UBT

Universialiteti i një gjethi

/ 13 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vlladimir Muca – (Rreth vëllimit “ Në fytyrën e një gjethi” të Sabit Rrustemit, shtëpia botuese “Beqir Musliu” Gjilan).

1. Magjia e të bërit poezi

Librat shkruhen për të shërbyer si gaca, në mbajtjen ndezur të ndërgjegjes kombëtare. Por hera herës, ata marrin dhe atributet e një çelësi të artë për të hapur portat e kujtesave etnike, duke u bërë dhe platformë e lançimit të ideve, prerogativave për brezat pasardhës.

Asnjë libër nuk shkruhet nga rastësia ; por autori niset nga një obligim fundamental i vullnetit inspirues, i cili, gjithnjë vjen me një risi kuptueshmërie në raport me kohën dhe stadet zhvillimore të shoqërisë. Marrja e këtyre cilësive rrotore, gjeneruese, është dhe magjia e të bërit poezi.

Si e para fjalë e fjalëve më erdhën këto mendime teksa lexoja librin “Në fytyrën e një gjethi” , i cili për nga supermetafora përfaqësuese , që në ballinën e librit mëton të bëhet pjesë e një antologjie mbarëkombëtare.

Pjekuria 35 vjeçare e krijimtarisë, ka bërë që Sabit Rrustemi të veçohet disi me këtë produkt poetik nga një lirizëm i veçantë, tërheqës, shumëdimensional, ku ndjenja lind e rritet jo vetëm në zona pllenuese të së mrekullueshmes , të ekzaltueses, por dhe në handikapin shoqëror. Pikërisht në këto raste ku bubrron Sabiti, në ato zgiqe të jetës , lirizmi shfaqet më i lazdruar, me valenca më të larta shkëlqimtare. Kjo është dhe fuqia zbuluese e perceptuese e këtij lirizmi vetjak!

Shembuj janë poezitë “Në Kumanovë për një bukë furrë” , “Skaj pyllit me pisha”, “ Nata e para trembëdhjetë viteve…”, ku “ Llofca mbeti nën hijen e diellit/me dyzet e sa shtëpi/e një saç plumbash/përmbi krye”. Një poezi e tillë sjell shqetësimet e sotme e të përgjegjësive të secilit, ndaj qëndrimeve sociale kosovare mbas një sllavizmi serb shekullor.

Me poezitë “ Prekazi kjo amë e lirisë”, “ Shkolla jonë”, “Nesër”, “ Mëzi” , “ Blerësit një kohë tjetër presin”, poeti afirmon se njeriu në aspektin kombëtar duhet të kuptojë se krijimi e gjallërimi i një shoqërie të re nuk qëndron vetëm në rritjen e cilësisë personale të jetës , por dhe në përpjekjet për të njohur kontradiktat që na lindin në rrugë. Kjo vjen si domosdoshmëri për të rregulluar marëdhëniet ndërshoqërore, për të jetuar në harmoni në këtë botë ku rrisku social, secilit i rri si shpata e Demokleut mbi kokë.

2. Moderniteti e provincializmi poetik

Poeti Sabit Rrustemi i përket atij grup- targeti poetësh , të cilët përbëjnë atë hallkë të zinxhirit poetik kosovar e cila lidh trashëgiminë poetike të një brezi me shumë kulturologji poetike, mbartur nga një modernitet europian si Ali Podrimja, Esat Mekuli, Agim Vinca, Sabri Hamiti, Din Mehmeti, Agim Gjakova, Azem Shkreli dhe një grupi poetësh që po mundohen t’a nxjerrin poezinë kosovare nga reçesioni ku është futur , duke infiltruar në të postmodernizmin e natyralizuar në kondicione të reja globalizuese.

Më shkoqur, mund të themi, nxjerrjen e saj nga provincializmi sundues. Folklorizmi në të cilin e mbështollën domosdoshmëria e zhvillimeve historiko-shoqërore. Ky brez poetësh, aspiron për një poezi më gjithëpërfaqësuese , kërkon një militim poetik përtej provinciales , ashtu siç militonin dikur etërit poetikë.

Në konceptin stilistik, Sabiti nga mënyra se si ai e natyralizon modernitetin poetik europian, tregon për teknika të reja të shprehjes artistike. Siç duket ai ka marrë shumë nga stilistika e Zhak Preverit dhe Ungaretit në përqasjet sociale dhe të natyralitetit poetik. Ai i ka si moto të punës parimet simboliste e impresioniste, duke e bërë pronë në bahçen poetike parimin : nxjerrjen e deduksioneve filozofike të efektit që lind prej një objekti e që interlokutohet si reagent ndjenjësor në konceptin filozofik. Kjo i jep poezisë së Sabit Rustemit zërin e fuqishëm poetik, vargut i jep ato tone të dlirta, por dhe fuqinë meditative e filozofike.

Në dukje poezia vjen tepër e thjeshtë, me një muzikalitet në dukje të shthurur metrik, por që në brendësi alternohet me asonanca a aliteracione . Një modernitet i tillë i natyralizuar ku toponimiteti dhe onomastika janë cilësi mbisunduese, ku autori:” S’e kam ndërmend/t’i ndahem këtij shtegu/kësaj përpjetëze Çepuri”. Autori nuk donë t’i ndahet deri te “ajo rrugë/te ajo vojsë/që pret e vetme si ti”,” deri tek ajo majë/ajo shenjë e lashtë/ për të parë si kthehet,/me ag ai Top i Zjartë.”

Në mënyrën se si e zgjedh dhe e vendos fjalën, si e artikulon atë, si i përzgjedh figurat, si proçedon me gjuhën, strukturimin e shprehjes poetike, tregon për një korsi dalluese , emergjente do të thoja, në karrexhatën e poezisë kosovare. Siç duket, Sabiti punon shumë me fjalën dhe figurën, gjersa ajo të marrë format e dëshiruara poetike, kur ajo është siç thotë Janis Ricos “të mbartë një fuqi të jashtëzakonshme, të krijojë e maturojë njeriun, të krijojë heroin e të nxisë evokime të fuqishme”.

Kësisoj përmbajnë në vetvete sharmin e shkollës podrimjane por me më shumë kursimtari në zgjedhjen e kigos vargëzuese, drejt një moderniteti ungaretian, ku shkallëzimi vargëzues i ka lënë vendin shkallëzimit mendor drejt një “ Kulle Babeli”, për të prekur me dorë qiellin e shpirtit.

Në konceptin stilistiko- estetik autori paraqitet disi i veçantë , një poet origjinal në strukturimin poetik ku forca artistike nuk bazohet në manierat kozmofonike por te thjeshtësia e detajeve. Figuracioni, metafora, simboli, similituda fillon tek zanafilla e mikrokozmosit artistik, duke marrë shkëlqim nëpër kapriatat vargëzuese poetike në formatet e piramidave faraonike.

Në bazën e kësaj piramide vargu nuk merr formaturat e vjershërimit klasik.Në vetë vargun , strofën ka ritme dhe kombinime metrike të cilat alternohen me muzikalitetin e solfezhit të zemrës, e mbi të gjitha aranzhohet nga mendimi që interferohet me vargun paraardhës dhe pasardhës. Rima në këto poezi është në natyralitetin fonetik duke sfumuar nga aliteracioni i vargut e rrjeshmëria mendimore.
Një shembull konkret është poezia “Kthim i mërgimtarit në shtëpi”, ku:

At Dheun e kish me vehte
nga majat e këpucëve
deri tek maja e flokut.

Sa e fshihte brenda një pike loti
sa e shpaloste përmes një kënge
e asnjëherë se hiqte prej asaj zemre.

E Sabiti shpreh mendimin e qëllimin final, forcën proklamative e kushtrimore të poezisë, në mënyrë sa më mjeshtërore për tërë bashkëkombësit në rikthimin në AtDhenë e çliruar, të brishtë e të sakatosur nga sundimi sllavo –serb, nevoja për një UÇK të re ndërtimore , ku vetë autori e fillon me një autokatarsis , siç shprehet tek poezia”Në natën e Madhe të Shëngjergjit”, ku:

Hoqa barin e keq tej rrethojës
një ekspertizë të thellë i bëra gojës
dhe kësaj dhëmbje që pushton pragun
pastrova paraderën e nënpragun.

3. Ditari poetik e filozofia letrare

Në produktin letrar në suazën e një ditari poetik siç e nëntitullon autori , motivi kryesor i poezive është vitaliteti kombëtar, qëndresa e popullit . Në këtë kuadër spikat lidhja ngushtazi me mëmëdhenë, me historinë e zgjuar nga zhguni i harresave historike , zgjimi i ndërgjegjes kombëtare; ngrohja në diellin që po lind me ndriçimin mes djersës e gjakut, mes një dashurie të sinqertë , e ndërsjelltë kombëtarisht e fqinjësisht, në vazhdimësinë e përtëritjen e brezave.

Sipas poetit “ Një fluturake/si murmërimë e largët ëndërre/ endej mbi shpresat tona…”, në ato ditë të zymta i përshkon breznitë duke vulosur gjithçka në shpirtin që herë mbytet në pika loti, e herë shpërthen si një vullkan në erupcion, duke vulosur në Llofcën e dashur, apo në Karadakun e Idriz Seferit, gjithçka kombëtare me një shpirt që edhe të përvëlon me zjarrin e dëshirave, por edhe duke u mbarsur me nostalgjinë e Motit të Madh.

Kështu gjithçka ngjizet me ndjenjat nga më njerëzoret ku: “ Një fëmijë/mbi supet e një prindi/këndonte e thërriste/A vritet pafajësia”.

Uji Dea

Në poezitë “ Pesë prilli”, “Dhëmbja e pavarrosur mbeti”, “Një ditë e ngjashme me të tjerat”, “Kosharja”, etj, një cikël unitilarë do t’i quaja, me të cilët në formatet e një ditari poetik , ku reflektohet dukshëm shpirti i përvuajtur prej të dëbuarish , ku dhe një pëllëmbë hapësirë, ish zënë nga “korbat e zinj “ serb. Por “Ankthet nuk dëbohen/me lëkundje/ a prishje gjumi /tërë natën / si fëmijë dënes lumi” në Pogragjë e Zhegër.

Siç e hyjnizon më tej autori tek poezia “Kosharja”, “Maja e saj/nuk matet me nivelin e detit/sall me thellësinë e shpirtit”.Ky hyminzim i vendeve historike në ato ditë të rëndomta robërie është apotheoza poetike e Koshares martire, në djepin e lirisë, si thagmë e rizgjimeve historike sepse këto vende : “ E lartë është /e paarritshme/ për ata që s’kanë frymë/zemër e sy “.

Dhimbjen ta kthejmë në forcën , sintetizon me alkiminë vargëzuese , gjatë gjithë librit autori . Jeta i ka dhe i pranon vuajtjet e persekutimet, por dhe gazmendin, besimin në ditët e ardhme. Njeriu merr misionin historik ta ndërtojë e ta dojë jetën , duke pranuar si piskamën e vajit dhe të qeshurën e syrit, dashurinë dhe hidhërimin, dhimbjen dhe lumturinë.

Kjo është amalgama optimiste, në nënshtresa jetese që ka përshkruar e përshkon botën kosovare edhe : në fytyrën e një gjethi”, të vendit në protoplasmën e secilës, alkimohet jeta e gjallimi i saj.

4. Poezia-portret dhe metafizika librare

Në këtë vëllim autori i ka kushtuar një vëmendje komplementare poezive për miqtë , heronjtë, shokët e dashur bashkëvuajtës që unë këto poezi do t’i quaja poezi- portrete. Në këto poezi, që janë si një letërlakmues në marrëdhëniet ndërshoqërore të poetit, me ata njerëz të dashur, apo të rëndësishëm të cilët kanë ndikuar në jetën e poetit e formimin poetiko-intelektual. Në formimin si artist poeti rimëshiron në vargje njeriun e paharruar në formën e një metafizike të re librore me detaje të karakterit shpirtëror.

Këto poezi –portrete me intonime popullore të ngritura në art , zënë fill me poezinë “Sherri i asaj ëndërre”, kushtuar mikut dhe poetit Tahir Desku ku autori poetizon:

“se kush e kish parë duke puthur qytetin
një pano me ëndërra që nuk tresin
……………………………………………………..
prej burrave të çartur Çiçavicës
mos të hyjë me atë këngë të Drenicës
i ri për plumb, i vonë për mbret
sherri i asaj ëndërre u bë poet.”

Si me këtë poezi dhe tek të tjerat që e pasojnë, kushtuar njerëzve të dashur të cilët kanë lënë gjurmë në botëkuptimin e tij, në formimin si bashkëkombës, si artist i fjalës në obsesionet poetike, autori në situatat më të ngulshme për tokën amë, nëpërmjet poezive rimëshiron në një metafizikë të re vargëzuese njerëzit, me një qasje efektive në situatat që po kalonte vendi.

Të tillë na përqasen në situata mistiko-historike figurat e Tahir Deskut, Oso Kukës, Mic Sokoit,Xun Çelikut, Idriz Seferit, Agim Gashit, Doresës, Abdyl Hoxha, Ilmi Piqit, Bacë Mehmetit, Mehmet Lofcës, Pesë martirët, Njazi Jahja Mripës, Sali Çekajt,Fehmi Aganit, Adem Jasharit, Rexhep Ellmazit, Nekibe Këlmendit, Ali Podrimjes, Gresës, bijës së tij të dashur, Ahmet Krasniqit, Zahir Pajazitit, Jusuf Gërvallës, Ardi Latifi por dhe për ”bablokun e një mikut”.

Një poet i tillë i lidhur kaq shumë me idhujtarë ,me miq e dashamirës, ku autori i ushqyer me kaq shumë burime shprehet:

Qiejt kam trazuar prej gëzimit
duke fshirë rrëketë e thella të gjakut
pikëllimit
për ta shijuar një buzëqeshje të çiltër
agimeve të lirisë.

Sepse këta idhujtarë janë bërë njësh me antropomorfinë e tij e siç e shqison në poezinë “Homazh për Ali Podrimen”:

“Eshtë strukur diku nën hijen e vargut
Për ta dëbuar etjen
Deri sa të kalojë kjo vapë”

Çlirohet emocionalisht poeti dhe lexuesi, tek lexon këto poezi-portrete.

5. Epilog

Psikologu pas frojdist, filozofi zvicerian Karl Gustav Jung, në veprën e vet me titull “ Psikologjia dhe krijimtaria poetike” shkruan: “Është më se e qartë se psikologjia duke qenë shkencë e proceseve të shpirtit, mund të hyjë në lidhje të drejtpërdrejtë në studimin e letërsisë , me kritikën letrare. Se shtrati kryesor i të gjitha shkencave , ashtu si i çdo vepre arti, është shpirti .Prandaj shkenca e shpirtit besoj, duhet të jetë në gjendje të përshkojë dhe të shpjegojë dy gjëra në ndërvajtjen e tyre ; së pari- në strukturën psikologjike të individit artistikisht produktiv”.

Në konceptualitetet e Jacques Laccan të letrarizmit pasfrojdist, Sabiti këtë sentencë psiko-analitike të Jungut e ka bërë të tijën në perceptimet poetike , duke e vënë si suport të një moderniteti të natyralizuar në filozofinë poetike të ngjarjeve, fenomeneve e aktorëve që i gjenerojnë ato.

Edhe në këtë kontekst , supermetafora e gjethit vjen me universialitetin e saj në të gjitha faqet e librit si zanafilla ku në klorofilën (ekstraktin e librit) me rrezet e Diellit ( rrezet e lirisë të amëshuar) kryhet sinteza e jetës të një kombi.

E gjej me vend, që në këto refleksione të bëj një reminishencë me një tankë timen që unë e kam shumë për zemër:

Në Bahçen e Zajes
këto ditë Nëntori
Gjethet e rëna
mblidhen rreth pemës
si fëmija në gjirin e nënës.

Kështu janë mbledhur në faqet e këtij libri këto gjethe e shpirtërore me gjak e zemër, u mblodhën në ato vite të zymta të Motit të Madh nga e gjithë diaspora rreth pemës mëmë- Kosovë. Të mblidhen dhe sot mbas ndriçimit të Diell- Lirisë për t’ia shëruar plagët, kushtrimon me thirrjen proklamatë autori.

Dyrrah 2013

( Autori është poet – studiues letërsie si dhe nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Durrësit )