Veteranët e arsimit në Dardanë (Kamenicë)
Nga Xhavit Kryeziu – Populli ynë, në rrugën shumë të vështirë, nëpër etapa të zhvillimit historik, u përball me shumë pengesa e rrethana historike të rënda e të ndërlikuara në ruajtjen e identitetit kombëtar. Edhe sistemi i arsimit dhe edukimit, si pjesë përbërëse e popullit të vet, ndau fatin me atë të popullit të vet.
Në këtë shkrim do të përfshihen disa predikues e ligjërues fetarë të besimit islam që ndihmuan në përhapjen, ruajtjen e afirmimin e vlerave arsimore e kombëtare, në tërësi, po në hapësirën territoriale të komunës së Dardanës (ish Kamenicës) në veçanti. Pasi pushteti i atëhershëm i përcaktuar kundër arsimimit tanë kombëtar e kishte ndaluar abetaren dhe arsimimin në gjuhën shqipe, disa predikues e ligjërues fetarë islam, në meset ku jetonin dhe vepronin, të rinjve ua mësonin shkrim–leximin tinëz nga aparati shtetëror i asaj kohe. Ata alfabetin e gjuhës shqipe e kishin mësuar vetë ose nga veteranët e arsimit të ardhur nga Shqipëria, që ishin afër 200 mësues në Kosovë me qëllim të ndihmës së shkollave shqipe, e ndër ta në këto anë, janë: Malo Beci, Hasan Dylgjeri, Ndue Nekaj, Ndue Zef Markaj, Fehmi Sinella, Halim Stolija, Mehmet Turhani e shumë të tjerë. Kështu vepronin sipas parimeve të Mulla Idriz Gjilanit që është në listën e 100 personaliteteve të dalluara të botës islame, që vazhdimisht theksonte se kemi tri fe, por kemi një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell, një zot.
Ai predikonte se detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut.
Ndihma e Profesorit e Ministritë të Shqipërisë, Ernest Koliqit, mbetet e historike, shumë e drejtë e humane përmes dërgimit të mësuesve në Kosovë e viset e tjera shqiptare, në vitet 1941-1944, për themelimin e shkollave shqipe dhe avancimin e sistemit arsimor në gjuhën amtare, si dhe porosia që iu drejton atyre në procesin e ushtrimit të detyrës së mësimdhënësit nga Ministria e Arsimit në Tiranë, ku në mes tjerash theksonte: ”…me i trajtue nxanësit e nxanëset, me dashuni atnore dhe në mënyrë ma të përsosun të nji edukatori, tue i ndihmue me durim që të kapërcejnë vështirësinat e filleses e veçanarisht në mësimet e para …”
Mulla Ferid Berisha, Mulla Tefik Jakupi, Hafiz Shaib Adil Avdullahu, Fehmi Jakupi nga angazhimi i tyre ilegal, për t’ua mësuar bashkëkombësve të vet shkrim-leximin në gjuhën amtare, kaluan haptazi duke e marrë ditarin e shkollës dhe të shënojnë hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, sipas parimit se aty, ku hapët një shkollë, mbyllet një burg. Angazhimi i tyre në procesin edukativo-arsimor është një përcaktim i rëndësishëm shoqëror dhe human e aq më tepër në kohën kur- gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur afër 95% e popullatës së gjinisë mashkullore në Kosovë ishin analfabet, ndërsa nga radhët e gjinisë femërore thuajse të gjitha nuk dinin shkrim-lexim.
TEFIK ISMAJL JAKUPI (1906-1979) VETERAN I ARSIMIT
Tefik Jakupi rrjedh nga një familje me tradita atdhedashurie e arsimdashëse. Ai bën pjesë në grupin e veteranëve të arsimit, jo vetëm në komunën e Dardanës, po edhe në meset e tjera shoqërore, që duke e parë momentin historik se ishte koha, kur fëmijët shqiptarë të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë në gjuhën shqipe, prandaj braktisi ligjërimin e predikimin fetar islam duke rrokur ditarin mësimor për t`ua mësuar nxënësve shkrim-leximin në gjuhën amtare. Kështu u përcaktua në ruajtjen, kultivimin afirmimin e vlerave kombëtare e të kulturës sonë. Kanë mbetur të gdhendura në kokën e banorëve të kësaj ane, në kohë e Luftës së Dytë Botërore, kur forcat armiqësore angazhoheshin në asimilimin e asgjësimin e shqiptarëve, për zhbërjen e kombit tanë, në vitin 1942, kur vëllai i mësuesit Tefik, në detyrën e kryetarit të komunës së Roganës (ish Rogaçicës) – Xhaviti, preferonte se në këtë vend plisbardhi ka jetue dhe plisbardhi ka me sundue. Nga kjo familje janë shumë shkollarë e intelektualë, si vëllezërit: Tefiku, Faiku e Xhaviti dhe djemtë e mësuesit Tefik: Rexhepi, Sabiti, Naimi, Isa e Enveri që kanë kontribuar në fushën e kulturër e arsimit tanë.
Tefik Jakupi u lind në fshatin Desivojcë të komunës së Dardanës (ish Kamenicës) në vitin 1906. Shkollën fillore dhe Medresenë i kreu në Gjilan. Pastaj ka kryer edhe disa kurse pedagogjike që të kualifikohet për mësues, si edhe shkollën Normale dhe u bë mësues i kualifikuar. Detyrën e mësuesit e filloi në Gjilan në vitin 1941. Ai është mësues i parë i shkollës shqipe në Desivojcë ku mësimi filloi më 12 shkurt 1945. Për të mbajtur mësimin pengesat ishin të shumta dhe të ndryshme, si mungesa e teksteve e mjeteve mësimore,mungesa e lokalit të duhur mësimor, prandaj rrethanat diktuan që të adaptohen lokalet e mejtepit e të shndërrohen në klasa mësimi.
Përkundër vështirësive të shumta, ai punoi me vullnet e zell të veçantë që t`i kontribuojë vendit e popullit të vet. Në vitin e parë shkollor në Desivojcë mësimet i kanë vijuar 55 nxënës të moshave të ndryshme, nga mosha 7 deri 15 vjeçare, të gjithë të gjinisë mashkullore, edhe atë: 27 nxënës nga Desivojca, 12 nga Tërstena, 10 nga Laçiqi, 5 nga Velegllavë dhe 1 nga Zarbinca. Pasi që nxënësit ishin të moshave të ndryshe, ata që ishin më të rritur dhe tregonin sukses më të dalluar, mësuesi kishte të drejtë të bëjë avancimin e tyre. Kështu që në vitin vijues shkollor, 1946/47, nga kjo paralele u avancuan 5 nxënës dhe ata vijonin në klasën e tretë. Nga kjo shkollë dolën shkollarë e intelektualë të profileve të ndryshme, po edhe poet, si: Mehmet Surdulli, Hysen Kqiku, Behlul Gagica, Sali Shkodra e të tjerë që i kushtojnë me respekt vargje mësuesit të tyre. Mehmet Surdulli për mësuesin e tij shkruan:
“Fjala e tij
ish fjalë e artë
për jetë të re
e ngrohtë zjarrtë.”
•
Aty mësuesi Tefik i vuri bazat e shkollimit shqip që kurrë nuk pushoi së vepruar kjo shkollë deri në ditët e sotme duke i përballuar të gjitha vështirësitë, me të cilat u ballafaqua gjatë këtyre decenieve.
Me rastin e shënimit të 70 vjetorit të kësaj shkolle, nxënësi i gjeneratë së parë e pastaj mësues, gazetar e poet, Daut Maliqi theksoi:
Në vitin vijues shkollor, 1946/47, u caktua mësues e drejtor në shkollën fillore të Malishevës së Gjilanit, në të cilën ka punuar disa vite. Numri i paraleleve vazhdimisht rritej, por ishte punë e zakonshme asokohe që mësuesi të mbajë mësimet në të gjitha paralelet e asaj shkolle ku punonte njëkohësisht kryente edhe detyrën e drejtorit po në atë shkollë.
Gjatë shkollimit tim të mesëm në Gjilan, në fillim të viteve të `60 të shekullit XX, mësuesin Tefik pata rastin ta njoh personalisht. Ai na fliste me shumë dashuri për profesionin e mësuesit, për karakterin e vizionin e tij se ai duhet ta shkrijë veten e tij që gjeneratave të reja t`u bëjë dritë dhe tregonte se për shumë vite mësimin e mbante ai vetë prej klasës së parë e deri në të gjashtën në shkollën e Malishevës, me ndërresa e duke i kombinuar nga dy klasa së bashku. Kur u formua cikli i lartë i fillores me mësim lëndor aty, nga klasa e pestë deri në të tetën ai e mbante lëndën e Gjuhës Shqipe.
Tefik Jakupi për disa vite ka ushtruar edhe detyrën e inspektorit për shkollat fillore të rrethinës së Gjilanit së bashku me Hasan Dylgjerin që ishte nga Shqipëria që u angazhua në avancimin e procesit të mësimdhënies e mësimnxënies. Ai pa përtesë fare e në çdo kohë u jepte këshilla mësimdhënësve të rinj, me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira, optimale, në procesin edukativo-arsimor. Të gjitha këto i bënte, përkundër asaj se ishte i përcjellë dhe survijuar nga UDBA serbe dhe nën presionin që ushtrohej vazhdimisht ndaj tij, me qëllim që të largohej nga sistemi i arsimit. Shërbimi sekret serb asokohe hartoi Dosje për mësuesit shqiptarë që përcillte punën dhe veprimtarinë e tyre. Për Rrethin e Kamenicës në Dosje ishin emrat 14 mësuesve e në mesin e tyre ishte edhe emri i mësuesit Tefik Jakupi (shih në Google: Dosja e UDBA-s për mësuesit shqiptarë 1945-1952), të cilën e kishte sajuar për Rrethin e Kamenicës Mlladen Angjellkoviq. Ky shërbim i rekomandonte organeve të pushtetit të atëhershëm se çfarë masa ndëshkuese duhet të ndërmerrnin ndaj tyre e ato organe i zbatonin rekomandimet e tyre. Masat ndëshkuese ishin : transferim nga vendi i punës, suspendim nga vendi i punës, arrestimi, burgosja e deri tek likuidimi fizik i mësuesit, sikur që ka ngjarë në disa raste. Pra, për ta ushtruar misionin e mësuesit kërkohej angazhim i jashtëzakonshëm, deri në shkallën e sakrifikimit të qenies së tyre.
Vitet e fundit të punës i bëri në Shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Aty punoi në klasat e ciklit të ulët të fillores, ndërsa shumë vite ka mbajtur lëndën e Gjuhës e Lërsisë Shqipe deri në pension. A i në të gjitha vendet e punës, ku punoi angazhohej për një harmoni mes kolegëve të punës, në relacionin mësuesi- prindi, mësuesi- nxënësi. E ky angazhim për harmoni e komunikim mes njerëzve, nuk është i rastësishëm, sepse burimin e ka nga familja- mësuesi Tefik edhe në vitet e `60 të shekullit XX, nën kulmin e nj shtëpie jetonte së bashku me 3-4 djemtë e vet, profesorë e familjar që punonin nëpër shkollat e Gjilanit. Në vitin 1970 u pensionua pasi shumë e shumë gjenerata patën fatin që të kenë një mësues të zellshëm e të përcaktuar shpirtërisht për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.
Për përkushtimin e tij, angazhimin e pakursyer në procesin edukativo-arsimor është shpërblyer me mirënjohje të shumta nga institucionet arsimore për kontributin e dhënë nëpër shumë shkolla, si edhe në mbajtjen e kurseve me të rritur për zhdukjen e analfabetizmit, sepse pati fatin të ushtrojë detyrën e mësuesit në një kohë, pas Luftës së Dytë Botërore, ku shumica e popullatës ishin analfabet.
FERID BERISHA- NISMËTAR I SHKOLLAVE SHQIPE
(1916 – 1989)
Ferid Berisha është njëri ndër veteranët e parë të arsimit që vuri themelet e disa shkollave me mësim në gjuhën shqipe, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm në komunën e Dardanës, po edhe në viset e tjera të Kosovës. Kështu vetëm gjatë vitit 1942, në hapësirën territoriale të komunës së Kamenicës, filluan mësimin, për herë të parë në gjuhën shqipe, me mësuesin Ferid dy shkolla: në Koretin dhe Strezoc.
Ferid Berisha u lind në fshatin Krilevë të Dardanës (Kamenicës). Ai ishte djali i Kadriut që ishte me profesion- hoxhë, i ardhur nga Svirca në Krilevë ku edhe shërbente si hoxhë duke e kryer detyrën e imamit. Shkollën fillore katërklasëshe Feridi e mbaroi në vendlindje, ndërsa Medresenë e mbaroi në Gjilan. Gjatë kohës së shkollimit në Medrese, mbaroi edhe shkollën qytetare të Gjilanit, po në gjuhën serbe.
Pas mbarimit të shkollës dhe kursit pedagogjik, në vitin 1942, Mbretnija Shqiptare, Inspektorija e Arsimit në Prishtinë, më 8. 4. 1942 e emëron mësues në Koretin, me shkresën e nënshkruar nga Inspektori Kolë Kosmaçi, me lartësinë e pagesës 150 franga në muaj. Shkolla filloi punën me dy klasa, klasa e parë dhe klasa e dytë që numëronte 44 nxënës, kryesisht ata ishin nga Koretini dhe vetëm 2 nga Topanica: Xhemail Zubaku dhe Mustafë Çitaku.
Nxënësit që vijuan mësimin për herë të parë në gjuhën shqipe, në vitin 1942 nga Koretini janë: Gani Selmani, Ilaz Keçmezi, Ramush Canaj, Osman Dubova, Abdulla Hoda, Veli Hoda, Qazim Hoda, Avdi Berisha, Destan Berisha, Hysen Canaj, Miftar Kovani, Ramiz Dubova, Sylejman Canaj, Shaban Dervishi, Mehmet
Canaj, Kadrush Masurica, Lazim Keçmezi, Musa Canaj, Shaban Berisha, Mexhid Kovani, Jakup Bugaçku, Zejnullah Canaj, Vesel Basha, Alihaki Basha, Januz Keçmezi, Shefki Haxhiu, Raif Canaj, Xhafer Canaj, Halim Basha, Murat Kovani, Fejzullah Kovani, Muharrem Basha, Ramush Canaj, Ramiz Bugaçku, Bajram Bugaçku, Musa Rexha, Latif Kovani, Mexhid Kovani, Habil Kovani dhe Shaban Keçmezi. Edhe sot rrëfen me admirim nxënësi i tij e tash veteran i arsimit, Kadrush Masurica, për angazhimin maksimal të mësuesit Ferid në procesin edukativo-arsimor dhe punën e palodhur në shkollë. Për zellin e dashurinë për punën në procesin edukativo-arsimor e dëshmon edhe shkresa e dërguar nga Inspektorati i Prishtinës, më 13. 9. 1943, dërguar Ministrisë së Arsimit në Tiranë ku dhe angazhimi dhe sjellja mësuesit Ferid vlerësohet si shembull.
Në Shkollën fillore shqipe të Strezocit mësimi në gjuhën shqipe, përmes kursit të gjuhës shqipe- kurs që funksionojë për zhdukjen e analfabetizmit, ku më 1. 6. 1941 mësues i parë ishte Ferid Berisha, të cilin Nënprefektura e Gjilanit e kishte emëruar Mësues Popullor për luftimin e analfabetizmit. Po për përvetësimin e shkrim–leximit në gjuhën shqipe mungonin tekstet dhe mjetet mësimore të nevojshme e i shtyrë nga kjo nevojë mësuesi Ferid hartoi një shkresë dhe ia dërgoi Komisionit Shkollor të Jashtëzakonshëm në Prizren, ku kërkoheshin që të arriheshin rezultate optimale për zhdukjen e analfabetizmit, 300 abetare dhe mjete të tjera mësimore, më 22. 11. 1941.
Ndërsa mësimi i rregullt në Shkollën e Strezocit fillon me 2. 4. 1942, po me mësuesin Ferid, i cili ishte larguar nga Fshati Dunav i Rrethit të Gjilanit, pasi ai fshat kishte rënë nën administrimin e bullgarëve.
Që nga 18 shtatori i vitit 1942 Ferid Berisha pranohet përfundimisht mësues me gradën e XII, me pagë prej 130 franga shqiptare, ndërsa punën e filloi më 5 nëntor 1942. Në shkollën e Strezocit vijonin edhe nxënësit e fshatrave tjera, si: Leshtar, Krilevë, Kremenatë, Gragjenik, Vaganesh dhe Rahovicë. Mësimin e vijonin njëkohësisht klasa e parë dhe klasa e dytë, me afër 50 nxënës. Për angazhimin e mësuesit Ferid në mësimdhënie flet me admirim edhe ish nxënësi i tij , Jetullah Cakolli nga Krileva, tash në pension.
Sipas kujtesës së vijuesve që i ka mësuar mësuesi Ferid, në këtë shkollë, janë: Rrahman Sinani, Shaban Zeqiri, Hysen Ibishi, Sylejman Demolli, Qamil Demolli, Ymer Hysk Tahiri, Xhemajl Rr. Shillova, Hamdi Shefki Shillova, Riza Fazli Llapashtica, Nezir Ajeti, Avdulla Sinani, Ahmet Zuka Sadiku, Bajram Beqir Hasani, Sinan Sinani, Jahir Xh. Beka, Bektesh Xh. Beka, Avdullah Çubiqi, Ajvaz Azem Buca, Durak Arifi, Vehbi Hasan Kacabashi, Sherif Sinani, Sylejman R. Sinani, Kadri R. Sinani, Jahir F. Demolli, Ibrahim V. Tahiri, Rexhep B. Sylejmani, Sadri Sylejmani, Salih Demolli, Avdullah Demolli, Avdullah A. Avdullahu, Xhemajl H. Avdullahu, Musli Beka, Vesel S. Demolli, Hafiz Shillova. Hazir Sinani, Ramadan Ahmeti, Muharrem Sh. Mërkoja, Hysen J. Bogunovci, Rexhep S. Sinani, Aziz Hasani, Hysen Sadiku, Metush Shillova, Nezir Arifi, Riza Bunjaku, Nezir Demolli. Pra, të gjithë vijuesit ishin të gjinisë mashkullore.
Ferid Berisha vuri themelet e mësimit në gjuhën shqipe edhe në Shkollën fillore të fshatit Përlepnicë të komunës së Gjilanit.
Në vitin shkollor 1949/50 Ferid Berisha kalon me punë në Gjilan, aty udhëheq klasën e dytë fillore e në atë klasë ishte nxënës edhe Avdylaziz Veseli. Dr. Avdylaziz Veseli, në gjysmën e parë të viteve `60, të shekullit XX, në Normalen e Gjilanit na ligjëronte grupin e lëndëve pedagogjike dhe shumë herë kur fliste për procesin në mësimdhënie e mësimnxënie, merrte si shembull personalitetin e mësuesit Ferid.
Pasi që me angazhimin e tij në procesin edukativo-arsimor bie në sy të pushtetit të atëhershëm sllavo-komunist, Ferid Berisha arrestohet dhe burgoset. Pas vuajtjes së dënimit me burg për disa kohë largohet nga Anamorava. Një kohë detyrën e mësuesit e ushtroi në shkollën e Bellaqevcit të Prishtinës.
Pastaj kthehet, sërish të punojë nëpër shkollat e rrethinës së Gjilanit. Me zell angazhim të plotë punoi në shkollën e Zhegrës e pastaj në fshatin Cërnicë. Po një fjalë e urtë popullore thotë: “Ujku qimen e ndërron, po zanatin nuk e harron”. Shërbimi i UDBA-s serbe nuk kishte pushuar përgjimet e survijimet ndaj personalitetit e punës së mësuesit Ferid. Nuk mund të heshtnin ndaj rezultateve që po arriheshin në kultivimin e afirmimin e vlerave tona kulturore e kombëtare në fushën e arsimit, prandaj tani e ndryshojnë vetëm formën e persekutimeve ndaj mësuesit Ferid. Nuk mund të pajtoheshin me rezultatet që po arriheshin në fushën e arsimit në gjuhën shqipe, nuk mund të pajtoheshin, ata që gjetjen e Abetares, para ca vitesh, në familjen shqiptare e konsideronin si vepër të rëndë penale të orientuar kundër shtetit. E tash gjetën dhe aplikuan një formë tjetër. E shpallën moralo-politikisht të papërshtatshëm për të punuar në arsim dhe e largojnë nga procesi edukativo-arsimor, pasi që mësuesi Ferid ishte në listë e UDBA-s serbe që punën e angazhimin e tyre e përcillnin vazhdimisht. Nga komuna e Kamenicës në këtë listë ishin këta mësues: Babush Tali, Bajram Spahiu, Hajdin Hasani, Jahi Sylejmani, Ilaz Jashari, Mumin Salih Kastrati, Murat Nezir Shkodra, Adem Kastrati, Ahmet Avdyl Avdimetaj, Gani Gashi, Faik Jakupi, Hamit Masurica, Ndue Nekaj dhe Tahir Aliçkaj (shih: Dr. Sulltane Kojçini-Ukaj – Kuadri arsimor shqiptar i Kosovës në shënjestrën e Sigurimit Shtetëror 1945-1952, Prishtinë, 1997).
Vitet e fundit të veprimtarisë së tij arsimore i kaloi në detyrën e mësuesit në shkollën e fshatit Pozhoran të komunës së Vitisë dhe në Prishtinë.
Gjatë tërë kohës së veprimtarisë në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies, afër 40 vjeçare, ishte vazhdimisht i përndjekur nga shërbimi i OZNA-s dhe pastaj UDBA-s sllavo-komuniste dhe tri herë e kanë burgosur dhe dy herë e kanë suspenduar nga detyra e mësuesisë. Nëpër të gjitha shkollat, ku punoi e veproi përhapi dritë e dituri ndaj gjuhës e vlerave kombëtare. Nëpër të gjitha shkollat ku punoi, në oborrin e tyre, mbillte ndonjë dru apo ndonjë pemë. Nuk u përul ndaj presioneve, suspendimeve, arrestimeve e burgosjeve që përdori pushteti i atëhershëm, po detyrën e mësuesit përherë e kreu me nder e krenari, prandaj është edhe mbetet një veteran i nderuar dhe i respektuar i sistemit të arsimit dhe shkollës shqipe.
FEHMI JAKUP MORINA
Fehmiu u lind në Topanicë, më 15.1. 1925. Rrjedh nga një familje arsimdashëse, ngase edhe i ati i tij kishte vijuar në shkollat islame. Shkollën fillore 4 vjeçare e kreu më 1938, në gjuhën serbe në fshatin e afërm-Domoroc, të banuar vetëm me serbë, ku për mësues kishte malaziasin Zoniq Trifun. Pas dy vitesh vazhdon mësim-besimin islam në Preshevë te myderrizët hafëz Aliu dhe hafëz Nexhatiu. Me kapitullimin e Jugosllavisë së vjetër, më 1941 e deri në vitin 1944, vazhdon mësimet në medresenë –Atik në Gjilan, të cilës i printe veprimtari i shquar, myderrizi i shquar efendi Haki T. Sermaxhaj nga Hogoshti. Pas nëntorit të vitit 1944 ishte i mobilizuar dhe falë zotit i shpëton masakrës së Tivarit. Pastaj si ushtar dërgohet në Maribor të Sllovenisë, atje kryen kursin e nënoficerit dhe kishte fituar gradën e nëntogerit. Thirrjet për një perfeksionim të tillë në Beograd dhe në BRSS i kishte refuzuar me qëllim që ndihmesën e tij ta japë në vendin e tij. Me të dëgjuar se Fehmiu atëherë kishte disa vjet shkollë, me insistimin e inspektorit të arsimit, Kasem Cake nga Korça, merr vendimin nga kryetari i Kuvendit Krahinor, Elhami Nimani dhe më 5. 4. 1948 emërohet mësues e drejtor i Shkollës fillore të Lisockës e njëherit edhe mësues i parë me mësim në gjuhën shqipe. Në vitin vijues shkollor emërohet drejtor i shkollës në Muçivërc, të cilën detyrë e ushtron vetëm një vit shkollor. Prej 18. 9. 1950 emërohet drejtor i ciklit të ulët të Shkollës së Roganës e njëherazi punon mësues me katër klasë të kombinuara, kurse me ardhjen e mësuesit Halil Mëshica, punon vetëm me klasën e II dhe të IV. Por, pas dy vite largohet nga puna, meqë respektonte parimet fetare, edhe pse ai dhe nxënësit e tij dalloheshin në mësime. Në vitin shkollor 1952/1953 emërohet drejtor në shkollën e Desivojcës, kurse pas një viti emërohet serish drejtor i parë i Gjimnazit të Ulët shqiptar në Muçivërc- viti shkollor 1953/1954, e që ky ishte gjimnazi i dytë në komunën e Kamenicës, me mësim në gjuhën shqipe, pas atij të Hogoshtit, ku drejtor ishte patrioti i devotshëm, Metush Krasniqi. Që nga viti 1954 e deri në vitin 1974 punoi në shkollën e vendlindjes, në Topanicë, kur edhe pensionohet.
Përveç punës së mësuesit, Fehmiu nja 6 vite ishte anëtar e pastaj edhe kryetar i Këshillit Komunal për Arsim e Kulturë. Prej 13-15. 5. 1955 merr pjesë në Kongresin e II të Mësuesve të Jugosllavisë, të mbajtur në Opati të Kroacisë.
Për punën e tij edukativo-arsimore me nxënës, për mbajtjen e kurseve për zhdukjen e analfabetizmit dhe të kurseve shëndetësore, për pjesëmarrje në aksione të ndryshme punuese të rinisë, Fehmiu ka disa lëvdata me shkrim, mirënjohje, diploma e shpërblime.
Mësuesi Fehmi për gjeneratat e reja ka lënë shumë porosi. Njëra ndër to është- nxënësit të angazhohen për dituri që të bëhen të zotët e vetvetes, sepse pa një shkollim të mirëfilltë nuk ka as atdhe, as fe, sepse ajo na mundëson ta dallojmë dritën nga terri, të vërtetën nga e pavërteta, të mirën nga e keqja. Fehmi Morina këtë porosi sikur e pati edhe moto të jetës. Duke u mbështetur në të, ai krahas punës në shkollë, ku ia kushtoi tërë energjinë e dijen e tij, duke përcjellë shumë e shumë gjenerata- deri në shkuarjen në pension, vazhdimisht u angazhua edhe për edukimin e shkollimin e fëmijëve të vet- djem e vajza, pa dallim. Djali i madh tij- Ismeti ka mbaruar fakultetin e mjekësisë dhe specializimin, Basriu ka mbaruar juridikun e kështu me radhë.
Djali tij- Basriu punon e banon në Prishtinë, prandaj më 30. 6. 2005 edhe mësuesi Fehmi shkon në Prishtinë që aty të jetojë së bashku me djalin. Po aty nisi t`i rrënohet shëndeti dhe më 8. 8. 2005 ndërroi jetë në Prishtinë. Varrimi i tij u bë në vendlindje, në fshatin Topanicë, në të cilin varrim morën pjesë shumë bashkëfshatarë, shokë të punës, shumë e shumë ish nxënës të gjeneratave të shumta.
HAFIZ SHAIB ADIL AVDULLAHU
Edhe mësuesi Shaib i përket gjeneratës së veteranëve të arsimit nga Dardana (Kamenica) që, fill pas Luftës së Dytë Botërore, themeluan bazat e arsimit në gjuhën shqipe nëpër shkollat e kësaj komune, tash e 70 vjet më parë dhe përkundër të gjitha vështirësive, me të cilat u përballën ato duke kaluar nëpër shumë vështirësi e rrethana shumë të ndërlikuara shoqërore-historike, shkëndija e dritës së tyre nuk u shua asnjëherë. Ato shkëndija të dritës edhe sot e shtatëdhjetë vjet ndriçojnë vazhdimisht, gjeneratë pas gjenerate. E këtë vit aty mbaruan klasën e nëntë dhe këta nxënës u pajisen me dije e dituri të shumta për t`u orientuar në të ardhmen e tyre që duhet të jetë më mirë, më e begatë e më e lumtur se e kaluara.
Shaib A. Avdullahu u lind në Dobërçan, të komunës së Gjilanit, në vitin 1924. Mësimet e para fetare i mori në vendlindje. Pastaj ato mësime i vazhdoi në Shkup, ku arriti të mësojë “Kuranin” përmendësh dhe të bëhet hafëz. Mësimet e fesë islame i vijoi në Medresenë “Atik” të Gjilanit, në të cilën profesor e drejtor i saj ishte Myderrisi Haki T. Sermaxhaj nga Hogoshti (1914-1948), në të cilën arriti, i pari në shkollat e këtij lloji, që ta fusë edhe Gjuhën Shqipe si lëndë e veçantë obligative mësimore, në vitet 1941-1944. Kështu Shaib Avdullahu, krahas mësimeve të fesë islame, u pajis edhe me njohuri solide nga Lënda e Gjuhës Shqipe, të cilat njohuri me zell do t`i zbatonte në shkollë gjatë procesit të mësimdhënies e mësimnxënies. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet e `50 e `60 të shekullit XX ishte kohë e tillë në Kosovë që i njëjti person, gjatë një viti shkollor të ishte njëkohësisht edhe mësues, edhe nxënës. Gjatë vitit shkollor i mësonte nxënësit, ndërsa gjatë pushimeve verore t`i kushtonte kujdes vetvetes në ngritjen profesionale arsimore përmes kurseve pedagogjike që organizoheshin nëpër disa qytete të Kosovës, si në: Prizren, Prishtinë, Pejë, Gjakovë e të tjera.
Kështu që gjatë verës së vitit 1946 vijon kursin pedagogjik për mësues në Prizren, të cilin e kreu me sukses se kishte një bazë të mirë të njohurive që kishte fituar deri atëherë në këtë lëmi. Në vitin shkollor 1946/1947 emërohet mësues në katundin e Topanicës, komuna e Kamenicës, në të cilën shkollë për herë të parë mësimi fillon të mbahet në gjuhën shqipe. Disa muaj pa përfunduar viti shkollor, mësuesi Shaib transferohet në shkollën e Desivojcës, në të cilën punoi edhe gjatë vitit 1947 , ndërsa në Topanicë atë e zëvendëson mësuesi Tefik Llugaxhiu, nga Lipjani. Mësuesi Shaib ishte besimtar dhe fetar që nuk hiqte dorë nga predikimet fetare dhe krahas mësimeve që i mbante në shkollë, shkonte edhe në xhami që të falej. Përfaqësuesit e komunës ia tërhoqën vërejtjen se nuk mund të punojë edhe mësues edhe që të shkojë në xhami se këto janë në kundërshtim me vijën e programin e shtetit, prandaj ky hoqi dorë nga puna e mësuesit dhe nuk ka punuar pastaj në këtë detyrë.
Në vitin 1968, me familje shpërngulet për në Turqi dhe vendoset në qytetin Bursa. Aty një kohë ka shërbyer imam në një xhami të periferisë së qytetit-Bursa, tregon Nazmi Sylejmani, ish imam në Xhamin e Topanicës (shtator 2006) dhe mik i mësuesit Shaib. Në vitin 2010 pata rastin të vizitoj familjen e mësuesit të parë të shkollës së Topanicës, në Bursa të Turqisë, në Mëhallën e Kumanovës, ku sipas deklarimeve të banorëve– aty janë më së 2.000 shtëpi me banorë, kryesisht të ardhur aty nga Kosova e viset tjera të ish Jugosllavisë. Aty na priti djali i tij- Mustafa, i cili banonte në katin e tretë të një pallati, me bujarinë karakteristike tradicionale që ende ruhet atje me krenari edhe pse ka kaluar një kohë afër gjysmë shekulli që është shpërngulur nga Kosova. Mustafa na fliste për rrugëtimin e vështirë e plot peripeci që nga shpërngulja prej Kosove, vendosja në një ambient tjetër, për angazhimin e kryefamiljarit në ruajtjen e familjes e sigurimin e ekzistencës aty.
Pastaj në vitin vijues shkollor, 1947/48 në shkollën e Topanicës ka punuar Nazmije Kastrati nga Karaçeva e Epërme që është mësuesja e parë shqiptare në sistemin arsimor të komunës së Dardanës (Kamenicës). Gjatë këtij viti shkollor, në shkollën e Topanicë, në muajin mars, u mbajt një seminar njëjavor për mësuesit fillestarë të kësaj komune dhe fill pas mbarimit me sukses të këtij seminari nga 12 vijuesit filloi mësimi në gjuhën shqipe, për here të pare, edhe në 12 shkolla te tjera të kësaj komune.
Mësuesi Shaib vdiq në Bursa të Turqisë në vitin 1992./rajonipress/


