Veprimtar dhe poet – Hydajet Hyseni

Nga Shaban Cakolli – Hydajet Hyseni lindi më 10 mars 1954 në Përlepnicë pranë Gjilanit. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Gjilan, kurse Fakultetin e Gazetarisë – Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Gjuhë e Letërsi Frënge në Prishtinë. Punoi si gazetar në “Rilindja” gjer me burgosjen nga ana e regjimit serbo-jugosllav.
Veprimtaria
Hyseni është veprimtar i të dalluar i Lëvizjes Ilegale dhe njëri nga ideatoret e e demonstratave të vitit 1981. Në skenën politike kosovare që nga vitet e 1990-ta, si dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe mandej deputet i Kuvendit të Kosovë. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Funksionet publike
“Komisioni për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, Barazi Gjinore, Peticione dhe Kërkesa Publike , Kryetar Komisioni për Rregulloren e Punës së Kuvendit, Anëtar Grupi Parlamentar i PDK-së Aktivitete dhe funksione, të tanishme apo paraprake Gazetar, Redaktor dhe kryeredaktor i gazetës “Rilindja” Nënkryetar i KMDLNJ-së Nënkryetar i LDK-së Nënkryetar i LBD-së. Delegat në Parlamentin e Kosovës(PDK). Anëtar i Kryesisë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.” (F.B)
Vepra
“Pushka amanet”, është një poemë ku përshkruhet artistikisht njëra prej periudhave më të tmerrshme të pas Luftës së Dytë Botërore që e kishte përjetuar populli shqiptar – kohën e aksionit të armëve. Gjatë viteve ‘80-ta, nuk kishte demonstratë shqiptare e diasporës ku para, pas ose gjatë manifestimit që të mos dëgjoje vargjet: “Mbi Kosovën time/ …
* Paraverë-Në katër pamje” (Përmbledhje e krijimtarisë letrare), Botoi Brezi’81, Prishtinë .
THONE ËSHTË PARË PJETËR BOGDANI
Hydajet Hyseni
Një ditë vjeshte, në Prishtinë,
Thonë është parë Pjetër Bogdani,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhe Kadrinë
Me Pashko Vasen e Negovanin…
Se ç’kuvendonin për përjetësinë,
Për Stambollën, Romën, Vatikanin
Luteshin për Gjergjin, për Arbërinë,
Argjentën, Antarion, për Zvecanin;
Thonë, mallkonin djallëzinë,
Carin, krajlët e Sulltanin…
Është parë, thonë, Pjetër Bogdani,
Në oborr të namazxhasë,
Ku ia copëtuan eshtrat e zhvarrosur,
Qentë llaskucë të kasabasë…
Fërkojnë sytë besimtarët e mpirë,
Pas meshës shenjtë e pas xhymasë:
O zot! Një shqype e shenjtë, mjekërngrirë,
Buzëqesh nga froni i arabasë..:
-“Nuk janë gja, thotë, qentë e rrugës,
Që shkërmojnë eshtrat e Bogdanit,
Kujdes qentë që kafshojnë tokën,
Qe kafshojnë gjuhën,
Kafshojnë fisin,
Kafshojnë plisin…
Kafshojnë shpirtin e vatanit.
Qofsh i gjallë, qofsh i groposur,
Dhe të vërsulen zagarë e qenë,
Mos u thuaj: tyt!,qenve të zgjebosur,
Por atij që i ndërsen…!
Ai që qentë
T’i ndërsen,
Nga çdo lloj qeni
Është me qen…
Thonë, atë vjeshtë, me ngricë e brymë
Është rishfaqur Pjetër Bogdani,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
E me Papa Kristo Negovanin…
Thonë, atë vjeshtë, me suferinë
Përkundte hasiania, të vëllain, hasianin,
Në ninulla, zana e sibila,
Tok me Gjergjin,
Me Pjetër Bogdanin,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
Me Pashko Vasen, me Negovanin…
Se ç’ligjëronin për Arbërinë,
Për fisin, plisin, për Vatanin.
UDHËTIMI I ISA BOLETINIT PËR NË VLORË
Nëntor 1984, “CZ”
1.
Nëpër male shpejton Drini,
Rend dhe Isa Boletini.
Nëpër natë e shqyen borën,
Në gacë të llullës shikon orën.
Këqyr kah jugu, herë kah Kosova:
“Haj medet, thotë, u vonova…!”
Përmbi vetull e çon dorën,
Dhe i duket se shikon Vlorën.
Sheh flamurin si valëvitet,
Ngutet Isa e nuk i pritet.
“Gjallë a vdekë, sot a nesër,
Do të jem në Vlorë patjetër…!”
Plaku i Vlorës i fanitet,
Diçka pret e nuk i pritet.
Dorën plaku e shkon në mjekër:
“Do t’ arrijë Isa patjetër…!”
2.
Nëpër male dredhon Drini,
Rend dhe Isa Boletini.
E udhëtimi nëpër natë,
Është i lodhshëm, është i gjatë.
Përmes bishash, në borë e mjegull,
Zgjatet nata, bëhet shekull…
3.
Përmes fushe shket Shkumbini,
Rend dhe Isa Boletini.
Mërmërin dhe Drini i vjetër:
“Do t’arrijë Isa pa tjetër!
Herët a vonë, sot a nesër
Do të jetë në Vlorë pa tjetër…”/rajonipress/