfundoi Vllasi./IndeksOnline/