Vargje që derdhin mall vendlindje

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Shaban Cakolli – Nga përvoja kanë thënë të vjetrit”Guri rëndë peshon në vend të vet”: Thënie e cila u ka qëndrua të gjitha kohërave. Mërgimtarët më së miri e njohin peshën e fjalës “Jam gur i vendit tim”!Madje disa jo që janë vetëm gur, por janë shkëmbinjë, të cilët as nuk kërrusen, as nuk shemben.

“JAM GUR I VENDIT TIM”NGA AUTORJA MIRADIJE GASH

E tillë është mësuesja dhe poetja Miradije Gashi, e cila jeton me peshën e mallit për atdheun, në Shtutgart të Gjermanisë, e cila me punën vullnetare mëson dhe edukon fëmijët tanë në mërgim me mësim në gjuhën shqipe, për dashurinë e atdheut, historinë dhe gjeografinë kombëtare, kulturën, artin e traditën shqiptare.

Është mësuese , poete dhe publiciste, na ka rënë shpesh në gazeta e revista na ka rënë të lexojmë cikle të poezive të saja, reportazhe, tregime,etj. Na ka rënë edhe të shohim e njohim shënime e festa kombëtare në programet shkollore, ku ajo me nxënësit e saj i përgatitë me shumë pedantëri. Të dëgjosh si recitojnë, vallëzojnë valle kombëtare, këndojnë për atdheun e kombin, nxënësit e mësueses dhe poetës Miradije Gashi, zemra të bëhet mal.

Fëmijët të cilët i këndojnë e recitojnë aq me përkushtim atdheut e dëshmorëve të kombit, nuk dinë për asimilimin, llogaritën të shpëtuar nga kjo mortajë e zezë e quajtur asimilim. Jemi në dhjetorin e vitit 2013, për pak ditë po e nisim një vit të ri, mjerisht në mërgim larg atdheut.

Neve mërgimtarëve sikur po na duket se jetojmë shpejt dhe shkruajmë ngadalë! Vërtetë po jetojmë shpejt, vitet po ikun, e ne po rrëpatemi me to, në punë e krijimtari, me mallin e vendlindjes.

Ana tjetër e medaljes të cilën po shkruajmë ngadalë, sikur më pëlqen: Kam përshtypjen se në krijimtari nuk duhet nxitim, duhet cilësi dhe jo sasi të veprave në krijimtari, një cilësi që mund të ju qëndroj kohërave.”JAM GUR I VENDIT TIM”, kjo është përmbledhja e parë poetike e poetes Miradije Gashi, e cila muaj më parë është promovuar në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.

Kemi pa e lexuar se sa promovim i suksesshëm ishte, sa emra të mëdhenj krijuesish kanë folur fjalë miradije për këtë përmbledhje të suksesshme poetike, andaj ne mërgimtarët me padurim po presim që edhe në mesin tonë të kaloj ky promovim.

Poetët janë të shenjët, ata më së miri dinë të përshkruajnë synimin, dashurinë, mallin, gëzimin, me një fjalë janë profet të vargut, profecia e të cilëve u qëndron kohërave. Poetët dialogojnë edhe me gurin e vendlindjes, edhe me dhimbjen e mërgimit, edhe me flamurin e kombit, edhe me librin, shkollën, dinë të grinden me të shëmtuarën, dinë të dialogojnë me mallin e vendlindjes.

Të gjitha këto i gjejmë te libri i poetes sonë Miradije Gashi, të zbërthyera me vlera arti, ku vetëm një varg flet shumë, nxjerr mesazhe të fuqishme. Nganjëherë vargjet flasin më shumë se një vepër e tërë, e këto kuptime e mesazhe i gjejmë tek poetja Miradije Gashi, në çdo varg, në çdo strofë, ku lexuesi i vëmendshëm nxjerr një botë kuptimesh të gjëra, nga domethënia e çdo vargu të saj.

Poezia e saj është një analizë me thellësi të gjerë analitike, me një vizion të thellë kombëtar, të cilën e siguron çdo varg i saj. Është diçka interesante tek krijimtaria letrare; Shkrimtari, poeti, apo artisti ka kureshtje të hyj në botën e të tjerëve, kur e them këtë dua të sqaroi se ka kuptimin, krijuesi shpalos botën shpirtërore para të tjerëve, e shpalos në vepër, nga ku lexuesi më pas rrëpatet të e njeh botën e tij.

Të ushtrosh analizë në botën e arteve është diçka e vështirë, nga se çdo hap i krijuesit është një sprovë, e cila kërkon hulumtime, aspirata, ëndrra e lakmi, për derdhëjen e një intelektualiteti të fuqishëm, i cili do të jetësohej dhe do të u qëndronte kohërave.

Kam mendimin dhe bindjen e fortë se vepra e Miradije Gashit”Jam Gur i Vendit Tim”, është ndër veprat e cila do të jetoj nëpër kohë, e shkruar në frymën popullore, përkushtuar në ruajtjen e gjallërisë kombëtare.

Miradije Gashi, shkruan ngadalë, por nuk pushon asnjëherë, padyshim jo larg do të na befasoj me ndonjë përmbledhje tjetër të fuqishme poetike. Ne i dëshirojmë shëndet e të mbara në jetë, punë dhe krijimtari të mëtejme poetike./rajonipress/

GJUHA IME

Zjarr i zjarrit
zjarrmon dashuri.

Veshur me ylber tingujsh
liria melodi.

Po kush e shqipton më mirë
shenjtërinë e jetës
se gjuha ime,
ku dheu im bëhet Atdhe
e ligjëron nën qiellin pa re
këngë, lavdi e vaj
hapësirës pa fund e skaj
me gjuhën e lashtë të Nënës.

Kështjellë e gurtë
përtej kufijve të ëndrrës.

JAM GUR I VENDIT TIM

Jam gur a pjesë qielli
në hartën e tingujve të vendit tim.

Në mos qofsha vetë trazim
zanore që heshtjen mbytëse
e shndërron në kushtrim!

Në vendim tim
jam gur e qëndresë
që thith nga qielli rrufetë.

Atdheut i bëhem strall,
me shkëndijën e gjakut
flakë i kall
përbindëshat e lirisë.

E brishtë,
me veskun e gruas bilur,
sërish e sërish kur e do nevoja
në kala të Atdheut shndërrohem në gur.

EDHE PAK

Edhe pak dhe kambanat bien,
vetëm edhe sa një kërcim maceje,
sa çudi!

Ura që e ndërtova unë
sa do të qëndrojë vallë?

Ah,
po këtë askush s’e di!

PESHA E KUJTIMEVE

Mobi Casa

Mendimet më rrjedhin lumë
sa herë më rëndojnë kujtime,
rrëqethem e tëra e mbetem pa gjumë
për gjithë burrat e Drenicës trime.

Kur kujtoj se ranë për lirinë
të atdheut, tënden e timen,
që fëmija ta ketë shtëpinë,
Që Kosova të mos jetë jetime.

Eh, ç’burra që qenë
dy zemra në gjoks, thonë – i patën,
një, si diellin, për atdhenë
tjetrën si zjarr në vatër!

S’ishte si muajt e tjerë
as si pararendësit e tij
viteve që ikën.

Mos dielli i mori mëri
e ia ndali rrezen,
mos lulja u vyshk për një pikë shi,
e s’ia hapi derën as kopshti?

Çudi,
se si më zuri etje
edhe për të nxehtin!

E u ndal udhëtimi i panisur
rrugës së pushimit
si një peng që dhemb.

NË FLUTURIM

Mbrëmë në ëndërr, thellë në gjumë
m’u shfaq Plaku me flamur,
Vlora nuse më thirri si bijë
Marigonës t’i bëj shoqëri.

Atje ku në një fjalë vlon dëshira,
në një fjalë ku të puth e mira,
një penë – fashë që të lidh plagën
e një mik që ta mban fjalën.

Se si m’u bë ëndërrim
fluturimi mbi relievin e Atdheut tim,
atje poshtë një zë më thirri:
Arbëria, këtu hap gjiri!

Mbi Rinas, mbi Rinas
shqipe jam, vetes i thashë
se atdheu krahë më jep,
siç më dha kur qesh në djep.

E DUA NDAJNATËN

E dua ndajnatën,
puhizën e lehtë,
vesën e mëngjesit
dhe vapën në drekë.

I dua livadhet
erëndje prej lulesh,
tundje degëpemësh
ndanë udhës.

Dua çdo gjë të Atdheut
për tokë e për qiell,
bijtë që s’janë dhe ata që vijnë
me sytë yje e ballin qiell.

PO TË ISHA BARESHË

Nganjëherë qaj
e nganjëherë qesh

Nganjëherë flas
nganjëherë hesht

E, një ditë prej ditëve
mendova kot më vete:
-Eh, po të isha bareshë,
ç’grigjë luleborash
do të kullotja shpateve, bjeshkëve
në vend të metaforave!?

KUJTIM I HIDHUR

Më kujtohet një ditë dimri:
Helmeta e policit serb në orë mësimi,
E rëndë, e rëndë qe ajo ditë,
Po më të tmerrshmen e panë sytë.

Në sytë e fëmijëve me lot larë
Prangat ia vunë mësueses me ditar!
Dita u shndërrua në natë e terr,
Mesjeta bizantine volli vrer!

Oh, dhe dielli atë ditë i fiku rrezet
Se liria ishte në zinxhir,
Çdo gjë e ngrysur, një zjarr që s’ndizet,
As zogjtë e qiellit nuk ishin të lirë.

Pastaj erdhi ndarje me nxënësit
Si një ëndërr e prridhur,
Në zemrat e tyre dhe timen
La vulën e zezë kujtimi i hidhur.

LETËR NXËNËSVE TË MI

Nga larg ju përshëndes
të gjithëve bashkë e një nga një,
o nxënësit e mi!

Më duket sikur para sysh
ju kam tani,
që nga Blerina e deri te Taulanti.

Sa ia kam inati
distancës së kohës, hapësirës
që vjen e na futet në mes!

Kur ju shkruaj letër
megjithatë,
zhvendosem në kohën tjetër
e bëhem bashkë me ju
në kopshtin e luleve të kujtimit.