Uji Dea

U shënua portreti letrar i shkrimtarit Ramadan Rexhepi, krijues nga diaspora…

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në Gjilan, u hap Manifestimi kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit 2018, edicioni i nëntë me radhë, i cili iu kushtua portretit të shkrimtarit preshevar, Ramadan Rexhepit, krijues nga diaspora. Fillimisht, për portretin e shkrimtarit, folën disa nga adhuruesit e letërsisë, të cilët, në një mënyrë a tjetër, trajtuan portretin e autorit në fjalë.

Arsim Halili, krijues dhe vlerësues, tha “dikur, mbi gjysmë shekulli më parë, po hynte fuqishëm si emër serioz i letrave shqipe edhe atë përmes gjinisë së prozës, Ramadan Rexhepi, shkrimtar yni. Ky emër natyrshëm e në vazhdimësi e ka bërë krenar jo vetëm Preshevën me rrethinë, por në përgjithësi hapësirat shqiptare, e që për fat të mirë, këtë vit ishte edhe fitues i çmimit “Beqir Musliu” në Gjilan, kush tjetër, pos Ramadan Rexhepi, vepra e tij ende jo aq e panjohur, por me një parathënie të gjatë e të strukturuar me qasje dimensionale studimore”.

Anton N. Berisha, shkrimtar dhe studiues i letërsisë tha se, ky moment i sotit duhet të mbahet për shumë kohë në mend, për faktin se, në mesin tonë gjendet një shkrimtar, për ne, gjer dje, i “anatemuar”, i cili, krijimtarinë artistike e filloi në një kohë shumë të hershme, e ndoshta është në mesin e romanisierve të parë të letërsisë sonë shqipe tek ne.

“Para vitit 1963, revista “Jeta e re” nxori në dritë veprën e Ramadan Rexhepit, në ish-Jugosllavi, pra në Kosovë, ku atë kohë janë botuar disa vepra në prozë, si, në vitin 1951 është botuar vepra e Sitki Imamit “Drejt ditëve të reja”, më 1957është botuar romani i Sinan Hasanit “Rrushi ka nis me u pjekë”, më 1958 është botuar romani i Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”, më 1950 vepra “Vijë e vërragë” e Ramiz Kelmentit, Rexhai Surroi botoi romanin “Besniku”, më vonë Rexhep Hoxha botoi romanin “Lugjet e verdha”, ndërsa më 1960, Hivzi Sylejmani botoi përmbledhjen me tregime “Era e kolona”, më 1961 botohet përmbledhja “Tregime” të Anton Pashkut, “Dashuria e urrejtja” nga Rexhep Surroit e romani “Karvani i bardhë” nga Azem Shkreli e disa vepra të tjera.

Dhe, shtoi, ne që i kemi lexuar këto vepra të hershme, si tregimet e H. Sylejmanit etj., janë proza të ngjeshura, delikate dhe në rrafshin artistik ato në vete kanë sjellur “ngjarje” të jetës shqiptare kosovar. Pra, flas jo për prozën dokumentare, sepse nga një herë, ne nuk mund t’i dallojmë këto rrafshe, se kemi të bëjmë me prozën dokumentare dhe prozën artistike. Te Hivziu kemi një prozë të ngjeshur artistike, e cila në vete ngërthen art dhe “prodhim” artistik. Nga të gjitha veprat artistike, veçohet ajo e Anton Pashkut, e cila mbetet për shumë kohë vepër arti e vepër jetësore. Pra, këtu është arti i mirëfilltë i shkrimit. Këtu është fjala. Dhe, bashkë me te, është edhe ky libër i botuar në vitin 1963, pra, vepra “Kumbanorët” e Ramadan Rexhepit. Ramadani, qysh si 20-vjeçar kishte filluar të shkruante. Qëllimi i autorit nuk ishte vetëm të rrëfente, por qëllimi i tij ishte të krijonte një rrëfim artistik që u bie në sy njerëzve, sepse fjala artistike është ajo që ka peshë e vlerë. Patetika, apo retorika etj., e kanë jetën e shkurtër. Bie fjala, një diskutim i flaktë, ndikimi i tij është aty për aty. Ndërsa, fjala artistike nis me ngadalë dhe shkon duke u ngjizur më tej. Pikërisht këtu ishte vlera e prozave të Ramadan Rexhepit, shkrimtar yni. Unë kujtoj, tha Anton N. Berisha, se shkrimtari ka përcjellur mesazh. Dhe, autori gjithmonë mundohet të jap fjalë pak, ku autori krijon ka krijuar rrëfim të lëvizësh, që ecën… Pra, arti e ka natyrën e tillë që asnjë vend nuk mjafton, por gjithnjë është një lëvizje”.

Nexhat Rexha, krijues nga Dardana tha se, vepra me tregime “Kumbanorët” nga Ramadan Rexhepi, i cili sot na është prezent, jo vetëm tek unë, si vështrues e studiues, por edhe tek kolegët tjerë, vepra e tij po pritet dha ka interesime të veçanta për lexim e trajtim. Siç dihet, kjo vepër është e shkruar në dialektin e gegërishtes së kohës, ku autori ka përdorur të folmen e krahinës së Preshevës së një kohe. “Pra, shtoi N. Rexha, studiues, vepra në fjalë, ngërthen rrethana të një kohë të “ndaluara” për shqiptarët, të cilët kanë bashkëjetuar me atmosferën e klimës politike, ekonomike para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Hidromorava

Ai në tregimet e tij të kësaj vepre ka rrezatuar jetën reale të kohës, duke i dhënës asaj të gjitha ngjyrimet e aktualitetit të vrazhdë të asaj periudhe kohore. Kështu që, brenda tregimeve të kësaj vepre letrare ka gërshetime të disa skenave të jetës, ku më shumë vërehet elementi social i jetës së rëndë në këtë trevë të atdheut tonë të copëtuar.

Prozat e autorit kanë një shtrirje nga lokalitetet shqiptare, nga Konçuli e vazhdon gjer në Shkup, shtrirje kjo që ka ruajtur komunikimin e banimit këndej e andej bjeshkëve të Karadakut jetik të Idriz Seferit.

Edhe fati i personazhit kryesor i tregimit, me emrin Saqipi, është një episode e veçuar dhe bartës i tregimit, i cili personazh përfundon me të këqinjat në familjen e tij si pijanec. Tek tregimi “Konstantina”, paraqitet jeta e fshatit, si Konstantina, si punëtore krahu te djali i zotnisë Kola, i cili dashurohet në te. Ajo ishte një belhollë si lisi i Karadakut, por ishte edhe e ëmbël si qershia e Shkupit” (f.27). Pra, autori në fjalë, në veprën e tij “Kumbanorët” ka “rrëfyer” edhe tema dashurie, të cilat tema janë të trajtuara fort mirë, sepse, dashuria si ndjenjë e njeriut, paraqitet e pastërt, pa imponime për të ardhmen një botë të lirë të njeriut etj. Vepra, si tërësi organike, është e rëndësishme për disa fusha të studimit, si në aspektin gjuhësor, pastaj ruan nivelin e shkrimit artistik të prozës shqiper të viteve të ‘60-ta”.

Ndërsa, Ajete Zogaj, studiuese nga Prishtina tha se, vepra e Ramadan Rexhepit shënon një ngjarje të veçantë në letërsinë shqipe.”Duke i lexuar këto tregime të veprës në fjalë, vërejmë veçantinë e autorit për të realizuar përformacën e tij, i cili shpalos etnosin gjeografik, duke filluar nga Karadakut, Presheva e Shkupi, ku personazhet e veprës janë mjaft të rëndomtë të të gjitha shtresave, si janë pijanecët, gra e vajza të reja, agallarë, shërbëtorë etj. Andaj, në prozat e kësaj vepre, mjeshtërisht, vërehet jeta dhe mentaliteti i kohës, lëvizjet e njerëzve nga një vend në tjetrin në mënyrën e banimit të jetës, dukuritë e ndryshme të përditshmërisë, siç janë gjakmarrja, jeta e rëndë, varfëria, traditat e dasmës dhe jetës, dashuritë e fshehura të paralizuara e shumë e shumë elemente të tjera. Pra, autori i merr në vështrim të gjitha këto ngjarje të veçanta, ku shpalos karakterin e tyre, sheh dyshimet, dhe në mënyrë të veçantë, shpalos botën e femrës etj.

Në fund, autori Ramadan Rexhepi, tha se, sot jam i shumë i nderuar se kurdoherë më parë. “Ju sot po ma ktheni kohën tek vendi i lindjes, aty ku kam vepruar e punuar art. Kjo pritje e jua, sot, më ka emocionuar dhe jam tejet i ngazëllyer nga fakti se, po bashkë takon me datëlindjen time të 76-të. Sot, nga ky moment, jam emocionalisht i ngarkuar, se po flas me në mase intelektualësh, të cilët sot po “komunikojnë” me mua e me veprën time. Po u tregoj se si jam takuar me Rexhep Elmazin, poetin e madh gjilanas.

Erdha nga bota e jashtme dhe u gjenda në redaksinë e revistës “Jeta e re”, të cilën e drejtonte Esad Mekuli, poet. Aty isha me disa shokë krijues. E pyeta Esadin për Rexhepin, ai më tha fjalë inkurajuese për te. ”Rexhepi është njëri nga figurat e rralla të poezisë. Nëse e takoni, i thuani të shkruajë më tepër”. Erdha në Gjilan. E takova Rexhep Elmazin. Ai ishte një meso burrë i qiltërt e fisnik. Bisedova dhe u njofta me te. Më la përshtypje si njeri e si krijues. Për mua, por edhe për Esadin, ky (Rexhepi) ishte i tëri poet i një veçantie të jetës letrare. Gjer sa qëndrova me poetin gjilanas, e ndjeva vetën të gëzuar dhe të ngazëllyer. Ika nga shoku, të cilin fort e kam pëlqyer si poet e si njeri. Ma la mbresa të pashlyeshme. Ju faleminderit për këtë nderim që ma keni bërë, Ju gjilanas!”/tefik selimi/rajonipress/