FIDANISHTJA

Tri vjet pa poetin që e përpiu një natë vere në Mesdhe

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Salih Kabashi – Te një rrugë e te një laticë e vogël livadhi para tre vjetësh ka pasur deklamime poezish të poetëve të pellgut të Mesdheut. Në atë copë livadhi pati zbritur një poet i Ballkanit. Goxha plakur e më shumë rrezbitur, më shumë nga sëmundjet se nga vitet, ai duke artikuluar turbullt fjalët e verzet, duke i lidhur ato me shumë vështirësi e gati pa mundur t’u japë kuptim, duke mos arritur assesi ta marrë e ta mbajë nën sundim tekstin nga fletët që i ngatërroheshin…, ai kishte përfunduar siç e kishte përfunduar paraqitjen e tij, pa u kuptuar nga të pranishmit jo vetëm se çka kishte thënë, por as nëse i kishte rënë apo nuk i kishte vajtur deri në fund asaj që kish marrë ta lexonte.

Poetët e Mediteranit që në këtë qytezë plot art e histori mblidhen një herë në çdo vit, në atë laticë të ngushtë livadhi, pranë lumit të vogël, nën degë pemësh që lajnë degët, pipat e gjethet e tyre në ujin e lumit të qetë, në ato çaste të asaj mbrëmjeje korriku po ndjeheshin keq. Ata po ndjenin dhimbje jo pse po iu ikte mesazhi poetik i kolegut të tyre, as pse nuk ia merrnin vesh gjuhën ballkanikut, por pse para tyre po shihnin si po rrënohej, dhimbshëm, ashiqare, sikletshëm, me trup e me mendje – njëri nga ata. Të tjerë kishin paraqitjet e tyre dhe nuk mund të ndiqnin hapërimin e lodhshëm e të luhatshëm të kolegut të tyre të vjetër që po largohej nga dritat e qytetit për t’iu dorëzuar pyllit e natës…

Poeti vërtet kishte lënë poetët në vazhdimin e mbrëmjes letrare në atë buzë lumi. Dikush e kishte ndihmuar të ngjiste shkallët e të dilte në rrugë. Në rrugë, pastaj, atë me hapat e pasigurt e morën në shoqërim nata dhe vetmia e frikshme e saj.

Këmbët e pasigurta po e çonin verrishtës teposhtë. Ishte nata e fundit e tij me njerëzit. Ishte e martë. Ishte natë e një së marte korriku të 2012-ës. Pastaj ai do të shpallej i humbur.

Organizatorët e festivalit poetik kishin alarmuar policinë. Atë nuk e gjetën për katër ditë e net me radhë. E gjetën të shtunën pasdite, të shtrirë pranë një përroi, me njërën dorë nën kokë, pa shenja jete e pa gjurma dhune. Ai e kishte mbyllur tragjikisht jo vetëm ditën e fundit të takimeve poetike, por edhe kapitullin e fundit të jetës së tij.

Menjëherë pas lajmit për vdekjen, e kisha ngarkuar veten me domosdonë që të marr vesh diçka më shumë lidhur me humbjen e tij. E kisha njohur për së gjalli. Kishim pasur momente të një afrimi e bashkëpunimi, por edhe periudha të shkurtra largimi. Kemi qeshur shpesh me njëri-tjetrin. Unë qeshja me seriozitetin e tij që ai u jepte gjërave joserioze sepse mendoja se nuk i kishin hije. Sidomos me përpjekjen e tij që të fshinte pjesë të biografisë së tij komuniste dhe të vishej, krejt pa meritë, me gëzof disidenti. Kam qeshur shumë me nivelin e tij shumë të ulët drejtshkrimor, për recitimet e tij monokordike e pa kurrfarë melodie, për prirjet e tij që vjershave të tij ndonjëherë, -jo gjithherë,- fort të bukura t’u shtonte edhe aso kushtuar prijësve komunistë e në dy dekadat e fundit edhe atyre religjiozë… Ishte miku im, por nuk ishte poeti im.

Fundamenti

Shkova dhe u ndala në Lodéve. Pak pa u mbyllur zyrat e Voix de la Mediterranées, u futa brenda dhe gjeta zonjën Laetitia. I shtrova një rafal pyetjesh derisa erdha te interesimi im kryesor që nga ajo dhe nga kolegët e saj të merrja vesh diçka më shumë rreth një vdekjeje në ditë feste që kishte ndodhur para tre vjetësh atypari. Laetitia u befasua. Iu kujtua momenti i humbjes, i erdhi në mend rrëmuja e paniku që kishte kapluar organizatorët… Pas pak bashkë me të shkuam në një nga sallat e komunës ku drejtori i festivalit poetik kishte caktuar një takim lidhur me fondet e me vullnetarët që do të vihen në shërbim të takimeve poetike mesdhetare të radhës.

Tash për poetin e vdekur po flisnin, ato, Laetitia dhe Marina që e gjetëm aty. Fol ato fol unë, lotët u shfaqën në sytë e dy grave. Qanin dhe më hidheshin në përqafim. Qanin e qeshnin. Më përjetonin si njeriun që po i ngushëlloja pas një trishtimi që kishin përjetuar tre vjet më parë, kur poeti i mplakur dhe i lodhur i gjeti dhe i braktisi në mënyrën më të dhimbshme të mundshme. Ato donin të thoshin se nuk ishte faji tyre, se faji ishte i vetë atij dhe vetë atyre që e kishin lënë atë që në gjendjen shëndetësore e shpirtërore në të cilën gjendej të merrte një rrugë aq të gjatë…

Homazhet në përvjetorin e vdekjes së çuditshme të poetit të Ballkanit në Lodéve, në vendin e ngjarjes, për sivjet, le të fillojnë me këtë shkrim, të cilin e shoqëron tashmë mikja ime Marine. Duke ecur me të për te vendi ku çdo vjet dynden poetë e poetesha të pellgut të Mesdheut vëmë re se Ali Podrimja nuk do të ketë më as pllakë përkujtimore. Keqbërës të panjohur ia kishin shkatërruar atë pa kaluar shumë ditë nga vendosja e saj…

Me Marinen vizituam dhe fotografuam vendin ku poeti i vdekur tri vite më parë kishte lexuar për së mbrami herë në jetën e tij. Marina ka qenë e fundit nga njerëzit që i kanë dëgjuar zërin poetit të tretur në natë. I kishte telefonuar të nesërmen në mëngjes. Ai e kishte ngritur telefonin pa ditur të fliste… Pengesa tmerrësisht të pakuptueshme: Marina nuk dinte shqip, i humburi dhe i treturi ku me ditë se në ç’vend nuk dinte as frëngjisht e anglisht jo se jo… Sëmundjen e alzheimerit ia kishin vënë re qysh në fillim kur ai qysh në recepcion nuk gjente fjalët për të formuluar përgjigje për çkado qoftë, as në shqip, as në serbisht…

Policia e gjen trupin pa jetë pas katër ditë kërkim katër kilometra larg vendfestivalit… Marina ende, edhe kaq kohë pas ngjarjes është në gjendje shoku. Prandaj sypërlotur tërë kohën rrinte mbështetur për mua. Më kujtonte përgjigjet e njërës nga bashkëpjesëmarrëset në Festival kur atë e kishin lutur që nëse mundet le ta ketë paksa në kujdes kolegun e saj të rrënuar. E bezdisur dhe me përvojë të keqe edhe nga rastet tjera, ajo thjesht kishte thënë: Nuk jam këtu në cilësinë e nënës së Ali Podrimjes… Fundja, pse vjen ose pse e linin të merrte rrugë kaq të largëta derisa ai është në këso gjendje?!

Nga ana tjetër, për hir të së vërtetës ai më 2012 as nuk bënte pjesë në mesin e poetëve të ftuar në Voix de la Méditerranée (Zëri i Mesdheut). Nga Kosova ishte e ftuar vetëm Ilire Zajmi… Insistimi i tij për të qenë kudo, i ftuar a i paftuar, më 18 korrik të atij viti kushtoi me një rrugë pa kthim, të dhimbshme për familjen, miqtë e dashamirët e poezisë së tij./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.