RCCOLA

Vepër me reagime e sugjerime

/ 12 minuta lexim
RCCOLA

Nga Shefik Shkodra: Rreth librit të Nuhi Ismajlit: “Përsiatje Letrare”, botoi Era, Prishtinë, 2012 .

Nuhi Ismajli është njëri prej studiuesve të historisë së letërsisë, teoricien dhe kritik letrar. Është marrë kaherë me problemet e vlerësimit dhe të interpretimit të krijimesë letrare të autorëve të ndryshëm.

Në veçanti me letrarët më të vjetër dhe krijimtarinë e tyre. Në vëllimin e librit të tij të fundit “Përsiatje letrare”, sikur edhe në të katër të tjerët të më parshëm, dallojnë gjykimet dhe interpretimet prej studiuesve të tjerë. Për këtë edhe është në kundërshtim me vlerësimet dhe interpretimet e disa të tjerëve.

Kureshtja për të vërtetën, këtë studiues e gjen edhe te thërmitë më të imta për një interpretim solid e me një vetëdije të lartë. Ky libër jep edhe një porosi, që të shqyrtohen, vlerësohen e interpretohen tekstet në çdo pikëpamje e në mënyrën më serioze, si dhe autorët e tyre.

Shumë prej këtyre vështrimeve dhe analizave janë botuar më parë nëpër shtypin tonë periodik. Të përmbledhur, 26 artikuj në një vëllim, janë me interes për lexuesin e veçanarisht për studiuesit e këasj fushe. Do të thotë, edhe të tjerët të kenë mundësi të bëjnë krahasimet e trajtura në këto shkrime polemiste, pra, mospajtuese në disa aspekte.

Emërtime për identifikime adekuate

Kjo paraqitje e nisur me shprehjet Letërsi shqipe dhe Letërsi shqiptare, ashtu si i ka trajtuar ky autor me të drejtë në këtë libër, mendoj se janë edhe moto për angazhime të mëtejme vlerësuese. Janë kuptimplota për grupimin e krijimtarisë letrare, asaj e shkruar në gjuhë të huaja dhe asaj në gjuhë shqipe.

Nuk mund të mburremi me disa prej teksteve të përpiluara për shkollat tona (ato të mesme), ngase dalin si të mangëta dhe jo me një trajtim të barabartë e me një vlerësim adekuat për të gjithë autorët dhe krijimtarinë e tyre.

Historianët e letërsisë, por edhe studiuesit tjerë duhet pasur kujdes dhe duhet të jenë të përkushtuar gjithnjë për subjektin që do të bëjnë fjalë. Në rastin konkret, autori i librit “Përsiatje…” është shembull i kësaj veçorie. Është konkret dhe i ka hetuar shumë më qartë lëshimet e të tjerëve.

Ajo që lë përshtypje për diçka serioze e domethënëse si dhe sugjestive, janë dy shprehjet, si thamë më parë, “Letërsi shqipe” dhe “Letërsi shqiptare”. Dhe këtë duhet ta dimë, çka mund të quhet letërsi shqipte dhe çka letërsi shqiptare.

Për romanin e parë në letërsinë shqipe
Te shqiptarët, në mungesë të një alfabeti të përbashkët, të një arsimimi në gjuhë amtare, shumë autorë i kanë shkruar dhe botuar krijimet dhe shkrimet tjera në gjuhë të huaja. Si bie fjala, një pjesë shkrimet e tyre i kishin botuar në Gjuhën latine.

Kjo gjuhë një kohë ishte edhe gjuhë zyrtare, por edhe kulturore e letrare. Njësoj ndodh edhe më vonë me shkrime e vepra të tjerëve nga shqiptarët.
“Dashuria e Talatit me Fitneten” e Sami Frashërit, historianët dhe teoricienët shqiptarë e kanë vendosur si romanin e parë në letërsinë shqipe.

Pra, romani i shkruar nga shqiptari në gjuhë të huaj, me elemente dhe ambient të huaj, me të drejtë, nuk ta do ta quanim roman i letërsisë shqipe. Ai është i shkruar nga shqiptari, por në gjuhë të huaj e për kulturën e asaj gjuhe të atij rrethi, ose si diç e përgjithshme.

Kështu kemi të bëjmë edhe me “Bardha e Temalit” e Pashko Vasës. Shumë më vonë këto romane janë bërë pronë e letërsisë shqipe, atëherë kur janë përkthyer, njëri nga gjuha turke e tjetri nga gjuha frënge në gjuhën shqipe. Deri në përkthimin e tyre ishin letërsi shqiptare. Romanet e këtyre autorëve nuk kanë identifikuar opinionin letrar të gjuhës shqipe. Ndonëse, “Bardha e Temalit” e P. Vasës, në gjuhën frënge, ambientin dhe personazhet i ka autoktone shqiptare. Megjithatë, deri te përkthimi ishte një vepër e krijuar nga një shqiptar. N. Ismajli, romanin e parë e merr të A. Santorit – “Sofia Kominiate”, i pabotuar ende.

Letërsia e humanizmit dhe letërsia e bejtexhinjve

Shqiptarët që, njëra palë përdornin elemente të gjuhëve orientale dhe fetare, tjetra gjithashtu që përdorte elemente gjuhe oksidentale e fetare, në këtë pikëpamje na dalin gati ekuivalentë.

Po këto dy përsiatje për një përgjegje ngritin interesimin e lexuesit dhe e bëjnë shumë kureshtar. Prandaj edhe s’mund të ketë kurrfarë tema tabu. Po s’e the drejtë, le krejt! Edhe pse maturinë dhe durimin nuk duhet ta heqim nga mendja asnjëherë. Dhe logjika e shëndoshë e argumentuese veç sa përafron.

Janë këto dy paralelet e grupeve të autorëve, t’i quajmë kështu kushtimisht, që krijojnë letërsinë e bejtexhinjve (me elemente shprehjesh të përziera nga orientalizmat, si dhe ngjyrosja me fenë myslimane); dhe grupi tjetër i autorëve, (me elemente pro perëndimore, si dhe ngjyrosje me shprehje nga gjuhët romane e të ritit katolik).

Pa bërë ndonjë shoshitje të përimtuar, se kush ka më shumë shprehje e fjalë të huaja, dhe sa ka prezentuar fenë dhe besimin në krijimtari e vet, që të dyja këto grupe gati janë në një përkim. Autori i librit “Përsiatje…” nuk e le pa e përmend edhe faktin se çka nuk i pëlqen: “Letërsia e shek. XVI – XVII po quhet ‘teologji’ dhe pa vlerë letrare”.

Mirëpo, thamë, këto dy vija të letërsisë shqiptare, te Nuhi Ismajli janë “përsiatje” për një ç’pengesë nga disa kritikë e historianë të letërsisë që, gjithnjë sipas këtij autori, tentojnë një ndarje me konotacione të “rrezikshmërisë” e të “papërshtatshmërisë” me “ndikime”, të papranueshme në të mësuarit e studiuarit, dhe vija tjetër, e pranueshme si krijimtari fillestare letrare shqiptare, por edhe origjinale e e përshtatshme.

RCCOLA

Do të thotë, krijimtaria e humanistëve shqiptarë, krijimtari pro perëndimore, ose e ndikuar nga perëndimi dhe me ngjyrosje fetare, ndërsa krijimtaria e bejtexhinjve ,“letërsi laike” dhe e pranueshme si krijimtari letrare shqipe. Pak sa i papranueshëm ky mendim për lexuesit dhe nuk pëlqehet de facto.

Gati të gjithë ata properëndimorët kanë futur edhe elementin fetar në krijimet e tyre. Njësoj, edhe bejtexhinjtë i mbushin vjershat e tyre me barbarizma, por edhe me nuanca të elementit fetar. Ndoshta, pse koha ishte e tillë, mungesa e një alfabeti dhe arsimimi në gjuhë joamtare.

Por, mendimi se, N. Frakulla ‘shkruante poezi elitare’, për intelektualët e asaj kohe, e herë thuhet se Nezimi shkroi për masat e gjera, jo aq të arsimuara, për ata që nuk kishin njohuri të mjaftueshme ‘në gjuhët orientale’ dhe kështu do të thotë se kjo poezi (e Nezimit dhe bejtëxhinjve tjerë) ishte poezi “për popullin”, është pak si kontraverse.
Si tekstet – e S. Hamitit: “Letërsia e vjetër shqiptare”10, “Letërsia romantike” 11, Letërsia shqipe 12”, edhe “Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip” i A.Hamitit, janë me shumë të meta.

Madje, edhe në kundërshtim herë-herë me vetveten. N. Ismajli këto i ka vërejtur tek këto tekste, si: “bejtexhinjtë nuk kanë trajtuar tema fetare”, kur thuhet për H. Z. Kamberin del e kundërta: “ka shkruar vjersha fetare – filozofike, poema fetare…”.
Pra, problemore na dalin edhe përgatitjet e teorive të letërsisë për klasat 10, 11, 12, nga S. Hamiti.

Dhe faktet për kundërshti janë, duke filluar nga ato teknike, gjuhësore dhe më e vërejtura, mënyra e interpretimit të tyre. Madje edhe abstrahimi e hiçëzimi i disa autorëve të letërsisë së vjetër, duke kaluar në atë të shekujve më të vonshëm, bie fjala, nga Bejtexhinjët në atë të Romantizmit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Është një lëshim teknik apo logjik, varet nga autori i përpilimit të teksteve – z. S. Hamiti, kur nuk i merr dokumentet e shkruara para Formulës së Pagëzimit (1405), por edhe pas kësaj që ishin para fjalorit të gjermanit A.V. Harf-it.

Në përpilimin e këtyre teksteve shkollore të Hamitit, sipas autorit “Përsiatje…”, ka edhe zhvendosje të viteve të botimit të disa veprave të autorëve që i ka zgjedhur.

Për krijimtarinë e Fishtës

Janë tre autorë që merren me studimin e veprës së Gj. Fishtës. Sipas autorit të librit “Përsiatje…” na dalin mjaft lëshime, gabime interpretimesh, politizime dhe sërish paraqitet çoroditje në baza fetare, duke cilësuar studiusit bashkëkohës Fishtën si krijues të shkrimeve fetare.

Autori i librit “Përkime…” këtë interpretim e minimizon: “Fishta nuk është as i pari, as i fundit shkrimtar shqiptar që ka shkruar poezi thjesht fetare për qëllime shpirtërore kulturore e jo, siç thotë B. Kosumi, për qëllime politike”. (Përkime…, f. 79). Këtu edhe ua përkujton shpejt, pra: “Qerbelaja” e N. Frashërit ishte gjithashtu një tekst i përshkuar tërësisht me elemente fetar. Një pikatje edhe për tekstin e K. M. Shalës, “Fishta përballë Fishtës”, del me shumë mangësi, në mos më shumë se autori tjetër.

Në këtë kontekst kemi të bëjmë edhe me tekstin “Sfida fishtiane e ‘Nji lule vjeshtet”, nga Arben Atashi, për të cilin, gjithashtu ka mjaft vërejtje. Më së shumti na ka rënë në sy se, bëhet fjalë për veprën “Nji lule vjeshtet”dhe “Gjaksorvet…” E “Nji lule…”, e cila është kualifuar në mënyra të ndryshme, madje është thënë se kjo është një përkushtim për gjininë femrore nga Fishta, etj.

Nuhiu, këtë e vendos në vendin e vet, duke dëshmuar si një përkushtim për vëllain e vrarë të Fishtës, kjo do të thotë se, heroi i kësaj poeme është i gjinisë mashkullore dhe jo femër.
Reagimi(nuk iu ka bot. nga një revistë e jona) i autorit “Përsiatje…” kundër tekstit të A. Atashit, “Sfidat fishtiane e ‘Nji lule vjeshtet” titullohet: “Një sprovë antishkencore”, (f.92). Madje, këtij autori Nuhiu i përgjigjet se, “Nji lule…” nuk është ‘ode me tone elegjiake.” Ajo përmban edhe “elemente të llojeve e, madje, edhe të gjinive tjera letrare.”(97).

Tre studius të veprës së Fishtës, bëjnë gabime në interpretimin dhe gjetjen e sysheut në vjershën “Nji lule vjeshtet”, por edhe në kundrimin e përgjithshëm të vargënimit të kësaj poezie…si për ato satirike të këtij poeti, etj.

Studimi “Pesë mendimtarët më të vjetër të kulturës sonë kombëtare” e Z. Xholit, për autorin “Përsiatje…” është “Një kundrim i thellë filozofik i kulturës së vjetër shqiptare, për Barletin, Buzukun, Bogdanin, Budin dhe Bardhin. Këtë trajtesë të Xholit, për këta pesë autorë, Ismajli e ka parë si vlerësim të drejtë e pa ndonjë shkarje. “Kishin një frymë properëndimore, por kishin mbrojtur elementin gjuhësor, kombëtar dhe fenë katolike”.

Dhe “studimi i thellë i filozofisë së autorëve të vjetër shqiptarë dhe qëndrimi i drejtë, shkencor, i kanë dhënë mundësi Xholit të japë vlerësime të rëndësishme edhe për përmbajtjen fetare të veprave të autorëve të vjetër shqiptarë”, kështu thotë autori i librit “Përkime…”, f. 65.

Edhe për Migjenin dhe veprën e tij

Një analizë dhe interpretim tjetër paraqitet në librin “Përsiatje letrare”, për Migjenin. Kryesisht te interpretimi dhe mohimi i teorizmave të deri tashme, për Z. B., “Ekstaza pranverore” dhe “Sonet pranveruer”. Ajo që është më me interes, sipas vlerësimeve të tjerëve, Migjeni nuk ka dalë si njeri që është dashuruar në femren e afërt me gjak.

Do të thotë, veprimi i tij nuk mund quhet incest. Nuhiu këtë e ka hetuar se, Z. B. nuk ishte vetëm emri i kusherirës, por edhe një emër tjetër i dashnorës së tij, etj.

Një hapësirë e konsiderueshme në këtë libër i kushtohet edhe një numri të konsiderueshëm të autorëve tjerë. Shkrime analitike të gjithanshme u bën edhe shkrimeve të Mitrush Kutelit, Anton Gojçajt, Basri Çapriqit, Nusret Krasniqit, Myrvete Dreshajt – Baliu, Stefan Çapalikut, Iamail Kadares, K. Trebeshinës, B. Musliut, I. Kadriut, De Radës, M. Ramadanit, G. Xhafollit, S. Gjergjit, N. Ukajt, etj.
Dhe, ky libër prej rreth njëzet e gjashtë njësive, është mjaft i nevojshëm, sidomos për studiuesit tanë.